Një tregim i pabotuar i Andersenit

0
46

Arjan Th. Kallço

Autori i famshëm danez flet përsëri për veten. Kështu e kanë shkrimtarët e mëdhenj që gjithmonë nxjerrin nga një trill të fshehur diku në skutat e pafund të botës që të thonë se përsëri janë gjallë dhe mes njerëzve. I njëjti fat u ka buzëqeshur të gjithë atyre që me veprën e tyre jetojnë mes faqeve, disi të zverdhura të historisë së letërsisë, por që zor se perëndojnë, sado që koha të kryejë detyrën e vet të largimit drejt destinacioneve të rinj të shoqërisë.

Do të ketë edhe vendndodhje të tjera, sepse bota ka qënë dhe është në kërkim të modeleve të përkryera për ekzistencën e vet që edhe kur nuk i gjen, përpiqet të krijojë ato më të mirat, sigurisht kur zgjuarsia është rrugëtarja e parë. Natyrisht vepra e tij më e re që e sjell në kronikat e sotme dhe që mban një titull shumë simbolik që përputhet me atmosferën festive të këtij fundviti dhe me festën tradicionale të Krishtlindjes, quhet Qiriri prej dhjami.

Është historia e një qiriri të prodhuar ndoshta për të ndriçuar dhomat e errëta të shtëpisë dhe që në mënyrë krejt të papritur ai rigjen shkëlqimin e vet, me një mjet të imagjinatës së shkrimtarit të madh danez. Dorëshkrimi Qiriri prej dhjami iu nënshtrua shqyrtimit të ekspertëve të cilët janë të një mendje se është një vepër e hershme që i përket rinisë së autorit të përrallave, e shkruar rreth vitit 1820, kur ndiqte ende shkollën e mesme. Një e përditëshme daneze e botoi versionin e plotë të përkthyer në anglisht dhe njëri prej ekspertëve më në zë të tij, Askgaardi, e quajti një zbulim shumë sensacional dhe deklaroi se s’ka asnjë dyshim se vepra i përket atij, dhe është e shkruar me dorën e tij.

Zbuluesi i rastësishëm po kërkonte mes kutive të arkivit kombëtar të Funenit dhe krejt papritur e gjeti dorëshkrimin që përmabnte gjithësej 700 fjalë. Mbi të dukej qartë edhe dedikimi i tij për Zonjën Bunkelfod me dashuri Anderseni.

Po sipas ekspertëve mund të bëhet fjalë për ndonjë grua të ve, tek shtëpia e së cilës ai shkonte që të lexonte dhe të merrte hua librat e bibliotekës së saj.

Një përrallë e shkurtër e fokusuar tek qiriri prej dhjami, yndyrë shtazore, fryt i një bashkëpunimi të deles dhe kazanit, ku yndyra ishte transformuar në një qiri të bardhë dhe shkëlqyes. Por kaq bardhësie i vihet përballë një jetë e vështirë me duar të ndotura që e prekin dhe e konsumojnë me vetëdije pa asnjë dhembshuri, derisa troket momenti i dhimbshëm i flakjes tutje, si një send i kotë dhe i padobishëm. Përralla vazhdon me monologun e qiririt që pyet veten, i mbytyr nga trishtimi, lidhur me kuptimin e jetës së vet. Por kthesa vjen menjëherë sapo takon një tinder box që e ndez qiririn, duke i dhënë kështu mundësinë e munguar, por të lumtur që të ndriçojë gjithçka përreth vetes në vite.

Edhe pse sipas ekspertëve tregimi nuk ka finesën stilistike të veprave më të pjekura, në përrallë ka elementë tipikë të shkrimit andersenian, si p.sh tema e bukurisë së humbur dhe zakoni i autorit, në gjurmët e Ezopit dhe të La Fontenit, që ta përdorë prozopopenë, personazhe të veprave bëhen kafshë dhe sende me karakteristika, dilema dhe difekte tipike njerëzore.