Nga Ermelinda Meksi
Partia Socialiste po ndjek me shqetësim situatën e përmbytjeve masive dhe të zgjatura. PS u shpreh solidaritetin banorëve të zonave të prekura nga kjo fatkeqësi e pashembullt, që vazhdon të rrezikoj jetën dhe pasurinë e tyre. Ajo e gjen veten përkrah tyre si dhe gjithë atyre vullnetarëve, punonjësve të ushtrisë apo të rendit që po ndihmojnë banorët në këto ditë të vështira. Ndërkaq, duke mos shpërqendruar aspak vëmendjen nga përballimi i pasojave, opozita nuk mund të heshtë duke neglizhuar përgjegjësitë e institucioneve dhe personave përkatës.
Në këtë situatë ne mendojmë se Qeveria nuk mund të mburret nga që zyrtarët e saj të lartë mbushin vend e pavend kronikat televizive, apo se ka bërë thirrje për solidaritet njerëzor dhe financiar. Kjo është po ajo propagandë bajate si në tragjedinë shtetërore të Gërdecit, kur qeveria mburrej me veprimet postmortum.
Rasti i fatkeqësisë që solli kjo përmbytje na shtyn t’u kujtoj qeveritarëve apo dhe mbështetësve të maxhorancës qëndrimin e Presidentit Obama, i cili pas incidentit të fundit në aeroport thotë, se: “Nuk jam i interesuar t’i vë fajin dikujt, jam i interesuar të mësojmë nga gabimet dhe t’i korrigjojmë ato për të garantuar sigurinë tonë. Si president, unë kam përgjegjësinë solemne për të mbrojtur vendin dhe popullin tonë, dhe kur sistemi dështon, kjo është përgjegjësia ime.”
Ne mendojmë se përdorimi i buxhetit për të ndihmuar ata njerëz që rrezikojnë, apo që riskojnë një vit të tërë bujqësor kurrsesi nuk mund të jetë meritë e qeverisë, sepse ato janë paratë e taksapaguesve shqiptarë për të cilat qeveria duhet të bëjë transparencë.
Me këtë rast bëjmë me dije se të ardhurat buxhetore për muajt tetor-nëntor kanë rënë kundrejt një viti më parë: përkatësisht minus 1,77 dhe 4,74 miliardë lekë. Ndërsa për dhjetorin dhe krejt vitin megjithëse të dhënat operative tashmë kanë dalë ato qëllimisht nuk bëhen transparente nga qeveria sepse të dhënat shfaqin mosrealizime shumë shqetësuese. Është i njëjti model qeverisje: siç nuk hapen kutitë e zgjedhjeve, nuk bëhet transparenca e menaxhimit të digave, apo shifrave të buxhetit.
Ne kemi rezerva se nën presionin e deficitit shumë të lartë buxhetor të krijuar për vitin 2009 por të maskuar me retorikë e demagogji nga qeveria, është tentuar të rriten të ardhurat nga TVSH e energjisë elektrike të importuar, në vend të konsumit të saj nga prodhimi i hidrocentraleve të vendit, që ishin të tejngopura me ujë. Ndryshe nga sa thuhet se është OSSH si kompani private, që importon dhe jo qeveria, kjo e fundit ka rolin e vet për të kontrolluar këtë ndërmarrje me pozita monopol, kontratën e shitjes të së cilës nuk e bëri kurrë transparente me gjithë insistimin e opozitës asokohe në parlament. Që kur u rrit çmimi i energjisë elektrike, opozita i kërkoi Entit Rregullator të mos lejohej rritja e çmimit nga importet e palogjikshme, duke ofruar furnizim të energjisë nga prodhimi i vendit, me qëllim që të ruhej edhe niveli i çmimit për konsumatorët.
Ne denoncojmë faktin se për këto çështje mungoi dhe mungon ende transparenca: se sa dhe me çfarë çmimi prodhohet në vend dhe sa energji importohet për konsumatorët? Ne bëjmë përgjegjëse qeverinë që për të rritur të ardhurat spekulative në buxhet jo vetëm nuk deshi t’ia dijë për barrën e rritjes së çmimit të energjisë te popullata, por tejkaloi kujdesin për ujin në liqenet e hidrocentraleve duke përmbytur në ujë veriun e vendit.
PS kërkon si domosdoshmëri në këto rrethana që Ministri i Ekonomisë dhe ai i Financave të informojnë publikun se sa kanë qenë të ardhurat e TVSH nga importi i energjisë elektrike për muajt Tetor, Nëntor, Dhjetor për vitet 2008 dhe 2009, si dhe sa janë të ardhurat nga eksporti i saj. Kështu do dalë në pah edhe sa reale ishte rritja e çmimit të energjisë në kushtet e prodhimit të bollshëm vendas në një vit të lagësht si ky.
Nga ana tjetër PS i bën me dije opinionit publik se pak ditë para se të përmbytej vendi qeveria, nëpërmjet një akti normativ u detyrua të pranojë zyrtarisht, megjithëse në heshtje deri tani që po flasim ne, mosrealizimin e të ardhurave të buxhetit të shtetit. Ajo kështu vulosi zyrtarisht atë situatë që opozita ia kishte parathënë muaj më parë, se kriza ishte e pranishme prej kohësh në ekonominë shqiptare. Pa u ndalur në aspektin juridik të këtij Akti Normativ, që e trajton buxhetin jo si një ligj themeltar të shtetit, por si një fletushkë që mund të ndryshohet pa lejen e parlamentit, le të sjellim disa argumente në aspektin ekonomik.
