Harasani: PS i fiton zgjedhjet pa LSI-në, ja mesazhi për Blushin

0
34

“Rikthimi i LSI-së në aleancë me PS-në do të rihapte shumë plagë të vjetra në PS, të cilat sot dhembin ende. Në radhë të parë, këto plagë i ka vuajturimages elektorati socialist dhe për të respektuar këtë vuajtje, PS e Rama janë të destinuar të fitojnë në zgjedhjet e vitit 2013 edhe pa LSI-në”.

Andis Harasani dha dorëheqje nga mandati i deputetit të kësaj partie pak muaj më parë. Në një intervistë të detajuar për studimetpolitike.com, ai flet për angazhimin e tij në politike, tërheqjen e përkohshme dhe rikthimin, për zhvillimet politike brenda PS në kohë të ndryshme, duke vlerësuar si një parti më të pastër nga e shkuara komuniste në raport me PD. Harasani flet për angazhimin e tij në PS në kohë të ndryshme, kur kjo parti drejtohej nga Fatos Nano dhe më pas nga Edi Rama, marrëdhëniet e tij me secilin dhe vlerësimin për dy liderët.

Z. Harasani, prej pak muajsh jeni larguar nga PS duke lënë mandatin e deputetit. Ju u shprehët se kishit angazhime personale, a keni diçka për të shtuar lidhur me arsyet?

U bënë disa muaj që kreva një akt të tillë dhe kam përshtypjen se e kam shpjeguar mëse njëherë motivin se pse e kreva. Besoj se një gjë e tillë tashmë ka dalë nga vëmendja e publikut dhe interesi apo kureshtja e tij. Është një histori e mbyllur. E vetmja gjë që do të doja të thosha për këtë temë ka të bëjë me bindjen e sotme që dje kam vepruar mirë dhe drejt. Për më shumë, do të shtoja se lënia e mandatit nuk do të thotë dorëheqje nga politika. Kjo zeje e vjetër e njerëzimit, politikëbërja nuk është si prania në një sallë koncerti për t’i shijuar apo mospëlqyer muzikën.

Sot ka shumë më tepër mundësi të jesh i pranishëm edhe aty ku ndodhesh fizikisht. Distanca që kam krijuar nga Tirana tani që jetoj në ShBA, ndoshta jo çuditërisht më ka bërë që shumëçka ta shoh më qartë. Madje, edhe njerëzit, të njohurit e mi të shumtë në Tiranë me ngjajnë më të mirë. Ndoshta kjo është teknologjia e pashpjegueshme e mallit, ndoshta ashtu kanë qenë në të vërtetë, por pamja e tyre sfumohej nga “smogu” i përditshmërisë, ndoshta tani që jam larg, edhe unë u dukem më i mirë shumëkujt që nuk më duronte më parë.

Të kthehemi sërish tek angazhimi juaj në politikë. Ju i përkisni asaj kategorie rekrutimesh në PS, në kohën kur kryetari Fatos Nano përplasej papushim me grupin e Ilir Metës. Ju mbajtët gjithnjë kahun e tij në PS. Sot pas kaq vitesh, mendoni se keni gabuar? A e meritoi Nano përkrahjen tuaj, por edhe të disa deputetëve të tjerë socialistë apo edhe zyrtarë të tjerë të kësaj partie?

Po të ripërsëritej ajo kohë, do të bëja ekzaktësisht të njëjtën gjë. Kam bërë atëherë atë që kam menduar se ishte më e drejtë, pa u nisur të mendoja se veprimet e mia ishin në interes të njërit apo të tjetrit.

Më 2005-ën erdhi Edi Rama në krye të PS, nisi të bëjë ndryshime thelbësore, si i përjetuat ju këto lëvizje dhe si i vlerësoni sot ato?

Marrëdhënia ime me Edi Ramën ka qenë si një monedhë me dy anë; ka qenë politike dhe miqësore. Në asnjë rast, kam përshtypjen se të njëjtën gjë mund ta thotë edhe Rama, ato nuk kanë ndërhyrë te njëra-tjetra dhe nuk kanë ndikuar njëra-tjetrën. Shumë nga veprimet e mia në politikë do t’i bëja sërish në të njëjtën mënyrë edhe nëse Rama nuk do të ishte miku im. Jua përsëris, kam vepruar gjithmonë sipas bindjeve të mia edhe kur jam grindur politikisht me të, gjithmonë duke tentuar të ruaj thelbin e miqësisë. Rama më ka mbështetur politikisht dhe i jam mirënjohës. Nuk e kisha menduar ndonjëherë se do të isha anëtar kryesie i PS-së dhe sekretar për programin.

