Nga Mero Baze, 28 Nëntor 2012
Të gjithë e dimë se Sali Berisha nuk është një udhëheqës që mund të festojë apo të dijë të bashkoj njerëzit në gëzime, por në këtë 100 vjetor ka pasur plot mundësi të mos bëjë dëme dhe të prishte festën.
Ka pasur së pari mundësinë të bënte një komision feste me njerëz autoritarë, historianë, akademikë dhe njerëzit e mëdhenj të këtij kombi, që të baraspeshonin axhendën politike me rëndësinë historike të këtij 100 vjetori. Nuk e bëri. E nisi me njëmijë tinzarira, të shmangte Vlorën dhe Ismail Qemal Vlorën dhe të promovonte Monarkinë dhe Ahmet Zogun. Kjo bëri që festa të përfundonte në dy shfaqje të saj, në një pamje evropiane në Vlorë ku 500 mijë njerëz nga gjithë trojet shqiptare mbushën bulevardin Sheshi i Flamurit- Skelë dhe festuan si qytetarë, dhe një skenë primitive në Tiranë, ku shija e hidhur e tortës të njeriut fallco Lulëzim Basha, do të na shoqërojë gjatë si imazh.
Ishte rrëqethëse të shikoje në Vlorë se shqiptarë të ardhur nga Struga, Kaçaniku, Prizreni, Tetova e Shkupi, shkruanin sipër makinave të tyre “Struga pro Vlorës”, “Kaçaniku pro Vlorës”, “Tetova pro Vlorës”. Arsyeja e vetme ishte se Sali Berisha ndau kombin shqiptar mes Kryeqytetit të Flamurit dhe Tiranës, ku tentoi të zhvendoste rëndësinë e festës. Shoqëria shqiptare i dha një përgjigje të hidhur duke shkuar vullnetarisht në Vlorë dhe duke i dëshmuar atij humbjen e thellë të betejës së Vlorës.
Dëmi i madh i dytë që kishte mundësi ta shmangte ishin artikujt fyes dhe poshtërues për Shqipërinë në Corriere Della Sera, Guardian, Standard dhe qindra gazeta perëndimore që ricikluan lajmin mbi therjen e 2 mijë deshve dhe qengjave. I pasigurt se do të joshte turmat në shesh në betejën e tij me Vlorën, ai tentoi të gënjejë pjesën jo-urbane rreth kryeqytetit për ta ndjellë në Tiranë me mish dhe pasta falas si në mitingjet e Ahmadinexhadit. Kaq e kishte gjithë gënjeshtrën për mish sa të gënjente fakirët e Bathores e Paskuqanit dhe të na nxinte faqen në Perëndim. Si përfundim nuk e bëri ata masakër, por Shqipërisë i mbeti nami dhe si një vend që bën kurban për festa pavarësie.
Dëmi i tretë që i bëri këtij vendi ishte brenda këtij konteksti torta e Lulëzim Bashës. Ky njeri, që nuk ka bërë asnjë gjë në jetë të vet veçse të serviloset dhe të denoncojë dikë fshehur, tentoi të gënjejë “haxhiqamilistët” e periferisë me tortë për t’i ndjellë në shesh dhe prodhoi një shfaqje të turpshme për Shqipërinë. Unë nuk u vë faj atyre njerëzve të uritur me kova, me çanta, me çizme dhe duar të palara që iu turrën pastës së Lulëzim Bashës. Ashtu mund të ndodhë dhe në SHBA, nëse shkon në një lagje të varfër të Bronksit dhe tenton të sillesh sikur aty është Uoll Strit. Ata njerëz të babëzitur janë produkti real i Sali Berishës dhe karta me të cilën ai qëndron në pushtet.
