Nga Ardian Ndreca, 19 Janar 2013
Edhe debati i sotëm rreth historisë, diku i natyrshëm e diku i shtymë prej politikës, ushqehet prej faktit se kemi pak dokumente historike e shumëinterpretime subjektive. Kemi pak dëshmi kuptimplote për faza të randësishme të historisë sonë, pak dorëshkrime, pak libra, pak mbishkrime, pak mbetje arkeologjike, pak afreske, pak ikona, pak piktura, pak monumente, pak dëshmi epigrafike, pak (o aspak) dëshmi të lashta muzikore, kemi nji kronologji historike relativisht të vorfën, kemi pak regjistrime zanore e filmike, pak mbetje arkitekturore kuptimplote, pak sfragistikë (vula), pak numizmatikë… Por ne kemi edhe pak ose aspak vorreza monumentale. Ato që kemi anekand janë tepër të reja, tepër të shëmtueme e anonime e s’dëshmojnë asgja.
E ka nji arsye pse kemi kaq pak të dhana për të kaluemen tonë, në krahasim me popujt e qytetnuem.
Ne kemi mbrenda vetes nji gen shkatrrimtar që çon natën do cuba katila me shkatrrue, jo me vjedhë, afreske të Onufrit, nji gen shkatrrimtar që shtyn nji palo ministër të Republikës me u “shfajësue” si të ishte vëlla qumështit me përfaqsuesit e talebanëve që në vitin 2001, kur bota u kërkoi llogari për shkatrrimin e dy statujave të Budës në Bamijan, çuen supet tue diftue se për ta ishte e huej çdo gja e bukur dhe e vlertë që ka krijue njerzimi.
* * *
Udhëtari e antikuari i famshëm mesjetar Ciriaco d’Ancona (1391-1452) në shtegtimin e tij përmes Arbnisë shenjonte asokohe nji mori gjanash që nuk ekzistojnë ma. Prej Apollonisë sot ka mbetë ajo çka nuk mbrritën me shkatrrue osmanët e çka s’dogjën me ba gëlqere për me ndërtue sarajet e tyne të pakuptimta Vrionasit.
Ndaj monumenteve mesjetare, sidomos atyne kishtare, regjimi komunist u tregue i pashpírt; në maj të vitit 1969 u hodh në erë me dinamit nji prej kishave ma të randësishme mesjetare, ajo e Shën Mërisë në Va Dejës, ku simbas traditës mendohet se asht martue Gjergj Kastrioti. Komunizmi desht me ndërtue nji histori tue nisë prej vetvetes e i mbushi muzeumet me plugje, samarë, opinga, me pushkë e hekuraça të marruna ndër kovaçë e teneqexhi që ndërkohë ishin ba ministra shtetit.
Nji fat jo ma të mirë se kisha e Shën Mërisë në Va Dejës ka sot edhe abacia e Shirgjit, së cilës regjimi komunist para do dekadash i solli rrjedhën e Bunës, gjoja me nxjerrë do toka buket në krahun e djathtë të lumit, ndërkaq politika e sotme i ka shti veshët në lesh tue e lanë me u shkatrrue krejtsisht prej përmbytjeve dhe erozionit at’ monument të Mesjetës sonë.
Para do vitesh tue vizitue kishat e hijshme ortodokse të Voskopojës sodisja me trishtim dhunën barbare që i asht ba atyne afreske, sytë e nxjerrun të shenjtënve, emnat dhe datat e gërdhishtuna mbi cipëzën skofiare ku dora e piktori asht bashkue me atë të Hyjnisë. Për do shqiptarë mënyra e vetme për me hy në histori asht me u ngjitë si morra mbas do veprash të mëdhaja, tue i shëmtue ato për me lanë mbrapa dëshmi të qenjës së tyne të mjerë prej frymorësh pa arsye e pa ndjenja njerzore.
Janë me qindra rastet që tregojnë sesi trashigimia jonë kulturore, prej jugut në veri, asht shkatrrue sistematikisht në këto dy dekada anarkije politike e shpirtnore.
* * *
Simbas legjendës në prill të vitit 1467 shembelltyra e Zojës së Shkodrës iku prej kishës së saj në breg të Bunës, në hymje të qytetit, dhe mrekullisht shkoi në qytezën e Gjenacanit, afër Rome, ku nderohet edhe sot. Prania e dy familjeve shkodraneve për disa shekuj në at’ vend, siç dëshmojnë regjistrat e kadastrës, spjegon mënyrën e “ikjes” së Zojës së Shkodrës prej vendit të vet.
Mbas gadi nji viti do të vdiste Kryetrimi i Krujës e kobi osman do të pllakoste gjithkah, prandaj mënyra e vetme me shpëtue për atë shembelltyrë të Marisë ishte me ikë. Ashtu bane edhe shembëlltyrat e gjalla, arbnorët, të cilët lanë trojet e tyne në dekadat në vijim. Madje ata morën me vete kumbonat, ikonat dhe statujat e shenjtënve para të cilave ishin lutë gjyshat e tyne shekuj me rradhë.
Arbnisë po i afrohej nji zymtí barbare që do ta izolonte, e edhe sot po ajo frymë përpiqet me na izolue, prej qytetnimit europian. Në qoftë se duem me pa sadopak si kemi qenë e çka do të kishim qenë sot, na duhet me shkue e me u mahnitë me arbëreshët e Italisë.
* * *
Ministri kakareç i padijes deklaroi se s’e jep dorëheqjen, pse s’ka çka me i ba monumenteve të kulturës, mbasi ai s’mund t’i ruejnë me pushkë për faqe. Edhe nji gaç me pasë qenë ulë në kolltukun e ministrit nuk do të kishte dijtë me folë ma bukur!
Ai dhe qeveria e tij nuk mbërrijnë me ua sigurue shqiptarëve jetën dhe pasuninë, nderin e prestigjin nëpër botë, prandaj nuk pretendojmë prej tij që t’i shpëtojë ato kryevepra artit që edhe mizoria e anmiqve tanë ka kursye ndër shekuj. Tue mos i shpëtue ato vepra artit ai nuk ban tjetër veçse çon deri në fund atë që barbarët nuk mbërritën me ba ndër shekuj./MAPO