Djali shqiptar shpikës

1
52

Është shpikur një koktejl ilaçesh që përgatit sistemin imunitar të trupit, për të kontrolluar virusin HIV që shkakton SIDA, edhe pasi images (2)mjekimi është ndërprerë. Ky zbulim, që për të prekurit nga kjo sëmundje është një lajm i madh, sepse për shumë prej tyre ky do të jetë fundi i skllavërisë prej ilaçeve, po bën xhiron nëpër mediat e sitet italiane (si La Repubblica, Ansa, Corriere Della Sera etj) edhe në ato botërore. E bashkë me të dhe grupin e studiuesve e hulumtuesve italianë nga Instituti i Shëndetit (ISS) po qarkullon dheemri i një djaloshi të ri shqiptar 26-vjeçar, lart Luca Shytaj. Është gjendur jo krejt rastësisht në këtë hulumtim.

Pasi është diplomuar në nivelin e dytë në Gjenetikë dhe Biologji Molekulare në Universitetin “La Sapienza” në Romë, po kryen prej një viti doktoraturën në “Istituto Superiore di Sanità”, po në Romë, si edhe në Rockville (Maryland, USA) mbi virusin HIV që shkakton sëmundjen SIDA. Këtë doktoraturë po e zhvillon nën udhëheqjen e koordinatorit të grupit shkencor mbi kurimin përfundimtar të AIDS, Andrea Savarino. Ka shkruar artikuj shkencorë (kohët e fundit edhe në revistën prestigjioze amerikane (PLOS Pathogens), e ka prezantuar këtë studim në qarqe të larta ndërkombëtare të mjekësisë.

Por, fiks si çdo natyrë tjetër shkencëtari, nuk para i pëlqen show mediatik, është zhytur qetësisht dhe modestisht në rutinën e shkencës që ka zgjedhur të hulumtojë, prej së cilës e kemi nxjerrë, duke shfrytëzuar disa njohje rastësore me të afërm të tij, për t’i marrë e për ta sjellë pikërisht prej rrëfimit të tij edhe këtu në Shqipëri atë lajm që po qarkullon nëpër gjithë botën.

Cili është roli juaj konkretisht në këtë studim të ri?

Unë po zhvilloj kërkime shkencore për doktoratën (Phd). Puna ime konsiston në ideimin e eksperimenteve, në analizën e rezultateve, në prezantimin në kongrese dhe në publikimin në artikuj të këtyre rezultateve të arritura. Tani për tani po bëjmë eksperimente mbi majmunë për të studiuar efektet e mjekimeve që kemi menduar për virusin HIV që shkakton AIDS-in. Pjesa më e madhe e punës sime zhvillohet në USA. Atje kemi majmunët për eksperimentet dhe po atje bashkëpunojmë me dy qendra private, në shtetin Maryland dhe me një universitet, Emory University, Georgia.

Prej sa kohësh po punoni? Cilët kanë qenë hapat e parë të këtij kërkimi dhe në ç’fazë jeni tani?

Kam rreth dy vjet që punoj në këtë projekt. Më parë punoja në të njëjtin Institut në Romë dhe zhvillova tezën për Laurea Specialistike me një studim në Imunologji, që u publikua në vitin 2011. Për sa i përket projektit mbi AIDS-in, rezultatet mbi majmunët janë premtues sepse mbas mjekimeve që i kemi dhënë, infeksioni është nën kontrollin e sistemit imunitar. Ky është një hap i rëndësishëm sepse mjekimet që përdoren sot për të trajtuar të sëmurët me HIV/AIDS duhen përdorur gjithë jetën, ndërsa mjekimet tona përdoren vetëm për pak muaj dhe i sëmuri bëhet mbartës i shëndoshë i virusit, pra fillon dhe jeton normalisht. Shpresojmë që në vitin 2013 të kemi mundësi ta provojmë mjekimin mbi pacientët, pasi të marrim autorizimet nga agjencitë përkatëse.

Ju jeni i ri në moshë, vetëm 26 vjeç. Në qarqet e shkencëtarëve mbizotërojnë ata të thinjurit, të kërrusurit ndër vite mbi eksperimente… Ndodh shpesh të ketë në rrethin e tyre studiues të apasionuar kaq të rinj sa jeni ju?

Në kërkimet mjekësore, ku eksperimentet janë shumë delikate dhe të kushtueshme, është shumë e rrallë të zhvillosh një projekt të madh, nëse nuk i ke mbushur akoma të 40 vjeçët. Shpeshherë në kongrese jam më i ri sesa relatorët e tjerë. Mundësitë që më janë dhënë e që po më jepen janë më shumë meritë e shefit të projektit, Dr. Andrea Savarino, që ka pasur besim në kapacitetet e një personi të ri, për të zhvilluar ide origjinale.

