Zgjedhjet, dhe mënyra se si i prish Berisha

1
62

Nga Mero Baze, 28 Janar 2013

Ka një debat thelbësor për shkatërrimin paraprak të procesit zgjedhor që Berisha po përpiqet ta bëjë të padëgjueshëm për publikun. Po e shpjegoj shkurt.

Kodi zgjedhor parashikon që një herë në dy vjet, në bazë të të dhënave të gjendjes civile, të ripërcaktohen mandatet në çdo qark. Gjendja civile e Shqipërisë ka reflektuar ndryshimin e popullsisë, duke i shtuar një mandat Qarkut të Tiranës dhe Durrësit dhe duke i hequr një mandat Qarkut të Korçës dhe Beratit. Opozita, sipas llogarive të saj, pretendon që mandati i duhet hequr Qarkut të Kukësit dhe jo Beratit, pasi në Kukës ka rënie reale të popullsisë dhe regjistrim artificial votuesish nga Tirana. Për këtë kërkoi dhe një komision hetimor, por Kuvendi e injoroi. Kaq ka qenë i gjithë debati rreth ndarjes së mandateve.

Pasi ka bërë dhe një herë llogaritë elektorale dhe sondazhet, Berisha ka kuptuar se ndryshimi i mandateve ia thellon atij humbjen në Korçë, Durrës dhe Tiranë dhe ia ka hequr KQZ-së të drejtën e përcaktimit të mandateve siç e ka kodi elektoral duke angazhuar Kuvendin, i cili do miratojë me 50 plus një përqind të votave, një vendim i cili ndryshon një ligj të krijuar me dy të tretat e votave.

Ky është problemi i parë kushtetues që krijon ky vendim arbitrar, që në fakt hedh në erë ligjshmërinë e procesit zgjedhor. Ndarja e re zgjedhore po injoron detyrimin ligjor që buron nga kodi elektoral për të reflektuar ndryshimet e popullsisë. Pra, minimumi zgjedhjet po fillojnë me katër mandate të paligjshme dhe kjo është një arsye e mjaftueshëm që nëse Berisha humb zgjedhjet, siç ka gjithë gjasat t’i humbasë, ai të anulojë fitoren e opozitës duke paraqitur shkeljen e tij kushtetuese si një cenim të integritetit të procesit. Ky është versioni më i dëshpëruar i tij.

Versioni më entuziast është propozimi i deputetit Paloka që të ruhet ndarja e vitit 2009, pasi aty Berisha ndjehet më i sigurt për shkak të numrave çift të Durrësit, Tiranës dhe Korçës, ku ai shpëton tre mandate deputetësh të sigurta që i humbet.

Pra, i gjithë ky start i procesit zgjedhor, krijon dy probleme të rënda. E para, fillon si proces i paligjshëm zgjedhor, dhe e dyta, vazhdon si proces i manipuluar në funksion të shtimit të mandateve në favor të qeverisë.

Gjithë argumentet që jep Berisha se mandatet duhet t’i ndajë Kuvendi, nuk kanë jo vetëm bazë ligjore, por as bazë logjike, pasi nëse Berisha bën shkeljen e parë dhe ia heq këtë të drejtë KQZ, ai nuk ka pse bën dhe shkeljen e dytë që të injorojë të dhënat e gjendjes civile për vitin 2013. Gjendja civile është institucion i pushtetit dhe ajo ka rekomanduar ndryshime në katër qarqe. Nëse Berisha ka problem vendimmarrjen në KQZ dhe ka shpikur vendimmarrje në Kuvend, pse nuk e përdor këtë vendimmarrje për të respektuar rekomandimet ligjore të gjendjes civile? Kjo zbulon problemin e dytë të madh të këtij procesi antiligjor zgjedhjesh, i cili ka të bëjë me vendimin e qartë të Berishës për të ruajtur epërsi fiktive në katër qarqe, duke shkelur ligjin.

Pra, nuk është fare ashtu siç thotë Berisha, se Kuvendi po hyn në lojë për të zhbllokuar KQZ. E vërteta është se Kuvendi po hyn në lojë për të bllokuar KQZ dhe gjendjen civile, të cilët rekomanduan ndryshime numrash për mandate në katër qarqe, Tiranë, Durrës, Berat dhe Korçë.

Pra, jemi qartazi në kushtet e fillimit të një procesi zgjedhor antiligjor, antikushtetues dhe të cenuar në thelbin e tij. Cenimi është aq thelbësor dhe kushtetues, sa nëse Berisha i humbet zgjedhjet, me këto kontroll që ka mbi Gjykatën Kushtetuese, mund t’i anulojë ato, pikërisht për shkak të shkeljes që ka bërë vetë.

Edhe pse është apel i kotë, është mirë të kërkohet urgjent ndërhyrje e Gjykatës Kushtetuese, përpara se ky proces të masakrohet në Kuvend, dhe të shprehet rreth kushtetutshmërisë që ka një vendim parlament me 71 vota, kundër një kodi elektoral që është miratuar me dy të tretat e votave.

Llogaria e Berishës për të mbrojtur një ndarje zonale të favorshme për të, nuk është vetëm elektorale, por dhe politike. Ai synon të dëshpërojë opozitën dhe të nxisë thirrjet për braktisje të zgjedhjeve. Provokimi i tij ka të bëjë me dëshirën që opozita të kërcënojë me bojkot dhe të harxhojë energji me pyetjen të hyj a të mos hyj në zgjedhje, ndërkohë që ai masakron procesin.

Retorika e tij e këtyre ditëve është e gjitha e adresuar për të provokuar bojkotin e opozitës në zgjedhje. Sondazhet që ai ka, imazhi i tmerrshëm që i jep pushtetit të tij fytyra e “Zonjës 3 milion euro” që ka dëshpëruar dhe demokratët më të flaktë për mënyrën si e përdor Familja pushtetin, janë të gjitha arsye që ai të përpiqet të mbijetojë duke shkatërruar procesin dhe duke nxjerrë opozitën nga beteja paraprakisht.

Kjo gjë nuk ka për të ndodhur. Opozita duhet ta denoncoj fortë siç dhe po bën këtë masakër mbi procesin zgjedhor dhe duhet të mbajë shënim për vete dhe ndërkombëtarët si një shkelje që prek thelbin kushtetues të procesit. Pas kësaj do të ketë dhe shkelje të tjera, pabarazi të tjera, deri dhe dhunë dhe forcë për të mbajtur pushtetin me çdo kusht. Por kjo është një betejë që duhet bërë deri në fund. Sali Berisha vërtet nuk të lë rast të konkurrosh me të, po rast për të bërë betejë për lirinë dhe zgjedhje të lira të jep, për shkak të verbërisë së tij për të qëndruar në pushtet me çdo kusht qoftë dhe duke i vënë zjarrin vendit. Shpresojmë të ketë shansin të ikë siç di, i braktisur në një dhomë nga të gjithë, me fëmijë të arratisur nga frika dhe gruan e fshehur në kushërinj. Nuk e meriton të ikë ndryshe, me kaq shumë të zeza sa ka bërë.

1 COMMENT

Comments are closed.