Në gjenezë të kësaj karriere partiake ishte, besoj, bindja e Ramës se mund të isha i dobishëm në këto detyra dhe jo miqësia e përbashkët. Megjithatë, Rama ishte një votë e rëndësishme në zgjedhjen time në këto forume, do të ishte e padrejtë të mos falënderoja gjithë ata që më votuan për këto detyra. Shpesh kam gabuar, shpesh ka gabuar dhe kryetari i PS-së në përditshmërinë tonë të përbashkët politike. E rëndësishme është se kemi ditur të mësojmë nga gabimet dhe unë jam i bindur se PS sot është e gatshme të përballet me pushtetin, të marrë pushtetin dhe t’i sjellë Shqipërisë Rilindjen e saj mbas kësaj lëngate që i ka sjellë keqqeverisja e PD-së.

Angazhimi juaj në lëvizjen për mendimin ndryshe në PS ishte një periudhë intensive por e shkurtër. Cilat janë arsyet që ju u tërhoqët nga ai aksion politik? Ju la në “baltë” Nano, apo “u lodh” Ben Blushi?

LMN nuk ishte një lëvizje personale për qëllime dhe përfitime personale. Ajo arriti të realizojë objektivin e saj themelor dhe besoj se me Malajn, Islamin dhe në një pjesë kohe edhe me Bellon, besoj se kemi bërë gjënë e duhur. LMN ishte një projekt i guximshëm, vetësakrifikues dhe emancipues për politikën shpesh kuadratike shqiptare. Sa për Nanon nuk ka asnjë arsye të mendohet se na la në baltë, sepse ai nuk ka qenë kurrë pjesë e kësaj lëvizjeje. Kurse për Blushin kam vetëm një koment: çdokush është vetë përgjegjës për vendimet që merr dhe përfitimet apo humbjet për shkak të tyre.

Në se do të duhej të bëje një analizë, cilat do të ishin anët pozitive dhe negative të drejtimit të PS nga Fatos Nano dhe nga Edi Rama?

Është një analizë që do të duhej të nisej që nga personaliteti i ndryshëm i të dyve. Nano është tipiku i politikanit liberal, një menaxher që merret e fokusohet me strategjinë e lëvizjeve në përgjithësi, duke lënë pas dore detajet, kurse Rama është natyrë shumë më e kontrolluar dhe që shpenzon shumë kohë në mikromenaxhim.

Pyetja e radhës ka të bëjë me të ardhmen e afërt, atë të zgjedhjeve të 23 qershorit. A do të jeni ju pjesë e listës së kandidatëve për deputet të PS, apo të ndonjë partie tjetër?

Jo, nuk do të jem pjesë e asnjë liste. Për momentin ky është një kapitull i mbyllur për mua. Po investoj te vetvetja dhe ndihem mirë me jetën që bëj aktualisht.

E shihni të mundshëm një bashkëpunim mes PS dhe LSI, dhe a është sipas jush e vetmja zgjidhje që e majta të vijë në pushtet?

Në politikë nuk ka asnjë gjë të pamundur, ndaj e shoh të mundshëm një bashkëpunim mes këtyre dy partive. Por nga ana tjetër, shoh probleme morale në një koalicion të tillë të mundshëm. Rikthimi i LSI-së në aleancë me PS-në do të rihapte shumë plagë të vjetra në PS, të cilat sot dhembin ende. Në radhë të parë, këto plagë i ka vuajtur elektorati socialist dhe për të respektuar këtë vuajtje, PS e Rama janë të destinuar të fitojnë në zgjedhjet e vitit 2013 edhe pa LSI-në.

Si i parashikoni rezultatet? Sa shanse ka PS t’i fitojë këto zgjedhje, duke iu referuar edhe mënyrës sesi kjo parti po shpalos strategjinë e saj elektorale?

Jam i bindur që PS e ka të garantuar triumfin në zgjedhje. Në radhë të parë sepse historikisht në Ballkan zgjedhjet i humbet pozita dhe nuk i fiton opozita. Shikoni zgjedhjet e 2005-ës. Nuk fitoi Berisha atëherë, atëherë humbi PS-ja. Shihni çfarë ka ndodhur në Serbi e Greqi dhe do të bindeni për këtë që ju them.

Marrë nga studimetpolitike.com