Thelbi i këtij akti jo transparent (miratuar në mbledhjen e datës 23 dhjetor dhe botuar në gazetën zyrtare të 31 dhjetorit) është rritja përsëri e deficitit buxhetor. Nga 50 miliardë lekë, sipas parashikimit në buxhetin fillestar, (apo 74,7 miliardë lekë pas rishikimeve të buxhetit në muajin tetor), deficiti kapi shifrën e 81,6 miliardë lekëve ose rreth 900 milion dollarë. Për të tretën herë qeveria detyrohet të korrigjojë drejt uljes të ardhurat e buxhetit: nga 335 miliardë që u parashikuan në buxhetin fillestar, në 326 miliardë me rishikimin e tetorit, fiksohen në 320 miliardë lekë. Si rrjedhojë, përballë nivelit tashmë të pandryshueshëm të shpenzimeve të kryera, shënohet një rekord në nivelin e deficitit. Deficiti buxhetor, si kurrë më parë,nga 4,2 për qind të PPB të programuar në fillim, tejkalon nivelin e korrigjuar të tetorit prej 6,3 për qind, për të arritur shifrën 7 për qind të PPB. Përtej deklaratave populiste, ky akt normativ ka cenuar rëndë ekuilibrat makroekonomike, për të cilët opozita prej kohësh ka apeluar për maturi. Në këto nivele, deficiti i rritur në këto përmasa mund të konsiderohet një përmbytje financiare e ekonomisë kombëtare. Gjithnjë, duke marrë të mirëqenë nivelin e PPB që deklaron qeveria, pasi me shifrat reale ky deficit mund te rritet me tej.
Për ne është përsëri shqetësues fakti që Qeveria ka programuar sipas këtij akti normativ një shifër të parealizueshme të ardhurash prej 320 miliardë. Kur të ardhurat e 11 mujorit u realizuan vetëm 268 miliardë lekë. Pra, si mundet që të realizohen në muajin dhjetor 52 miliardë lekë, kur mesatarisht në 11 muaj janë realizuar 24 miliardë lekë në muaj apo kur në vitin e kaluar, vit me rritje më e lartë e të ardhurave, të ardhurat e buxhetit për muajin Dhjetor (2008) ishin rreth 29 miliardë lekë ose gati dy herë më pak, sepse mosrealizimi do shoqëroj edhe këtë vendim të tretë të qeverisë për buxhetin.
Kjo situatë nuk mund të quhet më paaftësi parashikuese e qeverisë por fshehje e qëllimshme e realitetit me pasoja të rrezikshme, që duhet demaskuar fort jo vetëm nga opozita por gjithë media dhe shoqëria shqiptare. Prandaj është momenti të ritheksojmë rëndësinë e propozimit të PS në rezolutën e saj të aprovuar në mbledhjen e asamblesë së 16 dhjetorit, për nevojën urgjente të rishikimit të buxhetit të 2010 në mënyrë që vendi mos shkasë në katastrofën e pakthyeshme të borxheve që vijnë nga shpenzimet e papërballueshme në kushtet kur vendi po ballafaqohet me këtë nivel të ardhurash që po ulet vazhdimisht.
Cenimi i rëndë i ekuilibrave makroekonomikë, të stabilizuar jo pa sakrificë në këto vite pas 1997, dëshmojnë për një politike të papërgjegjshme të kësaj qeverie. Maqedonia fqinje duke konsideruar këshillat e FMN për 2009, korrigjoi buxhetin në mes të vitit për të ulur shpenzimet, duke arritur një deficit 2,8 për qind. Krejt e kundërta ndodh në Shqipëri ku nuk u dëgjua as FMN, as opozita. Si rezultat i shpenzimeve marramendëse elektorale, shqiptarët paguan për vitin 2009 një deficit rreth 3 herë më të lartë, me pasoja të rënda për të ardhmen. Pasojë e kësaj situate shqetësuese janë edhe zhvlerësimi i lekut, rritja e çmimeve, tkurrja e shpërblimeve të fundvitit, etj. Informacione të tjera sjellin në vëmendje se shumë investitorë akoma nuk janë paguar për investimet publike, apo se ende nuk kanë marrë shpërblimet një numër i madh mësuesish e të tjerë.
Kosto të tjera suplementare do të shtohen nga dëmet e përmbytjes, për të cilat në një shtet ligjor duhet të përgjigjen shkaktarët dhe jo Zoti. Sepse veriun nuk e përmbyti Zoti, por dora e njeriut në keqqeverisjen e këtij vendi.
Duke shprehur edhe një herë solidaritet me të dëmtuarit nga përmbytja, PS duke konsideruar sot prioritet stabilizimin e situatës në veri dhe veçanërisht shpëtimin e jetës së njerëzve atje deklaron në këtë konferencë shtypi se do bëjmë detyrën tonë si opozitë serioze duke kërkuar deri në fund shkaktarët dhe përgjegjësinë nga qeveria.
Me këtë rast kërkojmë ndryshimin e reagimit të maxhorancës ndaj kritikave të përsëritura të opozitës që kanë rezultuar serioze dhe të drejta, të cilat realiteti po i vërteton çdo ditë dhe të heqë dorë nga anatemimi i saj, sepse drejtimi i vendit kërkon përgjegjësi.