A jeni ndeshur me paragjykimet e këtyre shkencëtarëve kokëthinjur?

Po është e vërtetë që ka paragjykime, madje të forta mbi moshën, por asnjëherë absolute. Siç e thashë edhe përpara, Andrea nuk i kishte, ndoshta dhe sepse ai ka luftuar dhe vetë me këtë paragjykim kur ishte i ri. Nëse prezanton rezultate të mira, duke punuar seriozisht, e fiton respektin e ambientit.

A e dinë që ky shkencëtar i ri është një djalosh shqiptar?

Fakti që jam shqiptar është i njohur, por nuk ka influencuar tek gjykimi i shkencëtarëve në Itali apo dhe në Amerikë. E kuptoj se shqiptarët në rrethana të caktuara ndeshen me paragjykime, por ambientet shkencore më duken të çliruara nga këto probleme.

Sa kohë keni që jeni larguar nga Shqipëria? Pse iket dhe si?

Ika me familjen në 1992-in, kur isha shumë i vogël, 6 vjeç. Prindërit ishin profesorë në Universitetin e Tiranës (babai Matematikë, mamaja Ekonomi). Ata e lanë Shqipërinë për emigracion ekonomik të autorizuar prej Ministrisë Shqiptare të Punës, Departamentit dhe Emigracionit, mbasi ishin të dy pa punë. Qëndruam më gjatë se koha e parashikuar, sepse ime më fitoi një konkurs në një shkollë specializimi 2-vjeçare në Universitetin e Barit, në fushën “Diritto ed economia delle CEE”.

A ktheheni shpesh, apo punët shkencore nuk ju lënë kohë për Tiranën?

Kam shumë vite që nuk kthehem në Shqipëri, që nga viti 2005. Më mungon shumë Shqipëria. Kam një gjyshe që jeton në Tiranë e do isha shumë i lumtur që ta shihja më shpesh. Kam shumë të afërm që nuk i kam parë prej shumë kohësh. Për fat të keq, puna nuk më lejon shumë kohë për pushime, po shpresoj të gjej mundësinë për të bërë një vizitë sa më shpejt. Klikimi për ju në google zbuloi dhe një tjetër pasion e angazhim tuajin nëpër kampionate, edhe ndërkombëtare të shahut… Pasionin për shahun e kam që prej moshës 4-vjeçare.

Kur isha i vogël luaja shpesh me vëllain e me babain tim. Ishte në fakt një pasion i gjithë familjes. Në shah arrita rezultate të mira; u bëra Mjeshtër Ndërkombëtar dhe jam shumë krenar për titullin Kampion Kombëtar që fitova në vitin 2003. Është një nga kujtimetmë të bukura që kam. Në atë kampionat takova edhe mjeshtrin Veizaj, ish-kampion kombëtar, që më kishte dhënë leksione kur isha i vogël. Besoj se ka qenë i lumtur duke parë hapat që kisha bërë. Këto kohë nuk po luaj shumë, sepse puna më merr shumë kohë dhe energji. Megjithatë, kohët e fundit kam luajtur një turne në Los Angeles (California), ishte i parë që kam luajtur në Amerikë, një eksperiencë shumë interesante.

Ç’lidhje gjeni mes shahut dhe shkencës?

Shahu edhe shkenca kanë nevojë për gjykim racional dhe kritik. Të dyja kërkojnë shumë angazhim por në shkencë, ndryshe nga shahu, ke përgjegjësi jo më vetëm për veten por edhe për shumë persona që presin rezultate, me ankthet edhe shpresat e tyre. Siç do të presin dhe zbulimin e ri për virusin e SIDA-s.

A mendoni të vini edhe në Shqipëri ta prezantoni këtë zbulim të ri shkencor?

Po, do të kisha dëshirë të vija për t’i prezantuar rezultatet edhe në Shqipëri. Kam kontaktuar dekanin e Mjekësisë së Universitetit të Tiranës, i cili ka shprehur fjalë të mira për projektin që po zhvilloj. Nëse do të shprehin interes, sigurisht që do të jem i lumtur të vij edhe në Shqipëri për t’i prezantuar personalisht rezultatet e këtij studimi.

1 COMMENT

  1. Experimentimi nuk eshte nje “SHPIKJE”… Gaboheni ne teminologjinë. Projekte ka shumë ne bote, ne kete dejtin… qe tashme nuk jan ne fazen e eksperimentimit mbi majmunet, por ne njerzit.
    Akoma jemi shumë larg rezultateve ne nivel botëror ndaj AIDS.

    Suksese…

Comments are closed.