Prezantohet Lëvizja Çame: Idrizi s’është politikan i aksionit patriotik, por i pazareve meskine personale

0
40

TemA, 17 Nëntor 2012

Prezantohet në Tiranë Lëvizja Çame, një organizëm i këtij komuniteti, që shprehet se synon rilindjen e lëvizjes çame për të rimarrë të drejtat e humbura.

Drejtuesi i kësaj lëvizje, Artur Dojaka, tha: “4 vjet mund të mos dalin për të bërë gjithë milionat që ndokush ka në mendje për të pasur, por 4 vjet të hedhura poshtë janë një fatkeqësi kombëtare për ne.

Do t’i jepja pak të drejtë nëse zoti Idrizi do ishte më dinjitoz. Nëse ai do t’i bënte thirrje komunitetit çam që të protestonte para Kuvendit deri sa rezoluta çame të miratohej.

Unë ndoshta po shkoj shumë larg, po flas për protesta për rezolutën çame, por a e ka propozuar z. Idrizi ndonjë rezolutë të tillë? A ka parë njeri një draft rezolute? Cili grup pune e hartoi dhe cilët e aprovuan atë? Pse asnjë çam s’e ka parë kurrë me sy këtë rezolutë dhe pse Idrizi ka kaq shumë frikë ta nxjerrë nga sënduku i harresës?

Unë jo vetëm dyshoj, por jam tërësisht i bindur që nuk e ka bërë. Sepse Idrizi nuk është politikan i aksionit patriotik dhe social, por bën thjesht pazare meskine personale për të cilat ne si çamë jemi shumë të indinjuar dhe të fyer.

Çështja çame është një nga çështjet thelbësore kombëtare, andaj dhe çdo emër i përveçëm është një hiç përpara saj”.