BE: Shqipëria NUK e merr statusin, zgjedhjet janë test thelbësor

0
43

TemA, 11 Dhjetor 2012

Shqipëria nuk e merr statusin e vendit kandidat. Ashtu siç ishte paralajmëruar, Ministrat e Jashtëm të BE kanë arritur në konkluzionin se Shqipëria nuk ka bërë aq sa duhet për të marrë këtë status.

Konkluzionet e këtij takimi, që ka zgjatur disa orë më shumë se parashikimi, i ka lexuar ministrja e Jashtme e Qipros, vendit që mban presidencën e Bashkimit Europian.

Erato Kozakou-Marcoullis tha se zgjedhjet janë një test kyç për statusin. Përfaqësuesja e presidencës qipriote nënvizoi gjithashtu se edhe lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar janë një test thelbësor në rrugën e Shqipërisë drejt integrimit europian.

“Këshilli mirëpriti progresin e bërë nga Shqipëria për të përmbushur prioritetet dhe vuri në pah rekomandimet për t’i dhënë Shqipërisë statusin vendit kandidat dhe vlerëson zgjedhjet parlamentare si test kruçial për funksionimin e institucioneve Këshilli e fton komisionin për të raportuar sa më parë”, deklaroi Ministrja e Jashtme e Qipros në konferencë për mediat.

Ndërkohë Komisioneri për Zgjerimin, Stefan Fyle, deklaroi se do të raportojnë për Shqipërinë në Këshillin Europian sapo të jenë përmbushur kriteret.

“Kemi një mesazh të qartë për Shqipërinë. Njihet puna e madhe që ka bërë Shqipëria, por ne inkurajojmë palët për të vijuar më tej. Dyert e BE mbeten të hapuara, por Shqipëria duhet të vijojë me reformat, plotësimin e kërkesave të KE që më pas t’i jepet statusi. Politikën duhet të vijojnë dialogun dhe të mos lejojnë që axhenda europiane të jetë peng i interesave të tyre partiake,” tha Fyle.

Në mbledhjen e Këshillit të Ministrave të Jashtëm të drejtuar nga Qipro, që ka presidencën e radhës të BE-së, u fol edhe për Kosovën dhe mundësia reale për ta hapur bisedimet për marrëveshjen e stabilizim-asociimit, sapo Prishtina të përmbushë kriteret afatshkurtra të përcaktuara më herët në raport-progres.

Këshilli i Ministrave të Jashtëm vendosi t’i japë statusin e vendit kandidat Serbisë, ndërsa çelja e bisedimeve të anëtarësimit për Maqedoninë që e ka marrë statusin më parë, bllokua nga Bullgaria. Gjithashtu Këshilli kërkon përpjekje më të mëdha të Greqisë dhe Maqedonisë për zgjidhjen e kontestit të emrit. Megjithatë, komisioneri Fule u shpreh optimist se gjatë presidencës së ardhshme të BE-së, Shkupi mund të marrë një datë për nisjen e bisedimeve të anëtarësimit.