Ata të shkretë, të uritur, të pangrënë, të padalë, të palexuar, të pakuptimtë për historinë e tyre, nuk ishin në shesh për pavarësinë, por se bajraktari i tyre i kish thirrur në një gosti, që do ta shiste si tubim patriotik për t’i bërë karshillëk Vlorës. Ata ishin të sinqertë në urinë dhe zemërimin e tyre. Ajo është Shqipëria e Sali Berishës. Ky njeri mund ta mbante në strofkën e vet këtë Shqipëri sot dhe t’i bashkohej festës perëndimore që u bë në Vlorë, aty ky gjysmë milioni njerëz erdhën, hëngrën, fjetën, dhe u larguan dhe i vetmi problem ishte trafiku në rrugët e ndyra të Sali Berishës, që asnjëherë nuk janë të përfunduara, por mbyllen si salsiçe në çdo dhjetë kilometra.
Sali Berisha mund ta na kishte kursyer dhe një armiqësi fallco me fqinjët tanë. Do t’i bëja hallall po të ishte nacionalist dhe do të isha gati unë dhe shumë të tjerë të përballonim ose korrigjonim pasojat e një politike të tillë nga Sali Berisha. Por ky njeri nuk është as nacionalist dhe as tradhtar. Ky është pazarxhi i pacipë, që shet dhe blen gjithçka vetëm për pushtetin. I duheshin votat e grekëve në vitin 2009, u fali detin, i duheshin votat e maqedonasve, i dha liri Gruevskit të tallej me faktorin shqiptar në Maqedoni, ka parë tani që një valë nacionalizmi mund ta rrëzojë nga pushteti dhe flet dokrra si patriot me fjali me 200 kuptime për t’i përdorur si të jetë nevoja. Fqinjët u kthyen rrugës dhe nuk erdhën në festë, jo se e kanë frikë nacionalizmin e tij, por se janë njerëz normal dhe nuk mund t’i japin dorën në njeriu, që çfarë u thotë në mëngjes, nuk u thotë në darkë.
Sali Berisha mund të na kishte kursyer fjalimin mediokër, diletant, primitiv dhe gati- gati otoman të atij që ka emëruar president. Ishte i gjithi një gjë e pështirë, pa kulturë, pa takt, pa finesën e një presidenti dhe mbi të gjitha pa pikën e kulturës historike. Fliste dhe përsëriste disa herë për 40 firmëtarë të pavarësisë, kur të gjithë e dinë, biles dhe Jozefina, se janë 83, fliste për një vend të lirë, duke qenë vetë simbol i dhunimit të së drejtës së shqiptarëve për zgjedhje të lira, tentonte të rehabilitonte historinë e firmëtarëve dhe kishte në mendje Monarkinë, fliste për qytetarët e Vlorës dhe kishte në mendje a po i pëlqente Sali Berishës. Ishte aq i neveritshëm sa dhe Sali Berisha mezi po priste ta mbaronte. Por ne nuk ia patëm borxh.
Në fund për t’i vënë kapakun dëmeve të tij, organizoi dhe një paradë ushtarake në Tiranë, ndoshta e vetmja paradë në botë e organizuar në errësirë, a thua se po bënin stërvitje ushtarake në Mamurras me një palo performancë, sikur ishin ca ushtarë të ndonjë reparti xhenierësh me lopata në brez. Nuk di kë krenonte apo kë trembte ajo ushtri, që u shfaq në bulevard natën, siç thoshte një miku im si një ushtri e një fshati të vogël dhe të varfër. Mund të na kish kursyer këtë turp në sytë e të gjithëve, pasi ne vetë e dimë që nuk kemi ushtri, por vetëm ministër që shet ndonjë pronë të mbetur dhe ndonjë fishek me sekserin e familjes Berisha.
Të gjitha këto dëme që ky njeri i shkaktoi kësaj feste i kishte në dorë të mos na i bënte. Do të mjaftonte vetëm kaq që festa të shkonte shumë mirë dhe shqiptarët të ndjeheshin të bashkuar dhe të gëzuar. Mjafton që ky njeri të rrinte larg 100 vjetorit për të mos na kthyer 100 vjet pas.