TemA TV/ Hapet Akademia Politike e PS-së, Rama: Zgjedhjet e 23 qershorit, moment kyç për vendin (VIDEO)

0
15

TemA Online, 5 Shkurt 2013

Akademia Politike e Partisë Socialiste vazhdon të tërheqë vëmendjen e shumë të rinjve, të interesuar për ta ndjekur atë. Në vitit të saj të tretë, në Akademi do të marrin pjesë 400 studentë nga rreth 1000 të rinj që kishin aplikuar në fazën e parë të përzgjedhjes. Një ceremoni e veçantë është organizuar me këtë rast nga Partia Socialiste, në të cilën merrnin pjesë edhe kryetari i PS, Edi Rama, Drejtori i Fondacionit “Fridrich Ebert” për Shqipërinë, Frank Hantke, si dhe kryetari i PS-së së Tiranës, Saimir Tahiri.

Në nisje të takimit, të rinjtë e Akademisë politike janë përshëndetur nga Frank Hantke, Drejtori i Fondacionit “Fridrich Ebert” për zyrat e Tiranës. Ky fondacion financon për të tretin vit radhazi Akademinë politike të PS. Pas zotit Hantke, fjalën e ka marrë kretari i PS-së së Tiranës, Saimir Tahiri, i cili ka theksuar se është suprizues numri në rritje i të rinjve që duan të jenë studentë të Akademisë Politike të Partisë Socialiste. Programi i Akademisë për këtë vit përmban 7 module dhe të rinjtë kanë një program të ngjeshur në leksione.

Duke marrë fjalën në këtë ceremoni Edi Rama i ka ftuar studentët e kësaj Akademie të bëhen jo thjesht pjesë e fushatës së kësaj partie për zgjedhjet e 23 qershorit, por zëdhënës të programit për një Rilindje Shqiptare. Kryetari Rama ka theksuar se për PS është e rëndësishme që të luftohet përditë kundër mitit urban të ngritur enkas për t’i dekurajuar shqiptarët, se që të gjithë janë njësoj dhe asgjë nuk mund të ndryshojë në këtë vend: “Ju jeni shumë të rëndësishëm për ne, për të luftuar përditë kundër një miti urban të ngritur enkas për t’i dekurajuar shqiptarët. Mitin, që të gjithë janë njësoj dhe asgjë nuk mund të ndryshojë, kështu ka qenë kështu është dhe kështu do jetë, se politika është një gjë e ulët dhe të gjithë politikanët janë të përzier në një batak, ku ruajna Zot nëse prekesh apo e prek. Kjo është e keqja më e madhe që mund t’i ndodhë një shoqërie. E keqja më e madhe është t’i dorëzohet një miti të tillë, sepse kapitullon përpara varfërisë së aspiratave.”

Kreu i PS ka theksuar se Shqipëria është në një udhëkryq shumë të rrezikshëm dhe se zgjedhjet e 23 qershorit kanë një peshë të veçantë për të ardhmen e vendit: “Por është e rëndësishme që së bashku të bëjmë gjënë e duhur deri në 23 qershor ku ky popull do të marrë një vendim shumë të rëndësishëm për të ardhmen e tij. Një vendim që nuk do të afektojë vetëm 4 vitet e ardhshme, por një dekadë. Shqipëria është në një udhëkryq shumë të rrezikshëm. Ekonomia e Shqipërisë është në një gjendje shumë të rëndë. Ju e përjetoni në familjet tuaja. Shteti e përjeton në pamundësinë për të mbledhur të ardhura dhe për të shpenzuar për qytetarët dhe për shërbimet që duhet të ofrojë.

Shoqëria vetë është në një gjendje shumë të vështirë. Shifrat e kriminalitetit janë shumë të larta. Ato rriten vazhdimisht. Ndërkohë hapësirat për punësim, hapësirat për vetëpunësim nëpërmjet një sipërmarrjeje, hapësirat për karrierë në kuptimin e mirë të fjalës, përmes meritës në rrugën e lirisë së konkurrencës janë të gjitha të zëna. Dhe të gjitha këto janë arsye që deri në 23 qershor edhe nëpërmjet kësaj rruge të Akademisë Politike, secili nga ju të bëjë diçka më shumë se zakonisht. Të bëjë diçka më shumë se zakonisht, duke përdorur pikërisht politikën, mundësinë që të jepet që bashkë me të tjerë të përçosh rreth e rrotull zërin e një ndryshimi që vetë ti e ke të nevojshëm.”

Për kryetarin e PS fitorja në zgjedhjet e qershorit është e padiskutueshme, por ajo duhet të konsiderohet vetëm si fillimi i një rruge për ringritjen e vendit: “Ne duhet të fitojmë së bashku. Në 23 qershor duhet të fitojë secili nga ju. Duhet të ndjehet fitimtar secili nga ju. Duhet të festojë fitoren secili nga ju, jo thjesht si kontributor në një fushatë, por si kontributor në rrugën e një Rilindje Shqiptare, e cila vetëm sa fillon ditën kur mbaron fushata, vetëm sa nis ditën kur përfundon numërimi i votave, vetëm sa hapet përpara nesh si një horizont sfidash dhe mundësish ditën kur mbyllet gjithë ky proces”.