Shtëpia botuese “Saras” hedh në qarkullim librin “Historia e fshehtë e kapitalizmit italian”. Pesëdhjetë vjet të ekonomisë, financës dhe politikës të rrëfyer nga një protagonist i madh
Gjergj Erebara, 5 Dhjetor 2012
Kapitalizmi italian është konsideruar gjithmonë i veçantë në ekonomiksin e botës. Struktura e pronësisë, e ngjashme me esnafet e Mesjetës, është kritikuar shpesh, por edhe më kritikët nuk kanë arritur t’i shpëtojnë mrekullimit nga suksesi në teknologji, menaxhim e marketing të një vendi të varfër me burime natyrore dhe të pasur në arte. Studiuesit e historisë ekonomike, megjithëse kanë pasur shumë gjëra për të kritikuar nga sistemi politik e shoqëror i Italisë, e kanë pasur të pamundur të shpjegojnë se si, pas të gjitha problemeve të krijuara nga humbja e Luftës së Dytë Botërore, Italia ia doli të ngrihet në nivelin e shtatë vendeve më të industrializuara të botës, të disponojë aeroplanmbajtëse dhe njëkohësisht, të pushtojë botën me stil jetese, modë, gastronomi dhe futboll.
Shtëpia botuese “Saras” sjell në shqip një libër, i cili është më së shumti një mjet për të kuptuar prapaskenat e suksesit ekonomik italian gjatë gjysmës së dytë të shekullit të njëzetë. “Historia e fshehtë e kapitalizmit italian” vjen me përkthimin e Adrian Beshajt. Është një intervistë e gjatë e Cesare Romiti-t, një nga menaxherët që drejtoi disa nga korporatat më të rëndësishme të Italisë që nga vitet ’70 deri në ditët tona. Përmes Romiti-t, disa nga sekretet që oligarkët e Italisë këmbëngulën t’i merrnin me vete në varr, bëhen të ditura për lexuesit. Pyetja e parë dhe e pashmangshme për Romiti-n, nga gazetari Paolo Madron, lidhet me Enrico Cuccia-n.
Ky ishte bankieri milanez me origjinë siciliane, disa thonë, arbëreshe, i cili u sha nga shumë e u lavdërua nga shumë të tjerë. Ishte njeriu pas të gjitha manovrave financiare, manovra që shpëtuan “Fiatin” nga zhdukja dhe e ngritën në një fuqi botërore në disproporcion të plotë me gjendjen ekonomike dhe përmasat e Italisë, njeriu që besohet se kontrollonte të gjithë ekonominë italiane përmes pronësisë nga banka e tij të një rrjeti paketash aksionesh, shpesh vetëm 1 për qind, por të mjaftueshme për të shkaktuar imponimin e vullnetit të tij në korporata të mëdha. Cuccia thuhet se frymëzoi figurën artistike të Antonio Espinosa-s te seriali i famshëm “Oktapodi”, akuzohet si mason, por lavdërohet edhe si njeriu që bëri Italinë superfuqi. Rrjedhimisht, një libër për kapitalizmin italian të pasluftës fillon me pyetjen: “Kur e keni takuar Cuccia-n për herë të parë?
Vetë Cuccia njihet si bankieri që nuk dha kurrë në jetën e tij një intervistë për median, bëri një jetë modeste dhe vdiq pa krijuar pasuri për vete. Romiti e vijon tregimin e tij me personazhe të tjera të kapitalizmit italian, si dhe shpjegon rrjetën e shumëfishtë të lidhjeve aksionere nga financat, tek industria dhe media, një botë shpesh e padepërtueshme dhe e panjohur për publikun e gjerë, por gjithsesi shumë larg misterit që vijon të rrethojë oligarkun siciliano-arbëresh Cuccia. Romiti, i lindur më 1923, ka qenë për shumë dekada në qendër të botës financiare dhe ekonomike të Italisë së Veriut.
Informacioni i disponuar prej tij fillon nga ekonomia, pronësia në kompanitë aksionere, te marrëdhëniet politike të pasluftës, konflikti ekstrem mes së majtës dhe së djathtës që kulmoi me sulmet terroriste të ndërsjella në kohën e “Viteve të plumbit”, deri te ngritja e Berlusconi-t. Me kalimin e dekadave, ndërsa struktura ekonomike nganjëherë e ndihmonte Italinë të rritej e nganjëherë bëhej pengesë, reforma të rëndësishme u ndërmorën. “Kapitalisti është nga natyra monopolist”, thotë Romiti kur kujton se si Italia vendosi të krijojë për herë të parë Autoritetin e Konkurrencës, një institucion që ka për detyrë pikërisht të mbrojë qytetarët nga çmimet monopoliste.
Ky hap solli një lëvizje që, në emër të konkurrencës së lirë, i dha Berlusconi-t të drejtën të ketë televizione dhe solli fundin e monopolit të RAI-t në transmetimet televizive italiane. Historia thotë se Berlusconi, falë demonopolizimit, arriti të bëhet lojtari më i rëndësishëm në politikën italiane, nisur nga një aktivitet pothuajse jashtë botës së vjetër të oligarkëve të industrisë dhe financave, madje arriti të kontrollojë jetën politike si kryeministër shumëjetëgjatë në një skenë të fragmentarizuar mes partive të shumta të Italisë. Romiti mendon se Berlusconi ka arritur sukses falë prirjes së tij cezariste, dhe kjo përbën një shqetësim të madh për të si përfaqësues i familjeve të mëdha të industrisë dhe financës italiane.
Me prirje cezariste, e ka fjalën për sjelljen e Jul Cezarit, i cili nxiti masat popullore të Romës së lashtë kundër patricëve thjesht me synimin për të kapur vetë pushtetin, pasi besonte se të jesh i pari në një katund të humbur, është më mirë se sa të jesh i dyti në Romë. “Berlusconi përmban gjithnjë në vetvete konceptin se nëse është në rregull për zgjedhësit, është në rregull edhe për shtetin. Pikërisht ky ekuacion i rrezikshëm duhet çmontuar”, thotë Romiti.
Por Berlusconi me populizmin e tij, me vajza bukuroshe të kthyera në eurodeputete, ia doli të qëndrojë gjatë në pushtet, pavarësisht acarimit të gjithkujt, përfshirë gazetën “The Economist” të Londrës, që në fund doli në kopertinë me fytyrën e Berlusconi-t dhe me titullin: “Njeriu që shkërdheu një vend të tërë”. Skena ekonomike e Italisë përgjatë pesëdhjetë viteve ka qenë një betejë e vazhdueshme me shumë kthesa, hile, disfata e suksese.
Grupi i kapitalistëve të prapaskenave kaloi nëpër skandalet e njohura si “Duart e pastra” gjatë viteve ’90, ku disa prej tyre “shijuan” qoftë edhe përkohësisht, burgun, për veprimet që kishin bërë në manovrat e pafundme për pushtet dhe sukses ekonomik, manovra që fillonin nga politikëbërësit dhe përfundonin te financierët. Libri është në fakt një histori e kapitalizmit të Veriut të Italisë, botës së korporatave dhe politikës. Është ana tjetër e medaljes së historisë së Italisë, ku njëra anë është ajo e mirënjohura e mafies së Sicilisë dhe Kalabrisë.
Autori: Cesare Romiti me gazetarin Paolo Madron
Përktheu: Adrian Beshaj
Shtëpia botuese: “Saras”
Çmimi: 800 lekë