Pafuqia për t’u përballur me krimin

0
70

Nga Mero Baze, 21 Janar 2013

Nëse ka një shenjë që të çon tek gjurmët e vrasësit në një krim, shikoni se kush nuk ka fuqi dhe kurajë të përballet me pasojat e krimit dhe skenën e tij. Sali Berisha dhe Lulëzim Basha u sollën sot si dy vrasës të vërtetë në skenën e krimit. Ndërsa familjarët e viktimave dhe fëmijët e mbetur jetimë prej tyre, po shëtisnin në bulevard me lule në duar dhe më pas u drejtuan për në një sallë kinemaje për të vazhduar homazhet, Berisha dhe Basha bënë gjestin mizor të ndalimit të kamerave dhe energjisë elektrike për të fiksuar këtë ceremoni. Në pamje të parë gjesti është aq banal dhe vulgar sa të duket e pabesueshme që vetë dy autorët e vrasjeve të 21 Janarit ta merrnin atë përsipër. Por në të vërtetë ata e morën. Policia e Rendit e Sali Berishës dhe Policia Bashkiake e Lulëzim Bashës, u angazhuan fizikisht për të penguar gazetarët të kryenin detyrën e tyre.

Mesazhi i këtij akti është më i rëndë se pasojat reale të tij. Pasoja është mostransmetimi live i ceremonisë, por kjo korrigjohet pasi pak më vonë gjithë televizionet që dëshironin ta transmetonin, i kishin pamjet. Ndaj më shumë se sa pasojat, është i rëndë akti i dy të akuzuarve për vrasje.

Është i rëndë së pari pasi për shkak të angazhimit të tyre për t’iu shmangur drejtësisë, ata vazhdojnë të sillen si persona në kërkim në raport me këtë ngjarje. Dhe meqë ngjarja iu rikthye në bulevard, ata të vetmen mundësi që shikonin të mos përballeshin me të, ishte të ndalnin transmetimet live. Nuk besoj se kanë pasur merak se e shikonin mbesat e Berishës dhe vajzat e Lulëzim Bashës dhe tronditeshin, pasi ato mund ta shikonin dhe pasdite. Thjesht këta dy burracakë nuk përballen dot me krimin e tyre.

E dyta, që është edhe më e rëndë, ka të bëjë me vazhdimin e përpjekjes së tyre për ta kriminalizuar 21 Janarin. Berisha dhe Basha po përpiqen të ngulin në memorien e shoqërisë si gjest pozitiv faktin që kanë vrarë dhe si gjest negativ faktin që opozita ka protestuar. Edhe pse është përpjekje e dështuar, ky është një qëndrim shumë regresiv, pasi tenton t’i japë të drejtë vrasjeve politike në vend dhe t’i institucionalizojë ato si një e drejtë e pushtetit. Biles aq shumë e tradhtoi Sali Berishën inkoshienca e tij në këtë rast, sa i vlerësoi ato si ngjarja më e rëndë në këtë vend që nga viti 1924. Pra, Berisha fshiu gjithë periudhën e regjimit komunist dhe persekutimet dhe pushkatimet politike të Enver Hoxhës, duke i quajtur të drejta, vetëm që të justifikonte katër vrasjet e tij.

Në të vërtetë më 1924 ndodhi vetëm një vrasje politike, u vra Avni Rustemi dhe vrasësi e pagoi duke ia mbathur nga sytë këmbët dhe duke u rikthyer me bajoneta ruse dhe serbe në Tiranë. Sali Berisha duket se i trembet më shumë këtij skenari se sa historisë së vrasjeve dhe pushkatimeve politike të komunizmit dhe e tradhtoi veten duke iu referuar 21 Janarit si një 24 Qershor i vitit 1924.

Ky tentim për të justifikuar vrasjet politike dhe për të ndarë shoqërinë pro dhe kundër tyre, është shërbimi më kriminal që këta dy vrasës po i bëjnë historisë së Shqipërisë. Kjo tregon jo vetëm që kanë vrarë me vetëdije, por që duan që këtë vetëdije ta institucionalizojnë si e drejtë e çdo sunduesi për të vrarë për arsye politike në këtë vend. Kjo shpjegon qartë edhe faktin se Sali Berisha bëri kokë turku Azem Hajdarin më 12 shtator të 1998.

Mesazhi i tretë i rëndë i këtij gjesti burracak të dy të akuzuarve për vrasje është elektoral dhe tenton t’u tregojë mbështetësve të tyre se nuk do të lejojnë që opozita të përdorë politikisht 21 Janarin. Ata tentojnë të sillen si njerëzi që kanë në dorë liritë politike të opozitës dhe që diktojnë fuqinë e saj në shesh, në parlament apo media. Është një përpjekje rrugaçërore për t’u prishur viktimave dhe qetësinë në varr, dhe për t’u dhënë zemër fëmijëve të tyre, mbesave dhe nipave, gardistëve dhe banditëve, se ata nuk do të kenë asnjë pasojë nga ky krim i pandëshkuar, derisa të jenë në pushtet.

Por si çdo kriminel që kthehet plot makthe në vendngjarje, edhe Sali Berisha me Lulëzim Bashën ishin dje në një ditë të keqe, pasi kishin përballë tyre opozitën dhe familjarët e viktimave, institucionet perëndimore që kërkonin drejtësi, dhe sidomos qirinjtë e ndezur para Kryeministrisë, që duket se numërojnë të dremitur ditët e pushtetit. Sali Berisha e di se kështu si e ka katandisur drejtësinë, pas ndërrimit të pushtetit të njëjtët gjyqtarë që i janë servilosur mund ta dënojnë dhe për kafe, si Agim Bendo Nexhmijen, e jo më për 3 milionëshet e Argitës apo të vrarët e tij dhe të birit në Gërdec. Ndaj ai përpiqet të shpallë triumfin mbi të vdekurit për të trembur të gjallët. Por duket se i tremburi më i madh është ai vetë.