21 Janari, Blushi: Grusht Shteti? A merret pushteti me gurë?

0
23

Politikë, 22 Janar 2013

TIRANE – Deputeti i Partisë Socialiste, Ben Blushi i ka cilësuar deklaratat nacionaliste të kryeministrit Berisha thjesht propagandë elektorale prej të cilave nuk do të vijë asgjë konkrete.

I ftuar në emisionin “5 Pyetjet nga Babaramo” në televizionin A1Report me moderator Ilir Babaramon, Blushi deklaroi se “Kryeministri është në një boshllëk elektoral dhe për të devijuar temat e ditës, varfërinë, devijon temat për të shkuar tek nacionalizmi.”

Sipas tij, këto deklarata janë tranzit, pasi do të përfundojnë me ardhjen e fushatës. “Do konkurojmë në zgjedhje për të ndryshuar cilësinë e jetës në Shqipëri”, tha deputeti socialist.

Edhe për pasaporta shqiptare për të gjithë shqiptarët në çdo trevë, Blushi tha se nuk ka asnjë projekt. Deputeti socialist tha se Berisha nuk e mbajti fjalën në fillim të dhjetori tha se do e sjell për një javë në parlament. “S’ka sjellë asgjë dhe s’ka për të sjellë”, theksoi deputeti i PS, Ben Blushi.

I pyetur nga gazetari Babaramo për idenë e bashkimit kombëtar, të shprehur nga Kryeministri Berisha, Blushi tha se “nuk ka shqiptar që është kundër projektit të bashkimit kombëtar”, por vijoi ai, duhet gjetur koha e duhur.

Ai fajësoi shefin e qeverisë për gjendjen e varfëruar të Shqipërisë dhe ndryshe nga Berisha i cili bën fajtor opozitën për statusin e munguar të BE, deputeti socialist tha se “kryeministri është përgjegjës për reformat për vonesat në kuadrin e integrimit, për një vend i cili do duhej të ishte shumë më i zhvilluar se kaq”.

Në fokus të intervistës u vendosën edhe zhvillimet e fundit në Luginën e Preshevës mes shqiptarëve atje dhe serbëve. Deputeti socialist i komentoi veprimet e qeverisë serbe (më të fundit heqjen e lapidarit të UÇPMB-së), me faktin që Serbia po e humb Kosovën. “Serbia është në tavën të mesme finale të bisedimeve, dhe në këtë kontekst të humbjes së pakthyeshme të Kosovës, Kryeministri kërkon të gjejë terren për të ngopur orekset nacionale që e kanë sjellë në pushtet. Serbia nuk ka mundësi të rrezikojë paqen dhe stabilitetin në rajon”, theksoi Blushi.

Sot Komisioni i Jashtëm mori në shqyrtim Rezolutën Çame të propozuar nga PDIU. Pyetjes se si do të ishte vota e tij kur projekt-rezoluta të kalojë në Parlament, duke shmangur vendimin e Grupit, Blushi u përgjigj se personalisht do të votonte pro. “Në parim nuk jam kundër asnjë rezolute që nuk cenon raportin me fqinjët…personalisht do isha dakord, jam dakord që ligji i luftës të hiqet, është një ndër pikat e rezolutës”, deklaroi deputeti socialist.

Megjithatë, Blushi theksoi se nuk do të donte që kjo rezolutë të fshihte pas qëllime elektorale. Ai tha se shpreson që PDIU të mos ketë menduar të bashkohet në koalicion me atë që voton pro Rezolutës. Nuk do doja të ndodhte që kjo Rezolutë të vinte në pozitë palët. Shpresoj të mos jetë qëllimi, për të vënë në pozitë dy palët, se më kë do bashkohet në koalicion se kush e voton e kush jo”, u shpreh deputeti i Partisë Socialiste.

21 Janari, dita kur 2 vjet më parë Partia Sociliste zhvilloi protesta përgjatë të cilave humbën jetën 4 protestues para Kryeministrisë zuri vend të veçantë në intervistë. I pyetur nga gazetari Ilir Babaramo për deklaratën e djeshme të Kryeministrit Berisha i cili e cilësoi grusht aventurierësh kundër Shtetit, duke ironizuar shprehjen e shefit të ekzekutivit, Blushi tha se do të ishte çmenduri të mendohej se Grushti i Shtetit mund të vijë me gurë.

“S’ka Grusht Shteti me gurë, ishte e vetmja armë që u përdor atë ditë nga protestuesit dhe në kushte vetëmbrojtjeje në disa raste…që të merrej shteti shqiptar me gurë kjo është çmenduri”, theksoi deputeti socialist.

Megjithatë, Blushi deklaroi se protesta e 21 Janarit kishte mundësi për tu menaxhuar më mirë. “Por bëjmë krahasim me vrasësit dhe viktimave, opozita ishte viktima”, vijoi ai.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)