Përse janë kaq nervozë fëmijët e Berishës

0
30

Nga Mero Baze, 6 Shkurt 2013

Shkëlzen Berisha është shfaqur publikisht në media për t’i kërkuar llogari një deputeti socialist përse nuk është paraqitur në gjykatë në seancë gjyqësore, në një proces të hapur prej tij. Nuk do t’ia vlente t’i kushtohej rëndësi zhurmës rreth kësaj deklarate, sikur ajo të ishte vërtet e bazuar tek shqetësimi për procesin gjyqësor. Shkuarja apo jo vetë, apo me avokat, në një proces gjyqësor, është çështje teknike dhe ka një procedurë gjyqësore që e rregullon këtë raport. I biri i Sali Berishës, i cili nuk ka guxuar të shkojë dot në gjykatë të sqarojë historinë e lidhjes së tij me biznesin vdekjeprurës të Gërdecit ku vdiqën 26 vetë, edhe pse është akuzuar publikisht me prova të qarta, po gjen rastin të bëj politikë me një procedurë gjyqësore që ka nisur ndaj opozitës.

Njësoj si e motra e tij, ai po përfshihet në politikë me shumë vetëdije. I sigurt se ka zgjedhur një ushtar të tij në krye të Gjykatës së Tiranës dhe akoma më i sigurt se pushteti i babait të tij ka prodhuar një sistem gjyqësor në shërbim të familjes, ai tashmë është i qetë nga procedura gjyqësore dhe kërkon të bëjë politikë me grafikun e gjyqeve që caktojnë shokët e tij në gjykatë. Në gjithë këtë zhurmë vlen vetëm fakti që Shkëlzen Berisha kërkon të bëjë debat publik doemos me deputetët e opozitës dhe të ketë rastin t’i kërcënojë ata verbalisht me shpresë se kështu do të zbusë peshën e akuzave për korrupsion ndaj tij.

Angazhimi i tij dhe i motrës së tij në deklarata politike, dhe kur nuk ua kërkon kush, janë një sinjal që tregon mungesën e qetësisë brenda familjes në pushtet.

Arsyeja kryesore se pse fëmijët e Sali Berishës nuk janë të qetë, është vetë Sali Berisha. Edhe pse ai i mban ata shumë afër, edhe pse ua ka dorëzuar gjithë çelësat e përdorimit të pushtetit për xhepat e tyre, edhe pse i ka bërë pronarët realë të Shqipërisë dhe lëshuesit e vetëm të lejeve, koncesioneve, hipotekave, ujit, ajrit dhe nëntokës së Shqipërisë, ai nuk i ka qetësuar dot ata për të nesërmen. Sikur Argita dhe Shkëlzeni të mblidhen në një darkë bashkë me babanë e tyre dhe të velur nga pushteti dhe ushqimi, befas njëri prej tyre ta pyesë të atin se çfarë do të ndodhë me të ardhmen e tyre, në tavolinë mund të vendoset qetësi e frikshme. Sali Berisha, babai i tyre, nuk ka fuqi t’u dëshmojë as fëmijëve të vet çfarë u sjell e ardhmja e një pushteti si ai që po ushtron ai. Në vitin e tetë në pushtet, ai ka një bilanc lufte në qeverisjen e vendit.

I biri i tij akuzohet se ka shkaktuar vdekjen e 26 qytetarëve në biznesin e tij, vetë Sali Berisha ka urdhëruar dhe udhëhequr vrasjen e katër qytetarëve më 21 janar 2011, së bashku si familje kanë dirigjuar dhe nxitur shkatërrimin dhe falimentimin politik të dhjetëra bizneseve kundërshtare të tyre, ose njerëzit i kanë penguar të ushtrojnë veprimtarinë e tyre, dhe mbi të gjitha brenda strukturave të pushtetit, ata kanë funksionuar si pushtet informal, të pambështetur në struktura të zgjedhura apo të votuara të pushtetit. I gjithë ky informalitet pushteti me pasoja dramatike për shoqërinë, gjeneron tek familja një ndjenjë makthi dhe pasigurie, sidomos tek dy fëmijët që janë bërë simbol i devijimit të pushtetit nga struktura shtetërore në struktura familjare dhe tribale.

Është kjo arsyeja që familja nuk mund të ndjehet e qetë dhe mbi të gjitha është kjo kryearsyeja, përse dy fëmijët e Sali Berishës, edhe kur i pyet me çfarë furçe i lajnë dhëmbët, të përgjigjen politikisht. Ndaj Argita Berishës ka fakte të mjaftueshme për ta arrestuar si një vajzë e kryeministrit që ka kapur shtetin. Ajo i ka kërkuar tre përqind ‘fee’ suksesi një biznesmeni të huaj miliarder, që kërkonte firmën e babait të saj për një TEC.

Pyetjet që drejtohen ndaj saj janë të thjeshta dhe kërkojnë dy rreshta përgjigje, ndërsa ajo bën çdo ditë nga një faqe dhe akuzon gruan e kryetarit të opozitës, kandidat për kryeministër, se xhaxhai i saj ka bërë një shtëpi në rrënojat e shtëpisë ku ka lindur dhe është rritur dhe i dërgon dhe kushërirat nga Tropoja në protestë për t’i prishur shtëpinë. Shkëlzen Berisha është i kapur me presh në dorë në Gërdec, me telefona të regjistruar me drejtuesit e biznesit, me lidhje super të afërta me përfaqësuesin e partnerëve në biznes, me fakse dhe hyrje- dalje nëpër zyra ministrash, me dëshmi personale dhe publike, dhe nuk përgjigjet kurrë për këtë akuzë, por emëron një shok gjyqtar dhe hedh në gjyq çdo deputet të opozitës që e akuzon për rolin e tij në këto histori korruptive.

Arsyeja është e thjeshtë. Fëmijët e Sali Berishës nuk janë të qetë, pasi babait të tyre, ashtu si i mungon vizioni për të drejtuar Shqipërinë, i mungon vizioni dhe për të ruajtur familjen e tij nga e nesërmja. Si një njeri dritëshkurtër, zullumqar dhe i etur për pushtet, ai ka zhytur të ardhmen e fëmijëve të vet në një spirale hasmërish jetëgjata. Qetësia e tyre është e pasigurt me mbi 30 arkivole të krijuara nga pushteti i familjes së tyre dhe mijëra të këqija që u kanë bërë qytetarëve shqiptarë individualisht në rrugën e paskrupullt për të ushtruar pushtetin e tyre.

Nëse ata fëmijë do të kishin një baba që do t’i qetësonte duke u dhënë një vizion për të ardhmen, biles qoftë dhe duke i siguruar se do t’i vjedhin zgjedhjet, se nuk do ta lëshojnë pushtetin, se nuk do lejojë kurrë që ata të shkojnë në gjykatë, se nuk do t’ua prekë kush paratë e fituara, ata dhe mund të qetësoheshin. Problemi i tyre është se ata kanë një baba që i ka lejuar të abuzojnë me pushtetin e tij të pakufi dhe nuk ka fuqi t’u japë asnjë siguri për të nesërmen. Në këto kushte ata shikojnë si shpëtim vetëm faktin që të sillen si babi, të merren me politikë dhe të bëjnë njësoj si ai, të kërcënojnë opozitën dhe kundërshtarët. Janë njësoj si ata kalamajtë e frikësuar që bërtasin me zë të lartë nëpër një pyll pa fund, për t’i hequr frikën vetes. Janë duke vuajtur paqartësinë e së nesërmes që po ua krijon babai i tyre.