Spartak Ngjela, INTERVISTE – 12.01.2010
TIRANË – Kryetari i Partisë Ligj dhe Drejtësi, Spartak Ngjela, thekson se zgjidhja e krizës politike në vend mund të vijë nëpërmjet krijimit të një qeverie me spektër të gjerë. Sipas tij, kjo mund të krijojë edhe kushtet, që vendi të shkojë drejt zgjedhjeve të parakohshme brenda 6-mujorit të parë të këtij viti. Për sa i përket mandateve të deputetëve të opozitës, avokat Ngjela vuri në dukje se mandatet e deputetëve nuk mund të mbarojnë apo të digjen, pasi Kushtetuta mban qëndrim ndaj deputetëve pas betimit të tyre në Kuvend dhe jo para këtij veprimi.
Z. Ngjela, si e komentoni situatën e zonave të përmbytura në Veri-Perëndim të vendit dhe, sipas jush, cili është shkaku që solli këtë situatë?
Shkaku nuk ka ardhur sot. Kjo është një qeveri barbare që nuk di të menaxhojë dhe esencialisht ky është një barbarizëm, që ka filluar prej 20 vitesh në Shqipëri që nuk respektohen kriteret shkencore. Kjo po bëhet një periudhë e gjatë në Shqipëri. Arsyeja kryesore e kësaj përmbytjeje është injoranca e Kryeministrit aktual, i cili mendoi se me anë të grumbullimit të ujit mund të krijonte fitime për vete dhe për shtetin. Kjo është e vërteta. Por, po të shikohet me vëmendje, vërtetë e kanë mbledhur ujin, por edhe energji elektrike nuk kanë shitur dot, pasi nuk kanë gjetur treg. Tregu është kontratë, por nuk janë bërë kontrata, duke mos mundur të shesin energji elektrike. Duke mos respektuar rregullat shkencore, që janë fiksuar në rregullore, i lanë të kalonin kuotat dhe ndodhi katastrofa. Kam biseduar me Presidentin e Republikës, i kam kërkuar që të fillojë hetimi i thellë i kësaj çështje, e cila është kjo që përmenda më lart.
Përmbytja e zonave në Veri-Perëndim të vendit ka çuar në shtyrjen e protestave të opozitës, si mendoni a ka ndryshuar strategjia e opozitës në protestat e saj për hapjen e kutive të votimit?
Jo. Nuk ka asnjë devijim nga skema e opozitës për protestat. Përkundrazi, për faktin që ka ndodhur edhe kjo përmbytje, e cila është rrjedhojë totalisht e mungesës së menaxhimit që ka qeveria aktuale. Protestat do të jenë shumë më të fuqishme dhe do të jetë shumë më të madha se ajo që ishte në 20 Nëntor të vitit të kaluar. Unë kam mjaft kërkesa në kontaktet e mia dhe njerëzit mezi po presin datën vendimtare kur të ndodhë bllokimi total i kësaj qeverie në Tiranë, rrëzimi i qeverisë me çdo rrethanë.
Disa eksponentë të së majtës e shikojnë zgjidhjen e krizës politike edhe nëpërmjet krijimit të një qeverie teknike në mënyrë që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme. Si mendoni sa i mundshëm është realizimi i këtij opsioni?
Qeveri teknike nuk ka sens. Duhet të krijohet një qeveri me spektër të gjerë, e cila të na çojë në zgjedhje të parakohshme brenda gjashtë mujorit të parë të këtij viti. Kjo do të ishte zgjidhja më optimale.
Nëse krijohet një qeveri e tillë, sa të pjekura janë kushtet për ta çuar vendin në zgjedhje të parakohshme?
Kushtet për zgjedhje të parakohshme bëhen nëpërmjet ligjit. Ligji në këtë rast është Kodi Zgjedhor, rregullohet Kodi Zgjedhor sistemohen listat dhe mjetet e identifikimit, kartat dhe pasaportat biometrike. Do të merret në konsideratë edhe votimi i emigracionit shqiptar dhe këto brenda gjashtë muajve mbarojnë. Të gjitha reformat që kanë të bëjnë me sistemin zgjedhor, me zgjedhjet në përgjithësi dhe reformat e tjera, që i duhen Shqipërisë për të garantuar kërkesat për hyrjen në Bashkimin Evropian, bëhen shumë mirë me një qeveri me spektër të gjerë brenda 6 muajve.
Kryeministri Sali Berisha ka deklaruar se do të zbatohet Kushtetuta për mandatet e deputetëve të opozitës, a është e mundshme nga ana kushtetuese që të digjen mandatet?
Nuk ka nen kushtetues që djeg mandatet. Ka nen kushtetues, i cili merr përsipër mandatet që e kanë bërë betimin. Kushtetuta ka mangësi dhe nuk e parashikon, e lë të lirë dhe nuk të detyron për marrjen e mandatit. Marrja e mandatit, sipas kësaj Kushtetute, nuk ka afat, për sa i përket betimit. Kushtetuta mban qëndrim, pasi ka bërë betimin jo para betimit të deputetëve. Marrja e mandatit para betimit ose që nga zgjedhja që nga konfirmimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve e deri në bërjen e betimit, Kushtetuta nuk ka afat. Fakti që nuk ka afat, Berisha nuk dot bën asgjë. Të gjitha i ka gënjeshtra, si të gjitha gënjeshtrat që flet. Ai nuk do të kuptojë kurrë se ç’është ligji dhe ç’është Kushtetuta për dy arsye: e para, se nuk ka strukturë mendore për të kuptuar ligjin dhe, e dyta, nuk e dëshiron ligjin, sepse ai vjen nga një gen punist.