100-vjetori i Pavarësisë festohet në Selinë e NATO-s, Rasmussen uron shqiptarët

0
64

Shekulli, 21.11.2012

100-vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë është festuar edhe në Selinë e NATO-s në Bruksel. Bëhet e ditur se, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Anders Rasmussen ka uruar shqiptarët për festën e Pavarësisë, duke u shprehur se me anëtarësimin në NATO, Shqipëria tregoi se ka dëshmuar se e meritoi anëtarësimin.

“Është një kënaqësi e madhe për mua që t’ju uroj ju dhe popullin shqiptar me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. 3 vjet e gjysmë përpara anëtarësimi i Shqipërisë në NATO i tregoi botës se ideja e lirisë është e pathyeshme. Me anëtarësimin në NATO, Shqipëria ka forcuar sigurinë e saj të brendshme dhe atë të NATO-s dhe të tërësisë së Aleancës Atlantike”, tha Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s.

Ai ka vijuar mw tej duke thwnw se, së bashku me aleatët e tjerë të NATO-s, ju jeni angazhuar për mbrojtjen e sigurisë dhe vlerave tona të përbashkëta. “Ky është angazhimi më solemn që një shtet sovran mund të ndërmarrë. Shqipëria e ka treguar se mund ta kryejë këtë angazhim. Vendi juaj është një aleat i denjë. Ju keni dhënë një kontribut të rëndësishëm politik dhe ushtarak për Aleancën tonë. Ju keni luajtur një rol të rëndësishëm për stabilitetin rajonal dhe angazhimi juaj në Afganistan ka qenë provë e fortë e përkushtimit tuaj për të mbrojtur sigurinë e Aleancës”, u shpreh Rasmussen.

Rasmussen theksoi se NATO vlerëson faktin që Shqipëria sot është e lirë dhe e sigurt.

“Ne jemi të gëzuar të kemi një Shqipëri të lirë, të sigurt dhe të angazhuar si anëtar i Aleancës. Ju uroj ju dhe popullit të Shqipërisë një ditë të lumtur dhe të sigurt të pavarësisë”, ka përfunduar përshëndetjen e tij z. Rasmussen.

Gjithashtu ceremonia vijoi me fjalën përshëndetëse të ministrit të Mbrojtjes, z. Arben Imami ku u shpreh se historia e Shqipërisë është një histori e luftës dhe përpjekjeve të mëdha për të mbijetuar dhe ruajtur identitetin kombëtar.

Në ceremoninë e zhvilluar me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë në selinë e NATO-s nuk mund të mungonte dhe torta me simbolin kombëtar shqiptarë.

/Shekulli Online/ E.L/