INTERVISTA/ Mero Baze: Klanet në PD janë regres. Përleshje mes fëmijëve të Berishës dhe PD tradicionale

0
94

TemA, 29 Janar 2013

Mero Baze: Klanet “Topalli” e “Basha”. Si dhe pse ka lindur përplasja dhe kush ka më shumë pushtet dhe para? Çfarë përfaqësojnë aktualisht “grupimi i Shkodrës” dhe “grupimi i Argitës”? Cilat janë shtresëzimet në PD që vërtiten rrotull Berishës, si satelitë? Pse grupi i Argita Berishës dhe Lulzim Bashës janë pranë Metës dhe kush e përfaqëson PD-në tradicionale? Pse disave nuk u del rroga në fund të muajit dhe të tjerët janë bërë miliarderë?Intervistoi: Adrian Thano

Mero Baze është ndjekës i afërt dhe njohës i situatës së brendshme në PD. Ditët e fundit kemi pasur shumë mesazhe në DITA lidhur me disa shkrime që flasin për klanet Topalli e Basha brenda kësaj partie. Vendosëm t’i bëjmë një intervistë Bazes me këtë temë.

Z.Baze, si një ndjekës i afërt dhe njohës i situatës së brendshme në PD, sa të besueshëm janë zërat që dalin përherë e më shpesh në publik për grupet Topalli-Basha në këtë parti?

Më shumë se sa grupe ekziston një kontradiktë e tejzgjatur që ka marrë formën e luftës së klaneve mes zonjës Topalli dhe prurjeve të vitit 2005 në PD. Arsyet janë shumë më komplekse se sa një ndarje klanesh. Zonja Topalli deri në vitin 2005 ishte drejtuesja më konfidente me Berishën në PD dhe ajo pa me sytë e saj se si prurjet e reja nuk kaluan nga filtri i PD-së por nga përzgjedhje familjare të Berishës, duke injoruar edhe formalisht PD-në. Ky ishte mospajtimi i parë i saj me prurjet në PD. Krisja mes saj dhe prurjeve të Berishës nuk u riparua kurrë. As Berisha vetë nuk ka marrë mundimin ta korrektojë, por është përpjekur t’i kompensojë palët me pushtet për t’i mbajtur të dyja në shërbim të tij.

Çfarë përfaqësojnë Topalli e Basha në PD aktualisht? Ish-kryeministri Majko në një intervistë të para dy ditëve në Dita flet për përplasje midis “tradicionalistëve” të Jozefina Topallit dhe “pragmatistëve” të pushtetit ekonomik të Lulëzim Bashës brenda PD. Thotë edhe se “grupi” i Shkodrës do e trajtojë Bashën si fëmijë jashtëmartesor të së djathtës”…

Topalli përfaqëson në PD një brez që ka përjetuar një opozitë të ashpër dhe të vështirë dhe ky fluks brenda PD-së; identifikohet me të, por jo se ajo është shefe e tyre. Të gjithë aty njohin për shef Berishën dhe gara është se kush është më i vlefshëm për të. Ndaj këto polemika nuk sjellin progres por regres. Ato forcojnë pushtetin e Berishës dhe nuk sjellin alternativë brenda PD-së. Me ikjen e Berishës nuk ka kuptim më të flitet për grupe, pasi do të jetë një situatë krejt e ndryshme. Topalli dhe Basha nuk do të kenë kohë as të grinden me njëri-tjetrin. E ardhmja e PD-së do t’i takoj dikujt që ka qenë kritik me Berishën dhe jo nostalgjikët e tij. Sillni pak ndërmend partinë e Punës dhe kujtohuni që asnjë grup rival që adhuronte Enver Hoxhën nuk e gëzoi dot. Kur PD të shkërmoqet ajo mund të ribëhet nga dikush që është i ndryshëm nga Berisha dhe jo nga të klonuarit e tij. Ndaj nuk shikoj rivalitet Topalli- Basha pas ikjes së Berishës. Të dy do të jenë në anijen që do mbytet.

Në skandalin Ansar – Berishajt, duket qartë që ish-ministri i jashtëm Lulëzim Basha është bërë (bashkë me KESH-in) pjesë e ndëshkimit që familja e kryeministrit i dha biznesmenit kur ky nuk pranoi të paguante ryshfetin për Argita Berishën. KESH njoftoi anulimin e projektit kurse Basha firmosi heqjen e një titulli konsull nderi që ai kish. Si funksionon ky klan, është mes PD-së dhe familjes së Berishës, sa afër njërës apo tjetrës?

Lulëzim Basha është qartazi përfaqësuesi i Argitës dhe Familjes Berisha në pushtet. Ai ishte një përkthyes i rëndomtë në Kosovë dhe u soll në Tiranë bashkë me të tjerë nga Argita. Është një listë prej gati dhjetë vetësh që u kthyen nga përkthyes të rëndomtë në UNMIK, në udhëheqës të Shqipërisë vetëm se ishin sjellë mirë me Argitën në Kosovë. Kaq banale është kjo histori. Në krye të kësaj liste është Lulëzim Basha

Të tjerët?

