ANALIZA/ Ja si i ruajti PD katër mandate me forcën e kartonit

0
34

TemA, 31 Janar 2013

Në debatin tre mujor të palëve për ndarjen e mandateve me akuza e kundërakuza, duket se më e vërteta është ajo e kalkulimeve të votave që fsheh pas ky vendim.

Analiza e rezultateve elektorale të 2009 është prapavija e situatës, që megjithëse në kushtet e një ligji të qartë elektoral për rindarje deputetësh në bazë të numrit të popullsisë, pati tre variante se si duhet të ishte konfigurimi për 23 qershorin.

Varianti i parë: Propozimi i parë i administratës së KQZ ishte, pakësimi i një mandati në Berat dhe një në Korçë dhe shtimi i një mandati në Tirane dhe në Durrës. Por opozita kundërshtoi heqjen e mandatit nga Berati, pasi sipas saj i takonte Kukësit të ishte me një deputet me pak, duke verifikuar se rritja e popullsisë së këtij qarku ishte bërë në dy muajt e fundit.

Ajo e cilësoi këtë manovër të pushtetit për të mbajtur mandatin e katërt në qarkun verior, i njohur si bastion i demokratëve, ku këta të fundit kishin marre tre deputetë në këtë qark në 2009, ndërsa opozita 1. Ikja e një mandati nga Kukësi zbriste në dy numrin e deputetëve të PD në Kukës.

Numri i votave në 2009 në Kukës: Mazhoranca 28.425 vota, 3 mandate; Opozita 13.692 vota, 1 mandat

Varianti i dytë: Kukësi pakësohet me një deputet, po ashtu edhe Korça, dy mandate që i shkonin njëri Tiranës dhe tjetri Durrësit. Sipas të dhënave të Ministrisë së Brendshme të muajit maj të vitit 2012, ky duhet të ishte ndryshimi në konfigurimin e mandateve që lëviznin për shkak të lëvizjes së popullsisë.

Këtë variant mbështeti opozita, pasi kundërshtoi rritjen brenda pak muajve të popullsisë në Kukës. Sipas këtij varianti, Partia Demokratike humbiste një mandat në Kukës, por ruante mandatin e Beratit pasi sipas rezultateve të 2009 ajo mori deputetin e tetë të këtij qarku, duke e çuar në tre numrin e deputetëve të Beratit përkundër 4 që mori PS dhe 1 LSI.

Votimi në 2009 në qarkun e Beratit: PD 27.058 vota, 3 deputetë; 9.259 vota LSI, 1 deputet dhe 44.564 për PS, 4 deputetë.

Varianti i tretë: Më i paparishikueshmi ishte varianti i tretë, ai që edhe u votua nga parlamenti, që është lënia në fuqi e ndarjes së vitit 2009. Sipas kësaj ndarje përkundër rënies së shifrave të popullsisë së Korçës nuk i hiqet një mandat deputeti, sikundër edhe Beratit. Në analizë të shifrave të 2009, në të dyja këto qarqe PD ruan nga një deputet, pasi mandati i fundit i marrë në to i ka takuar forcës më të madhe qeverisëse.

Votimi në 2009 në Korçë: PD 62.737 vota, 6 deputetë; PS 63.887 vota, 6 deputetë.

Por teorikisht përfitimi i demokratëve nuk është vetëm kaq. Me mosndryshimin e mandateve në këto qarqe, as Tiranës dhe as Durrësit nuk i shtohet një deputet.

Në kryeqytet PD ka marrë 16 deputetë nga 177 mijë e 869 vota, ndërsa PS, 15 deputetë nga 173.515 vota. Në llogari të tepricave të papërkthyera në mandate, kanë qenë socialistët ata që kanë humbur më shumë vota duke bërë që potencialisht mandati që duhej t’i shtohej Tiranës t’i përkiste PS.

Edhe në Durrës, qark të cilit gjithashtu duhej t’i shtohej një mandat është Partia Socialiste që ka humbur më shumë vota në teprica të pallogaritura, duke bërë që gjithashtu potencialisht deputeti që duhej t’i shtohej këtij qarku nga rritja e popullsisë, t’i takonte kësaj force politike.

Votimi në 2009 në Tiranë: PD vota 177.869 – 16 deputetë; PS vota 173.515 – 15 mandate.

Votimi në 2009 në Durrës: PD vota 68.518 vota – 7 deputetë; PS vota 52.038 – 5 deputetë.

Këto janë analiza të bëra mbi votën e 2009-ës, që pas katër vjetësh janë vetëm llogari potenciale. Ajo që sot është e sigurt është vetëm fakti që një kandidati në Tiranë apo Durrës i duhen mijëra vota më shumë se një kandidati në Korçë, Berat apo Kukës për t’u bërë deputet, duke e bërë të pabarabartë votën e zgjedhësve./TCH