Nga Mustafa Nano, 2 shkurt 2013
Po flitet shumë shpesh për bashkimin kombëtar. Po shkruajmë, po detyrohemi të japim përgjigje, po marrim pjesë në debate televizive, e po hahemi me njëri-tjetrin. Para disa ditësh, isha në Prishtinë, i ftuar për të marrë pjesë në programin e Adriatik Kelmendit në “Koha Vizion”. Tema e debatit ishte shumë “aktuale”: bashkimi i shqiptarëve. Nuk mund të mohohet që është një temë aktuale. Mund ta fusim sa të duam në thonjëza përcaktorin në fjalë, por është tamam ashtu: tema e bashkimit kombëtar është bërë prej kohësh një temë e ditës në bisedat tona e në debatin publik, e sidomos atë politik.
Prej sa kohësh? Në fakt, të parët që kanë demonstruar një qasje “ideologjike” lidhur me këtë çështje kanë qenë njerëzit e Vetëvendosjes. Të kuptohemi, për bashkimin kanë folur herë pas here politikanë e intelektualë të ndryshëm të botës shqiptare, por ishte “Vetëvendosja” që e bëri element të programit të saj. E prandaj duhet thënë se Kurti e Co janë themeluesit e pionierët e “lëvizjes për bashkim” në rrethanat, kur është krijuar shteti i dytë i shqiptarëve dhe kur kauza shqiptare, për një trill të historisë, ka zënë të këndellet si kurrë më parë.
Më pas u shfaq Kreshnik Spahiu, i cili zuri të bënte një zhurmë më të madhe për po këtë çështje. Në krah të Spahiut duket se ka qenë qysh në krye të herës Lisen Bashkurti, e janë të gjitha gjasat që të jetë ky ideologu, apo éminence grise, e Aleancës Kuqezi. Në fakt, Bashkurti di ta mbrojë e ta përfaqësojë këtë kauzë në Tiranë më mirë se sa Spahiu, por ky i fundit ka synuar dhe ka pasur për detyrë, të mbjellë zhurmën e ta shesë “mallin” nëpër rrugë. E dihet që nuk ka mënyrë më të mirë për ta bërë popullore një kauzë se sa së pari ta banalizosh atë, së dyti të gjesh mjetet për ta shpërndarë mesazhin në një hapësirë më të madhe. Spahiu i ka pasur të dyja këto “cilësi”: Kauzës i ka dhënë një formë divulgative, tepër divulgative, dhe me këtë “ambalazh” ka ardhur vërdallë nëpër tregun shqiptar.
Do ti që i ngjiti kjo punë? I ngjiti aq shumë, sa na u shqetësua dhe kampioni i vulgarizimit të një kauze, dhe shitësi më i mirë i “kakës për kek” që gjendet këtejpari. Është fjala për Sali Berishën, që me të pikasur efektin “Spahiu”, planifikoi t’i bënte Spahiut atë që Spahiu i bëri Kurtit, d.m.th t’i vidhte kauzën. Gjeti rastin e 100-vjetorit të shpalljes së pavarësisë dhe i ndezi mirë motorët. Mund ta konkurrojë Spahiun në çdo gjë, por sidomos në fuqinë për të mbjellë një berihaj e për të ndërtuar narrative të caktuara. Nuk dihet, në do t’ia dalë për ta zeruar efektin “Spahiu” në elektorat, por ndërkohë ka provokuar një shqetësim tek qarqet ndërkombëtare. E mbi të gjitha, ka bërë të shtrohet mirë për debat sendërgjia e bashkimit kombëtar.
Pse them sendërgjia? Sepse është tamam një sendërgji. Bashkimi kombëtar është një gjë që së pari askush nuk e ka përkufizuar, së dyti të gjithë e dinë se është i pamundur, dhe së treti të gjithë do duhet ta dinë se hë për hë nuk është një gjë e udhës. Po shpjegohem.
Ç’don të thotë bashkim kombëtar? Të bashkohet Shqipëria me Kosovën? Po ky afërmendsh nuk është bashkim kombëtar. Ky është thjesht bashkim Shqipëri-Kosovë. Ata që flasin për bashkim kombëtar, nëse s’kanë në mendje këtë gjë, atëherë i bie që në mendje të kenë bashkimin e Shqipërisë, Kosovës, trojeve të banuara nga shqiptarët në Serbi, në Mal të Zi e në Maqedoni dhe trojeve që u janë marrë shqiptarëve në Greqi. Mirëpo, kjo nuk është thënë asnjëherë. Do të ishte një idiotësi po të thuhej, mirëpo nga ana tjetër na kanë borxh një përkufizim të kauzës. Çdo kauzë fillon me një përkufizim. Ndryshe, nuk duhet të çaprashitin.
