Nga Skënder Minxhozi, 17 Nëntor 2012
Kemi lënë pas një javë e cila konsiderohej si afati kohor final, për miratimin e prioriteteve të mbetura pezull, në rrugën drejt marrjes së statusit të vendit kandidat në Bashkimin Europian. Që në fundin e javës së shkuar, kryeministri e kishte ngarkuar seancën parlamentare të ditës së enjte, duke i dhënë asaj simbolikën e një “meshe mbarë-kombëtare” në favor të europianizimit të vendit. Më shumë se një herë, nga foltoret e panumërta ku ai shfaqet, Berisha kishte deklaruar se “të gjithë shqiptarët, në Shqipëri, Maqedoni, Kosovë e Mal të Zi, i kanë sytë tek tre ligjet”. A thua se miratimi i tyre do të hapte si me magji Sezamin europian.
Ja që nuk ndodhi asnjëra nga ato që priteshin. As ligjet nuk u miratuan, as kriza e Fierit nuk u zhbllokua, as Sezami europian nuk u hap. Në këtë situatë, siç pritej, u caktua një afat tjetër, po nga kryeministri. Ai tha se “e pret” opozitën deri në 20 nëntor, me kartonët jeshilë në xhep. Paçka se duket sheshit se kjo e fundit nuk ka ndërmend të ndryshojë qëndrim: “lësho Fierin, të marrësh ligjet”, është vendimi i opozitës së majtë.
Ngecja e fundit në procesin e integrimit europian të vendit, është pa më të voglin dyshim edhe më problematikja. E kjo për një numër jo të vogël faktorësh, jo të gjithë të brendshëm dhe jo të gjithë të varur nga veprimi ose mosveprimi i palës shqiptare. Nëse do t’i hedhim një sy situatës aktuale në lidhje me statusin, do të vëmë re se kësaj radhe, ndryshe nga dy vitet e shkuara, kur merrnim një “Jo” të prerë nga Komisioni, situata është cilësisht më e ndryshme. Kësaj radhe rrezikojmë të ngecim në filtrin e fundit të BE-së, para dhënies së statusit. Në 10 tetor Komisioni Europian rekomandoi dhënien e statusit për Shqipërinë. Tashmë pengesa e fundit ka mbetur Këshilli Europian, i cili vihet në lëvizje nga interesat dhe qëndrimet direkte të shteteve anëtare. Një rrëzim i mundshëm në këtë pikë, do ta çonte në tre numrin e dështimeve të vendit tonë, në përpjekjen për të marrë statusin e vendit kandidat.
Natyrshëm që kjo situatë delikate nuk është rezultat direkt i qëndrimit të opozitës, apo i kërkesës së saj për zhbllokimin e qarkut të Fierit. Lajmet më të fundit që vijnë nga Europa flasin për skepticizmin në rritje të shteteve si Gjermania e Holanda (me shumë gjasë edhe të ndonjë shteti tjetër verior), që nuk ka lidhje me mosvotimin e tre ligjeve të lëna pezull, sesa me gjendjen e përgjithshme defektoze të demokracisë në Shqipëri. Javën e shkuar kjo revistë botoi një intervistë me ambasadorin holandez në Tiranë, De la Beij, i cili e tha, e zezë në të bardhë, se “Shqipëria nuk është gati për statusin”.
Dhe motivacioni që dha diplomati i lartë holandez kishte të bënte me luftën e pamjaftueshme ndaj krimit e korrupsionit, si dhe me zbatimin e ulët të ligjit. Ky qëndrim, mesa pasqyrojnë informacionet që vijnë nga qendrat e mëdha të vendimmarrjes së Europës, përbën një opinion të përgjithshëm në Bruksel, Berlin, e pse jo edhe në disa kryeqytete të tjera. E tha qartë dhe pa ekuivok kreu i delegacionit për rajonin tonë në Parlamentin Europian, Eduard Kukan, i cili pardje u shpreh se duheshin më shumë prova që skepticizmi i tij për zhvillimet shqiptare të ndryshonte.
Në këtë kontekst negativ për qeverinë, vjen e futet si pykë kërkesa e opozitës së majtë për të çliruar situatën e bllokuar të qarkut të Fierit, ku është tjetërsuar hapur vota e qytetarëve që votuan në verën e vitit të shkuar. E cila, teksa afishon një të drejtë të shkelur dhe një pretendim të ligjshëm, ribën objektivisht të gjithë taktikën politike që luhet në Tiranë rreth statusit dhe rreth zgjedhjeve të vitit të ardhshëm.
