Rama: Edhe kërriçi i Sanço Panços do ishte tronditur përballë marrëzive të Berishës

0
42

TemA Online, 11 Dhjetor 2012

Kreu i PS-së, Edi Rama, gjatë një konference të gjatë për shtyp, është shprehur se qeveria nuk ka përmbushur asnjë nga kriteret e kërkuara nga Bashkimi Europian, çka ka bërë që Shqipëria të mos marrë statusin e vendit kandidat.

“Shqipëria e gjen veten sërish të refuzuar sepse nuk bën dot zgjedhje të lira dhe të ndershme, për shkak se vendi është mbytur në batakun e korrupsionit dhe s`ka luftuar krimin e organizuar dhe për shkak të rolit të qeverisë për mos përmbushjen e 12 kritereve të kërkuara nga Bashkimi Europian”, tha Rama.

Duke folur për buxhetin e vitit 2013, Rama është shprehur i shqetësuar për nivelin e borxhit të qeverisë.

“Të gjithë duhet ta kuptojnë që borxhi nuk është i shtetit dhe heqja e kufirit të borxhit duke e çuar mbi 62 përqind bie ndesh me interesin e çdo familje të zakonshme shqiptare. Vlera e kursimeve të tyre në lek është cenuar drejtpërsëdrejti që prej momentit që borxhi ka kapërcyer mbi 62 përqind dhe tavani është hequr. Ne kërkojmë të përcaktojmë me ligj masën e borxhit dhe të mos lejomë një borxh pa asnjë tavan dhe e bëjmë këtë duke menduar se pas pak muajsh do të jemi ne që do ta qeverisim Shqipërinë”, tha Rama.

Sipas Ramës, buxheti i 2013-ës do e zhysë edhe më tej vendin në borxhe, si dhe do të rrisë edhe më tej papunësinë.

“Borxhi publik u rrit 2.2 miliard lekë për 4 vite dhe është bërë i papërballueshëm për shoqërinë, ndërsa Shqipëria ka rënë 42 vende nga renditja e transparencës dhe korrupsionit, që kur kjo qeveri është ulur për ta qeverisur këtë vend me duar të pastra. Çfarë mund të thuhet kur kryeministri thotë që ka krijuar vende të padukshme punë dhe INSTAT deklaron se gjatë 3 muajve të fundit janë ulur vendet e punës”, pohoi ai.

Rama u shpreh se kryeministri Berisha jo vetëm nuk ka hapur 100 mijë vendet e punës së premtuar, por gjatë qeverisjes së tij ka sjellë shkurtimin e 51 mijë vendeve të punës.

Sipas Ramës, kryeministri i vendit ia kalon edhe kërriçit të Sanço Panços për marrëzitë e tij .

“Kërriçi i Sanço Panços do të ishte tronditur nga zilia përballë marrëzive të kryeministrit në përpjekjet për t’i shitur populli të vet një produkt që nuk e ka”, u shpreh Rama.

“Thotë Berisha që shkon Rama në fshat dhe poston foto me kërriçin, në fakt nuk ka kërriç që i afrohet sot me heroizma kryeministrit”, vijoi Rama, sipas të cilit, Berisha është i papërgjegjshëm në çdo veprim që kryen, duke nisur që nga projekti për ullinjtë.