Nga Reldar Dedaj, 4 Shkurt 2013
Po krijohet përshtypja në disa gazeta të përditshme, kryesisht në ato faqe që iu është lënë mendimit të lirë të qytetarëve; se ambasadori i SHBA, z. Arvizu mbron kryeministrin shqiptar. Ky mendim lind si shkak i një përcaktimi shumë pozitiv të ambasadorit: “Berisha është një burrë shteti”. Me sa duket kjo deklaratë ka trazuar shumë qytetarë që bëjnë thirrje që ambasadori amerikan të heqë dorë nga mbrojtja e kryeministrit. Mandej me qenë i saktë, ky mendim raportohet në mënyrë periodike në këto gazeta. Për mua kjo qasje mbetet një fazë embrionale e komunikimit shoqëror në realitetin e sotëm shqiptar. Në ndryshim nga shoqëritë e sotme moderne, shoqëria jonë nuk i ka të përpunuara aq shumë manierat hipokrite të fshehjes së urrejtjes ndaj tjetrit. Tek ne ende vazhdon një komunikim agresiv i shprehur ballë për ballë në kërkim të shkatërrimit të tjetrit; sy për sy dhe dhëmb për dhëmb.
Ndërdyshazi dikush ka menduar se çfarë e shtyu ambasadorin e një kombi aq të civilizuar të bëjë një deklaratë të tillë. A thua se qeverisja e këtij soji ka shkulur nga rrënjët të gjithë të këqijat e këtij vendi. Çfarë po ndodh? Me siguri sekreti që fshihet pas atyre fjalëve nuk është diku gjetkë, por aty ngjit aspak i fshehur, i futur thellë në ADN e kombit amerikan: Shërimi i të sëmurit! I gjendur në një terren jo aq pozitiv për asnjërin nga ne dhe kryesisht për pashain e Viçidolit ku krimi, korrupsioni, vrasjet dhe për më tepër braktisja nga të gjithë miqtë, e gjeti këtë pasha të rënë moralisht dhe psikologjikisht, krejtësist të rrënuar dhe i braktisur në zonën gri të jetës së tij.
Por si asnjëherë tjetër, ai ishte më i rrezikshëm se kurrë. Ambasadorit qysh në shekullin e XX psikoanaliza i kishte kallëzuar se një qenie sa më e dobët, e rrënuar, e braktisur të identifikohet, aq më e rrezikshme është. Gjithashtu edhe letërsia amerikane e kishte thënë fjalën e saj dhe në veçanti Xhek London: “Ruaju kafshës së plagosur se nuk ka burrë ta ndalë”.
Pikërisht atëherë kur nuk pritej, njëkohësisht në një realitet ku të gjitha organizatat ndërkombëtare kumtonin një gjendje mjaft kritike të parametrave që Shqipëria duhej të arrinte, ambasadori lëshon një përcaktim: Burrë shteti! Një deklaratë që la pa fjalë jo pak veta, që topiti jo pak politikanë. A kishte burrë ta besonte?! Por diku thellë ndoshta si një vlerë që gjendet atje larg matanë Atlantikut, ai më në fund e kishte identifikuar melhemin e duhur. I sëmuri tashmë duhej kuruar menjëherë.
Me siguri Arvizu ka menduar se qenia e braktisur, e sulmuar është shkaku më i thellë për të krijuar dhunë dhe katastrofa sociale për një komb. Sa më i vetmuar të jetë njeriu, aq më shumë ka rrezik ta humbasë qëllimin dhe kuptimin e jetës. “I mbyturi, të mbyt”- ka menduar në thellësinë e tij individuale ambasadori. Por një mendim që akoma e çimenton më tepër këtë ide vjen nga shkolla e Paolo Altos, Jurgen Ruesch i cili thotë: “Psikopatologjia mund të përkufizohet si çrregullim i komunikimit”.
Me patjetër ambasadori ka vendosur t`i krijojë mundësinë Berishës që të rrisë aftësinë vetëkorrigjuese. Të dalë jashtë vetvetes dhe të krijojë lidhje me botën e jashtme. Në këtë mënyrë ai mund të ketë mundësi të korrigjojë informacionin dhe ta kuptojë atë jo sipas mënyrës së tij, por si një informacion që merr kuptim edhe sipas perceptimit të tjetrit. Në rast të kundërt Kryeministri mund të shkasë brenda kësaj hullie sjellje që lind edhe personalitet paranojak, i cili dëshiron me patjetër që gjithandej të shkojë fjala e tij. Ai nuk merr parasysh asnjë mendim tjetër alternativ në diskutim, në zgjidhje krizash dhe hallesh, kërkon me çdo kusht t`u imponohet të tjerëve dhe të urdhërojë në mënyrë autoritare në të gjitha nivelet e pushtetit.
Sapo të hasë një kundërshtim sado të vogël, Berisha ka prirjen për t`u nxehur, grindur, konfliktuar dhe për t`u ndarë me të gjithë; faktorë kombëtarë dhe ndërkombëtarë. Gjithaq, përpara një realiteti që nuk “i bindet” ai nuk arrin të ndryshojë veten për t`u përshtatur me këtë realitet, por mund të ndodhë të jetë edhe i dhunshëm, ashtu si ka ndodhur, për të kaluar me forcë bindjet dhe qëndrimet e tij mbi politikën dhe shqiptarët.
Inati i mbledhur i Kryeministrit që buronte nga braktisja dhe mospranimi i realitetit, po nisej të sosej. Në ato ditë, sa më e madhe vetmia, sa më të shpeshta akuzat, sa më i varfër dhe i vuajtur shqiptari, sa më të shpeshta kritikat e ndërkombëtarëve, aq më shumë rrezikshmëria që ai përfaqësonte i rezistonte kohës. Nuk mund të jetë thjeshtë çështje ligjesh, përgjegjësish individuale, përballje me të vërtetën, respektim i mendimit ndryshe, ndonëse shumë të vlefshme, pra dhe të domosdoshme; strategjia e frenimit të tij tashmë ka kohë që lidhet me një ligj psikologjik.
Sa më tepër mbështetje për pacientin, aq më shumë ai e transformon energjinë negative në gjendje të ngrirë. Aq më pak kohë, inat, dhunë i mbetej për t`u marrë me gërr-mërre, me përleshje të brendshme, sharje, strategji vrastare, me psikoza vetëshkatërruese dhe mllefe klanesh e grupesh. Është e domosdoshme për të sëmurin që t`i bëhet e ditur në mënyrë graduale arsyeja e vuajtjes. Tani ilaçi është gjetur, dalëngadalë të presim dhe shërimin…dhe largimin e tij.