E këtu, pikërisht tek taktika, duket se qëndron gabimi i zakonshëm i PS-së. Një defekt i vjetër dhe i ri ky brenda opozitës, që edhe në të shkuarën ka prodhuar lëvizje të drejta e të justifikueshme, por në mënyrën ose momentin e gabuar.
Pse është një akt i gabuar taktikisht, kushtëzimi de facto i ecurisë së tre hapave të fundit të mbetura drejt plotësimit së marrëveshjes së nëntorit, me qarkun e Fierit? Përgjigja më e thjeshtë që të vjen ndërmend do të ishte: sepse ofron një alibi të minutës së fundit për qeverinë, në kushtet kur statusi i vendit kandidat do të refuzohet jo për shkak të mosvotimit të një apo dhjetë ligjeve, por për shkak se “Shqipëria nuk është gati për të marrë statusin”, siç thotë qeveria holandeze. E nëse do e zgjasnim edhe më tej përgjigjen në fjalë, do të mund të shtonim: sepse qarku i Fierit duhet të ishte vënë si kusht përballë qeverisë shumë më herët, ndoshta atëherë kur u diskutuan e u votuan rregullat e zgjedhjeve të vitit të ardhshëm.
Kushti për Fierin krijon një pistë artificiale paralele, për mosmarrjen e statusit të vendit kandidat. Krijon përshtypjenm, qoftë edhe të jashtme, se opozita ka gisht në ecurinë skandaloze të procesit të integrimit europian të Shqipërisë. Ndërkohë që arsyet e mbetjes në klasë të vendit tonë gjenden tek imazhi problematik që ka Shqipëria tek vendet anëtare, ndërkohë që rasti i dosjes shqiptare konsiderohet si një litar plot nyje të pazgjidhshme, ndërkohë që europianët rreshtojnë në çdo dokument të shkruar, intervistë apo deklaratë shtypi, se këtu tek ne ka korrupsion, padënueshmëri të zyrtarëve të lartë, krim, shtet ligjor të rrezikuar e plot defekte të tjera serioze, në sytë e publikut shqiptar qeveria po tund prej javësh “dordolecin” e Fierit.
Vështirë të gjendet një dhuratë më e mirë në këtë ditë të keqe, për Berishën. Përtej momentit aktual, cilido qoftë fundi i kësaj sage, çështja e Fierit do të përdoret gjatë nga qeveria, përfshirë fushatën e ardhshme zgjedhore, me synim që të lerë sa më shumë gjurmë tek ajo pjesë e publikut, e cila operon me nocione të thjeshtuara për politikën dhe demokracinë. E të tillë ka plot, sidomos në provincën shqiptare.
Nga ana tjetër, edhe vetë mënyra sesi opozita e ka pozuar problemin e Fierit, duket se lë për të dëshiruar. Ndërsa Berisha bombardonte katër-pesë herë në ditë shqiptarët me emrat e Bubullimës, Dërmenasit e Divjakës, PS e shpjegoi pak dhe keq dosjen e Fierit, e cila është e mbartur me shkresa, vendime gjykatash dhe stërhollime juridike, tepër të vështira për shqiptarin e mesëm. Vetëm 24 orë para seancës të së enjtes, mediave iu shpërnda nga zyra e shtypit në PS, një material shpjegues për “pyllin” e shkresave që përmban kjo dosje.
Shqyrtimi nga Bashkimi Europian për herë të tretë i statusit të vendit kandidat për Shqipërinë, po zbulohet po aq i komplikuar sa dy herët e para. Kësaj radhe kemi gjetur një Europë të ngopur me procesin e zgjerimit, por edhe të acaruar nga mungesa totale e vullnetit të klasës drejtuese shqiptare, për të punuar e bashkëpunuar në kuadër të procesit të integrimit europian. Ky dështim i mundshëm i tretë ka për të qenë një patate e nxehtë në fushatën e ardhshme zgjedhore.
E cila do të djegë, siç është normale të ndodhë, duart e qeverisë shqiptare, si përgjegjësja kryesore e procesit. Ndoshta ka qenë rasti që qeveria të lihej vërtetë në fatin e saj kësaj radhe, pasi e meriton diçka të tillë, me politikën arrogante dhe përjashtuese që ka aplikuar. Spostimi i vëmendjes tek qarku i Fierit, me shumë gjasë krijon një ngatërrim të panevojshëm valësh, që mjegullon përgjegjësitë dhe fsheh shkaqet reale të dështimit tonë të tretë të mundshëm në dyert e Brukselit.