TemA, 2 Janar 2013
Aleanca Kuq e Zi ka reaguar pas deklaratave të nazistëve të Agimit të Artë ndaj kombit shqiptar dhe ndaj kësaj lëvizje.
“Përballë këtij sulmi të orkestruar politik e mediatik të nazistëve grekë kundër kombit shqiptar, qeveria e Berishës hesht duke demonstruar nënshtrimin servil të saj ndaj Athinës dhe nazistëve grekë.
Aleanca Kuq e Zi ka lindur për t’i dalë zot kombit shqiptar, shqiptarëve kudo në botë dhe për të mbrojtur identitetin, vlerat dhe interesat tona nga cdo forcë që i kërcënon ato. Aleanca Kuq e Zi është krenare për mbështetjen që na kanë dhënë aleatët tanë historike dhe perspektivë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Italia dhe Turqia si dhe jemi të vendosur t’i kemi aleatë strategjikë përjetë.
Aleanca Kuq e Zi i bën me dije nazistëve grekë të Agimit të Artë se kombi shqiptar është kombi më i vjetër, më i kulturuar dhe më proevropian në Ballkan dhe nuk ka asgjë të përbashkët me kombin grek të falimentuar politikisht, ekonomikisht, institucionalisht e moralisht në nivel kombëtar e ndërkombëtar. Nazistët grekë nuk mund të transferojnë dështimin e shtetit të tyre në trojet shqiptare dhe në marrëdhëniet me Shqipërinë.
Aleanca Kuqezi i bën me dije nazistëve grekë që si parti politike dhe aq më shumë nesër në qeverinë kuqezi ne do e përfshijmë në agjendën tonë politiko-diplomatike kombëtare dhe ndërkombëtare zgjidhjen e çështjes së Çamërisë si një çështje të drejtë dhe legjitime e kombit shqiptar. Turpin e këtij parlamenti që nuk po miraton rezolutëne mbi Çamërinë do ta miratojë parlamenti i ardhshëm me votat kuqezi,” tha Sekretari për Marrëdhëniet me Jashtë në AK, Lisen Bashkurti.
Ai ka paralajmëruar grekët e Agimit të Artë që të mos shkelin në Shqipëri. Bashkurti tha se më 23 qershor, nazistët e Agimit të Artë do humbasin partnerin e tyre Berisha në Shqipëri.
“Së fundi AK paralajmëron nazistët grekë të Agimit të Artë të mos tentojnë të shtrijnë metastazat naziste brenda kufijve politik të shtetit shqiptar sepse Aleanca Kuq e Zi do i bëjë të kujtojnë humbjen tragjike në Betejën e Lëkursit në fillim të shekullit të kaluar, lënien e kockave të fashistëve grekë të Metaksdasë në trojet tona gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe dështimin fatal të monarko-fashistëve grekë në Shqipërinë e Jugut në vititn 1949.
AK është për politikë të fqinjësisë së mirë në Rajon, por vetem të bazuar në marrëdhëniet e respektit të ndërsjelltë dhe në interesat reciproke. Nazistët grekë ta fiksojnë mirë në mendje se në Shqipëri do u digjet toka nën këmbë dhe se teshtima e grekëve do trembë vetëm qeverinë e shtetasit Berisha, por kurrë kombin e popullin shqiptar”.