Vijmë tek e dyta. Bashkimi kombëtar, sido që të përkufizohet, është i pamundur të arrihet nga shqiptarët. Nuk është mjaft pra asnjë vullnet shqiptar për t’i shkuar deri në fund kësaj pune. Do duhej se s’bën një sponsorizim i fortë, në formë kori, i komunitetit ndërkombëtar, dhe me këtë kam parasysh që “të bien dakord SHBA-ja, Kina, Rusia, të gjitha vendet e Bashkimit Europian, etj.”. Madje, edhe sikur ky sponsorizim të ish i mundur (kuptohet, po marr për të vërtetë një rrethanë fantastike), bashkimi sërish mund të rezultonte në këtë moment një ndërmarrje e pamundur; në mos, shumë e rrezikshme.
Disa partizanë të bashkimit, më racionalë se të tjerët, mund t’i mbahen pretendimit se në këtë mes është fjala për bashkimin Shqipëri-Kosovë, të cilin nuk kanë arsye të forta për ta refuzuar. Mirëpo këtu lind pyetja: është e udhës të bëhet ky bashkim në rrethanat që i gjithë komuniteti ndërkombëtar do të binte dakord?
Duket përgjigje e kollajtë. Dhe në fakt, janë të shumtë ata që e japin përgjigjen pa u menduar fare. Janë më të paktë se sa kanë qenë para ca vitesh (në Shqipëri po rritet një elektorat gjithnjë e më pragmatik, rrjedhimisht gjithnjë e më i shkujdesur ndaj çështjeve që nuk kanë të bëjnë me xhepin e tyre, ndërsa në Kosovë është duke u krijuar vetëdija kosovare, gjë që po i bën shqiptarët e atjeshëm të mos jetojnë më, të paktën jo aq sa më parë, me idenë e Shqipërisë si dheu mëmë, dhe ta shohin bashkimin, jo si integrim të Kosovës në Shqipëri, por si bashkim dualist), por prapëseprapë janë shumë. Puna është se bashkimi nuk mund të ngrihet me yrysh patriotësh. E prandaj, kur vijmë tek bashkimi konkret, gjërat nuk janë aq të kollajta sa ngjajnë.
Bashkimi midis Shqipërisë e Kosovës, sikur të ishte i mundur pra, nuk do të krijonte dot një entitet funksional shtetëror. Ne do të krijonim kështu një shtet më të madh, një ekonomi më të madhe, një vend më të madh, etj., por “gjëja” do funksiononte shumë më keq se sa funksionon secila prej copave më vete. Ne të këtejshmit kemi gati njëqind vjet që jemi tok brenda një shteti, e megjithatë, vuajmë ende prej ca sëmundjesh “të origjinës”, të cilat mund të malcohen keqas nga një bashkim i pamenduar, apo i bërë në ngut e sipër. E kështu me bashkimin, në vend të vinim vetulla, do të nxirrnim sytë, d.m.th do të prishnim dhe ca ekuilibra që ne të këtushmit mezi i kemi arritur (nëse s’i kemi ende të brishtë).
Cila është zgjidhja? Zgjidhja është t’na jepet kohë, që të komunikojmë me njëri-tjetrin, që ta njohim njëri-tjetrin, që të marrim vesh se kush jemi, që të përafrojmë sjellje, kultura, identitete, stil të menduari e të jetuari, vizione për botën, për kombin, për shtetin, për fenë, për familjen (aq sa mund, e ka kuptim, të përafrohen), etj., e pas kësaj, të presim që bashkimi të vijë si një kërkesë a nevojë e natyrshme.
Dhe kjo ka për të qenë. Edhe ata që po bërtasin për bashkim kombëtar, e dinë shumë mirë se kështu ka për të qenë, d.m.th bashkimi kombëtar, në atë masë që mund të realizohet praktikisht, do të vijë një ditë fare natyrshëm, i kërkuar prej nesh, i favorizuar prej një konteksti rajonal dhe “i miratuar” prej koniunkturave ndërkombëtare. Nëse do të vijë. Çdo ide tjetër është një hile rrufjanësh.