Fëmijët e babait

0
56

Nga Mero Baze, 24 Dhjetor 2012

Lexova përgjigjen e tre pasardhësve të Berishës. Është vërtet e sikletshme të jesh fëmijë i një prindi që ndan shoqërinë në njerëz që e urrejnë dhe e duan, por më e sikletshme qenka të jesh prind i këtyre fëmijëve. Për të zbutur profilin e egër të babait të tyre dhe urrejtjen që ka nxitur vrasja dhe vjedhja me të cilën ai sundon, fëmijët e tij do të duhet të ishin së paku të padukshëm në publik, ose me një profil të ulët. Mund të tentonin të bënin indiferentin për kundërshtarët e të atit, mund të bënin përpjekje të njiheshin në shoqëri jo si gjobëvënës apo haraçembledhës të pushtetit, por si njerëz që kanë biznesin e tyre, me të cilin nuk ka punë askush. Fëmijët e kryeministrave të tjerë e kanë bërë këtë.

Djali i Fatos Nanos ndoshta fiton më shumë para se Shkëlzeni, por të gjithë e dimë si i fiton e ku punon. Biznesi i tij është ndër më të suksesshmit në Tiranë. Por atë nuk e njeh njeri si djalë i Fatos Nanos. Nuk e kanë njohur për të tillë as kur babai ishte kryeministër, edhe pse ky i fundit i kishte qejf paret po aq sa Berisha. Edhe djali i Aleksandër Meksit ka biznes, por të gjithë që e njohin janë në gjendje të thonë çfarë bën. Është profesionist në një punë të tij në fushën e teknologjisë së informacionit. Mbi të gjitha nëse u bie të akuzojnë prindërit, ata nuk sillen si fëmijët e Sali Berishës.

Këta të fundit, jo vetëm që janë të pajustifikueshëm në fitimet e tyre përrallore, por janë të pajustifikueshëm dhe në raportin që duan të vendosin me shoqërinë, duke e fyer atë me mospërgjigjen e qartë ndaj akuzave për burimet financiare. Tani meqë kanë marrë kontrollin mbi gjykatat dhe drejtësinë në tërësi, të tregojnë derën e gjyqit, atë derë që i ati i tyre e ka refuzuar gjithë jetën jo vetëm kur ka vjedhur, por dhe kur ka vrarë, që nga vrasjet para selisë së partisë, deri tek ato para selisë së kryeministrisë. Por mbi të gjitha ata fyejnë këtë shoqëri duke u shfaqur para saj jo si fëmijë të kryeministrit, por kundërshtarë të Edi Ramës. Lexoni përgjigjen e tyre. Një letër e zhgarravitur me mllef, injorancë dhe egërsi, më keq se babai i tyre.

Unë e kuptoj se ata si fëmijë të pasuruar në mënyrë të paligjshme kanë nevojë të japin një shpjegim për publikun. Mund ta japin atë të qetë, me shifra, duke shpjeguar se nga 3 milion lek që fitojnë në ditë, kaq i fitojnë këtu, kaq këtu dhe mbyllin llogarinë. Ata jo vetëm që nuk e kanë bërë këtë, jo vetëm që nuk kanë treguar në asnjë rresht se ku i kanë fituar paratë, por gjysmën e deklaratës e kanë tërësisht vulgare duke sulmuar liderin e opozitës, kundërshtarin e babait të tyre. Gjuha që kanë përdorur, varfëria e saj, urrejtja në çdo fjalë, vulgariteti i të shprehurit, padija për të dhënë argumente, shpifja duke iu referuar burimeve anonime dhe publike njëkohësisht, që nuk janë gjë tjetër veçse deklarata të babait tyre, e rreshton deklaratën e tyre në të njëjtin standard me deklaratë e Bogdanit apo zëdhënëseve të tjera të gjinisë femërore, që Berisha nxjerr në podiume për të lexuar tmerre të tilla vulgare.

Është e qartë që ashtu si Erlës, Gertit, dhe çupëlinave të tjera, edhe fëmijëve të vet ua ka shkruar deklaratën Berisha. Por nëse Gerti, Erla apo të tjerët kanë “një m… për të ngrënë” që të ecin përpara, fëmijët e këtij ç’m… duan që duhet të merren patjetër me gjykime politike vulgare në një deklaratë ku u kërkohet thjesht të sqarojnë paret e tyre?

Përgjigja e kësaj pyetje tregon se fëmijët e tij nuk janë të aftë për asgjë, përveçse të trashëgojnë paret e pushtetit të babait. Edhe një copë deklaratë atyre duhet t’ua shkruajë babai, ashtu siç di t’i shkruajë ai, dhe ata të vënë firmën poshtë një paçavureje.

Ata kishin shansin dhe mund të na kishin mbushur mendjen më shumë që janë të aftë të bëjnë pare, nëse do kishin bërë ndonjë deklaratë të zgjuar dhe të ndryshme nga stili i Berishës. Mund të na kishin prishur mendjen me ndonjë sqarim të ftohtë, të zgjuar dhe jo politik, që se paku të na linin dy minuta të mendonim se në fund të fundit ata kanë jetën e tyre dhe punët e tyre. Deklarata, nga rreshti i parë tek i fundit, tregon se ata nuk kanë asgjë të tyre. Ata kanë fjalët e babit, huqet e babait, paret e babait, dhe natyrshëm dhe mëkatet e babait. Ata janë të gjithë mbi 35 vjeç, por nuk guxojnë të bëjnë një deklaratë vetë pa shtuar babai rreshtat që i shton Erlës apo Gertit në deklaratat politike.

Ata mund të dukeshin që ishin dhe të shkolluar sikur të bënin një deklaratë ku të na provonin se ishin njerëz me integritet dhe kulturë. Por ata nuk bënë asnjë përpjekje. Përpjekja e tyre e vetme ishte të na tregonin se janë fëmijët e Sali Berishës dhe do sillen si të tillë. Këtë e dinim. Biles bash për këtë ata po akuzohen se kanë vjedhur dhe nuk kanë fituar. Është ndryshim i madh. Aq të paaftë, aq të pagdhendur dhe primitivë sa duken në deklaratën e tyre, nuk mund të jenë veçse fëmijë të Sali Berishës dhe përfitues të pushtetit të tij. Dhe për këtë do gjykohen. Si fëmijët e babait.