Nga Mero Baze, 5 Nëntor 2012
Lirak Bejko u dogj nga Bujar Nishani. Disa orë pas deklaratës së tij të ligë në News 24, Bejko i vuri flakën vetes në shenjë proteste ndaj fyerjes që i bëri presidenti, i cili reflektonte zellin politik të Sali Berishës. Në deklaratën e tyre ditën e djegies së Lirakut, grevistët e urisë akuzuan pa hezitim Bujar Nishanin si vrasës të Lirak Bejkos. Deklarata është e botuar në media dhe e transmetuar në shumë televizione.
Sot një zyrtar i Sali Berishës, që mban çelësat e Institutit të Integrimit dhe Rehabilitimit të ish- të Përndjekurve Politikë, bëri një provokim cinik, duke theksuar se nuk do të lejonte drejtues të partive politike të shkonin në homazhet e Bejkos, përveç presidentit Bujar Nishanit. Atij që i vuri flakën!
E veja e Lirakut i dha një përgjigje të mençur, duke theksuar se në vaj nuk i mbyllet dera as hasmit, por deklarata e zyrtarit të Berishës reflekton më gjerë përpjekjen zyrtare të pushtetit për ta trajtuar edhe pas vdekjes Lirak Bejkon si një fatkeq që ka vrarë veten nën depresion. Përpjekjet e përditshme të Berishës për të kompensuar grevistët për përdorim politik shkuan deri në izolimin e plotë të tyre dhe degradimin e sakrificës së tyre në një akt të dëshpëruar vetëvrasës. Sapo ata lanë grevën me dy viktima në rrezik për jetën dhe katër të tjerë të sëmurë rëndë, Berisha u çlirua dhe vijoi me akuzat e tij se ata ishin trafikantë droge, bixhozxhinj, delenxhinj të paguar nga Rama etj.
Tani që Liraku vdiq, frika se një valë e re rivlerësimi për të mund ta dëmtojë, ka bërë që Berisha të rinisë punën për degradimin e ceremonisë. Si pas çdo vrasje, dhe këtë radhë ka dërguar sekserët në shtëpi për të blerë gjakun. Pasi nuk ka arritur asgjë me këtë dhe i trembur se shokët e vet mund të pushtonin vetë zyrat e Institutit, ka vendosur të fyejë ceremoninë dhe të kompleksojë shokët e Lirakut duke i poshtëruar ata dyfish, duke i detyruar që të pranojnë të vetmin mysafir, atë për të cilin Liraku i vuri flakën vetes, Bujar Nishanin.
Ky cinizëm i skajshëm për jetën e Lirakut, të cilit kërkon t’i çoj xhelatin tek koka ditën e përcjelljes në botën tjetër, buron jo vetëm nga urrejtja që ka krijuar brenda vetes nga akti i grevës së urisë, por dhe nga nevoja që ceremonia të mos ketë efekt politik, por të jetë thjesht një ceremoni e një njeriu fatkeq.
Meqë ia vetë nuk guxon të shkojë dot, pasi Liraku e ka qëlluar i gjallë me qese mielli, por i vdekur mund të qëllojë me ndonjë send më të fortë, kërkon që të mos shkojë askush tjetër. Propozimi që në ceremoni të ketë të drejtë vetëm Nishani nga politikanët të bëjë homazhe, është një përpjekje për t’u hakmarrë ndaj Lirakut edhe orët e fundit të qëndrimit të tij mbi tokë.
Natyrisht që Berisha nuk ka fuqi të diktojë protokollin e atyre që do të nderojnë Lirakun. As Bujar Nishani nuk besoj se ka fuqi të përballet me viktimën e tij tek koka e arkivolit. Ai mund të vijë aty jo si poshtërues, por si i penduar. Dhe si i penduar duhet të vijë me një dekoratë për Lirak Bejkon. Në çdo rrethanë tjetër ai nuk shkon për ta nderuar, por për ta poshtëruar.
Ajo që nuk duhet lejuar në asnjë rrethanë është që Liraku të trajtohet si fatkeq, ashtu siç dëshiron Berisha. Ai vdiq si njeri i zemëruar me pushtetin dhe ne nuk kemi asnjë të drejtë qe pas vdekjes t’ia vrasim zemërimin dhe t’ia kthejmë në dashuri dhe respekt për Sali Berishën dhe Bujar Nishanin. Ai vdiq si një kundërshtar i Sali Berishës, si një hasëm me të cilën Berisha as nuk denjoi të fliste. Ai vdiq si një njeri që u fye nga presidenti i Republikës dhe si një luftëtar i shoqërisë që tentoi të zbatohej ligji dhe të zhdukej racizmi dhe persekutimi ndaj shtresës së tij. Ai nuk vdiq për disa lek më shumë dhe as me ëndrrën që së paku i vdekur t’i vinte Bujar Nishani tek koka. Berisha dhe Nishani duhet t’i kërkojnë ndjesë familjes së tij dhe duhet të bëjnë gjest institucional për nderimin e tij, jo duke përdhosur ceremoninë, por duke dekoruar njeriun që është flijuar.
Nëse ata do të vazhdojnë ta trajtojnë Lirakun si viktimë, ne duhet t’i trajtojmë ata si xhelatë.







