PD-ja me frymë të rëndë prej buallice – shkruan Vehbiu dhe e quan linçimin e Barjabës reagim i ndyrë i një shoqërie mjeranësh

0
36

ResPublica.al, 7 janar 2013

PD-ja, me frymë të rëndë prej buallice, siç e ka zakon, ia shkatërroi personin publik këtij të ziut, duke e quajtur “xhepist ordiner” etj.; edhe pse qartazi kjo u ndërmor për të goditur PS-në… Vëreni si lufta për të ndarë krundet e pushtetit në Tiranë, e bëri një viktimë të re… Nuk ka asgjë etike në ofensivën mediatike kundër sociologut dhe veprimtarit Barjaba, as në distancimet hipokrite të institucioneve ndaj tij. Është reagim i ndyrë i një klase njerëzish shpirtërisht mjeranë, të frikësuar dhe të varfër; i një klase gjysmë-njerëzish, të cilëve s’u ka mbetur më asnjë farë humanizmi…

Një bashkëshort dhe baba, që poshtërohet përballë familjes së vet, miqve të vet, kolegëve dhe publikut të vet, mbarë opinionit publik. Që poshtërohet, përgojohet me epitetet më shkatërruese, përdoret egërsisht për të goditur PS-në, pezullohet dhe përjashtohet, shkishërohet dhe ostracizohet – duke përfunduar si cjap i larjes së mëkateve, për një shoqëri të zhytur në ves, si kjo e tanishmja në Tiranë dhe gjetiu në Shqipëri…

Rreshtat e mësipërm janë shkëputur nga një qëndrim i Ardian Vehbiut në blogun e tij Peizazhe të Fjalës. “Linçimi i tij publik s’ishte veçse një festival pagan, barbar, dionisiak; ose fytyra e ngërdheshur, gjakatare, e po atij demoni kolektiv që shqeu me thonj e dhëmbë tortën e Pavarësisë, në sheshin Skënderbej në Tiranë para një muaji. Zëri i atyre pak individëve që u distancuan, që shprehën një rezervë, një keqardhje, një empati për Barjabën u mbyt sakaq nga krrakërimat e korbave – me qindra, mijëra e dhjetëra mijëra, që kanë kolonizuar tashmë pemët e pushtetit, të shoqërisë civile dhe të mediave. Dhe kjo në kontekstin e një republike e cila ia lejon vetes të qeveriset, prej vitesh, nga një kastë pushtetarësh të cilët shumica i njeh si hajdutë (jo të dyqaneve amerikane, por të xhepave të vetë taksapaguesve); dhe jo vetëm i njeh, por edhe i admiron si të tillë – shkruan më tej Vehbiu. (A.N.)

Vehbiu i plotë:
http://xhaxhai.wordpress.com/2013/01/07/politike-kurbanesh/