Majko: Përse qeveria nuk reagon në mënyrë zyrtare ndaj Serbisë dhe ta çojë çështjen në OKB?

0
21

TemA Online, 22 Janar 2013

Tre ditë nga heqja e përmendores së luftëtarëve shqiptarë në Preshevë, deputeti socialist Pandeli Majko, ka reaguar në lidhje me mefshtësinë e reagimit zyrtar të qeverisë shqiptare. Majko ka thënë se duhej thirrur ambasadori serb në Tiranë, ndërsa çështja duhet të çohet në OKB.

“E gjithë politika shqiptare reagoi për shkatërrimin e lapidarit të dëshmorëve në Preshevë… Edhe në Facebook! Ironike, por e vërtetë! Ajo çfarë po mbetet pas kësaj ngjarje të rëndë janë pyetjet dhe çuditë…

A u thirr ambasadori serb në Tiranë në Ministrinë e Jashtme për këtë çështje? A do të bëhet protestë zyrtare ndaj nga shteti shqiptar ndaj veprimeve të Beogradit? A do të kërkojë konsultime Shqipëria me mekanizmat e NATO-s ndaj një situate që prek stabilitetin rajonal? Ambasadori i Shqipërisë në OKB, do të bëjë deklaratë zyrtare për këtë situatë represive ndaj shqiptarëve në shtetin e Serbisë?”, tha Majko.

Ai është ndaluar edhe tek deklarata e Berishës për rishikimin e marrëdhënieve me Serbinë.

“Do e “mbyllim” këtë situatë kaq të rëndë me një deklarim për “rishikimin” e marrëdhënieve me Serbinë(!) Çfarë do të rishohim?! Mbase… që në panairin e ardhshëm të librit shqiptar të mos ftohen qoftexhinj serbë në hyrjen e tij, që të na ushqejnë me mish dhe tym…

Çudia më e madhe zgjat 3 ditë. Sot është dita e tretë! Atë që se bën politika sot, do e bëjë radikalizmi nesër”, është shprehur deputeti socialist.