Janë të preferuarit e saj, Albana Vokshi, Florian Mima, Petraq Milo, Edit Harxhi, Mal Berisha, etj. Këta plus disa rekomandime të tjera në KOP nga Tirana (që kaluan sërish në filtrin e familjes) përbëjnë atë që quhet grupi i Bashës. Tashmë këtij grupi i është bashkangjitur çdokush që nuk ka qenë me PD para vitit 2005 dhe që ndjehet i huaj në bazën e asaj partie. Aq e vërtet është kjo sa ky grup është më afër me Ilir Metën se sa me pjesën tjetër të PD-së. Ka mes tyre plot ish socialistë siç është vetë familja e gruas së Lulëzim Bashës, që njiheshin më parë në opinion si njerëz të afërt me Gramoz Ruçin.

Në vitin 2009 kur unë botova së pari skandalin me Ansar, Basha është marrë personalisht me të që ai ta përgënjeshtronte. Dhe kur nuk pranoi, i hoqi titullin konsull nderi që përmendët ju. Basha bën çdo gjë që i kërkon Argita. Është i preokupuar deri në detaje për të qenë i besuari i saj.

Pse kanë lindur këto grupime?

U përpoqa ta shpjegoj më lart: Kanë lindur nga raporti i ndryshëm që ata kanë pasur me historinë e Partisë Demokratike. Është beteja mes atyre që sollën PD-në në pushtet dhe ata që u thirrën për të marrë pushtetin.

Cili është grupimi më potent? Është çështje parash apo pushteti?

Nga pikëpamja politike në PD është grupi që identifikohet me Topallin. Por sa i përket pushtetit dhe parave e ka grupi i Lulëzim Bashës. Topalli mund të bëjë plot marrëzira dhe gjeste idiote nga servilizmi, por nuk ka krijuar një sistem korruptimi dhe kapje shteti sikurse e bija e Berishës dhe adjutanti i saj në pushtet Lulëzim Basha. Shikoni se çfarë kontrasti ka: Basha dhe Argita merren çdo ditë të sqarojnë a ka marrë apo jo pare Argita nga pushteti i babait, ndërsa Topalli mbledh firma nëpunësish kundër Ramës. Është axhendë krejt e ndryshme. Njëra tërësisht personale dhe financiare, tjetra politike.

A është rritur “klani Basha” apo i familjarëve të Berishës aq sa të mund të “kafshojë” le të themi, këtë klanin Topalli? Kam parasysh disa disa zhvillime të muajve të fundit, sidomos çështja e emërimit të një Presidenti partiak…

Besoj se Berisha i kompenson bollshëm për t’i mbajtur në lojë. Në fakt aty ku thoni ju, Berisha rrezikoi shumë duke shmangur Topallin nga presidenca për shkak të Bashës, por ajo e pranoi këtë fat. Për këtë arsye Berisha e lejon atë të duket e fortë dhe radikale, por realisht nuk ka shumë pushtet. Njerëzit rrotull saj kanë dhe më pak akoma. Nuk janë të përfshirë në afera financiare dhe nuk kanë shumë gjëra në dorë. Por janë thjeshtë të devotshëm. Shikoni p.sh Gent Strazimirin, ai qe me akuzon mua dhe kolege të mi për puçistë më 21 janar. Ne rrethana te tjera duhet ta quaja idiot si për shembull Halimin. Por në të vërtetë është ndryshe. Kam frikë se atij mund të mos i dalë rroga në fund të muajit, dhe të mos i dalë shpirti pa mbrojtur Berishën përditë biles dhe në kontrast të fort me standardin e tij kulturor që është mbi nivelin e një përkthyesi të UNMIK. Është pikërisht stili i këtij shtresëzimi që tentojnë të bëjnë diferencën politikisht në PD, por në fakt nuk i merr kush seriozisht. Partia që ata kanë në mendje nuk ekziston. Rrotull tyre ka vetëm njerëz që numërojnë pare dhe poste.

Ka klane të tjerë në PD?

Nuk ka klane. As këto nuk janë klane të mirëfillta janë shtresëzime në PD që vërtiten rrotull Berishës si satelitë. E thashë grupi Basha -Argita është grup që ka kap pushtetin dhe shtetin, grupi i identifikuar me Topallin përfaqëson PD tradicionale.

Dalja e pritshme e PD në opozitë në qershor, çfarë skenarësh mund të sjellë sipas jush?

Mendoj se dalja e PD-së në opozitë do të zhbëjë këtë PD që është. Mendoj se do të ketë një fraksion berishian që do përpiqet të mbajë fort PD-në dhe ky mund të jetë fraksioni Basha- Argita, por PD-ja reale nuk do të ekzistojë më. Do të ketë plasaritje të fortë të saj. E thashë që atë mund ta rigrupojë dikush që ka një histori jo konformiste me Berishën. Ndryshe do rrinë gjatë në opozitë.