Idea, 20 Dhjetor 2012
Shkodër – Gjykata e Apelit në Shkodër më në fund i ka dhënë fund odisesë gjyqësore duke vendosur pushimin e çështjes ndaj 53 fermerëve të Komunës Shkrel, të cilët u akuzuan për kultivimin e lëndëve narkotike.
Pas gati 12 viteve në dyert e sirtaret e Gjykatës së Apelit në Shkodër, kjo e fundit është shprehur në favor të 53 fermerëve të Shkrelit.
Gjykata ka vërtetuar se fermerët kanë kultivuar kërp industrial dhe jo kanabis sativa siç pretendohej nga organi i akuzës.
Instituti i Mjekësisë Ligjore bëri të mundur vërtetimin se lënda e kultivuar ishte kërp industrial. Për rrjedhojë, kjo ka bërë që t’i jepet fund lësaj “telenovele” gjyqësore.
Si kurrë ndonjëherë në historinë e drejtësisë shqiptare, 111 burra të një fshati u vunë të gjithë nën akuzë dhe u dënuan për të njëjtën çështje. Pas gjyqit të famshëm të Palermos kunder anëtarëve të Camorras, ky i Shkodrës ndaj banorëve të fshatit Shkrel, ishte më i madhi. Historia, e famshme tashmë, e duelit “Kërp apo Canabis” u mbyll me dënimin e të gjithë të akuzuarve në Gjykatën e Shkallës së Parë edhe pse më parë Gjykata e Lartë kishte dhënë një vendim që e detyronte policinë të dëmshpërblente fshatarët me 111 mijë dollarë për shkatërrimin e parcelave të kërpit industrial.
Koordinatori i shoqatës britanike “Partneritet për rritje” dhe Shoqatës së Fermerëve të Shkrelit, Alfred Pëllumbi, në një intervistë të dhënë në muajin mars për gazetën IDEA, tha se gjyakata ka zhvilluar një proces krejtësisht të njënashmë, me prova të dyshimta dhe krejtësisht antiligjor. Sipas tij i gjithë procesi ka si qëllim të justifikojë veprimin e policisë dhe të shpëtojë atë nga dëmshpërblimi.
/IDEA/