A do të ndryshohej skema e dërguar nga Roma?

0
53

Arjan Kallço

Ditët po i ia linin vendin njëra-tjetrës dhe këmbëngulja e Romës për një përshpejtim të zbarkimit po bëhej edhe më e fortë. Për të dyja palët ishte e qartë se nuk ishin hedhur të gjitha kartat në tavolinë. Secila palë mbante rezerva dhe sapo të shfaqeshin ngurrimet e para, do të dilnin edhe rrugëdaljet. Ndrësa Italia si një fuqi ushtarake i kishte bërë të gjitha llogaritë e veta lidhur me ecurinë e ngjarjeve, kishin marrë masa që edhe në rast protestash nga fuqitë e tjera, të bënin interpretimin e duhur pa mëdyshje të zbarkimit.

Shqipëria si një vend i vogël dhe pa përkrahje nuk kishte se çfarë të bënte, e ndodhur përballë situatës së rëndë edhe ndërkombëtare. Mbetetj vetëm të zbatohej dëshira e Duçes për një zbarkim që në dukje do të ishte një veprim që nuk do ta cënonte vendin. Por Zogu përsëri nuk po tregohej i hapur deri në fund, pasi kishte gjasa që të prishte qefin e ndonjë padroni tjetër në Europë. Ditari vazhdon me datën 26 mars, kur tratativat dukej se nuk po hasnin pengesa të mëdha nga qeveria shqiptare që kishte mbetur e zbuluar krejtësisht përballë dëshirave të ethshme të fashsitëve. Gjendja e vështirë në vend e detyronte që të nënshkruante çdo lloj traktati, mjaft që Italia ta ndihmonte në ato momente tepër të vështira jo vetëm ekonomike.

Më 26 mars Jakomoni i shkruante Romës lidhur me bisedën që kishte patur me mbretin për projektin. Në këtë takim të parë nuk e pashë të nevojshme të lidhja një traktat të ri. I kërkova në çfarë mënyre ai e shihte vendosjen e një raporti të ri italo-shqiptar. Ai u tregua i gatshëm për marrëveshje më të mëdha të mundshme. Në vazhdim të kërkesës i shpreva disa ide mbi argumentin, duke i treguar mundësinë për një traktat aleance mbi baza parimore të frymëzuara të traktatit të Ferrarisit. Edhe në këtë pikë ishim dakord. Por pata përshtypjen se mbreti e fshihte mendimin e vërtetë. Por edhe brenda kampit të vet Zogu nuk i kishte të gjithë me vete, pasi disa syresh nuk ishin aq dashamirës ndaj një veprimit të tillë. Në bisedën me Libohovën m’u duk jomiqësor ndaj çdo koncepti të forcimit formal të aleancës. Ibohovës, Jakomoni i kishte treguar skemën e traktatit. Ai ishte një mik i sinqertë i Italisë, e kuptonte qartë vështirësinë për të cilën po debatonin në Shqipëri, por ishin edhe në djeni të situatës ndërkombëtare dhe të reflektimeve që ajo mund të kishte në raportet italo-shqiptare.

Formulat mund të studioheshin bashkarisht. Urgjente ishte forcimi i lidhjeve të aleancës mbi bazën e pavarësisë dhe sovranitetit të Shqipërisë dhe të mbrojtjes së dinjitetit dhe prerogativave reale. Pavarësisht këtyre sigurive Libohova u shfaq kundër një firme të një akti formal dhe me karakter të përgjithshëm për forcimin e alenacës. Sipas tij çdo masë e marrë në raportin fuqi dhe e dobët, Shqipëria do të dukej si një shtet i mbrojtur. Ai ishte për një situatë faktike, pavarësie dhe për një bashkëpunim praktik dhe efektiv mes dy vendeve. Meqë me dëshirën e mbretit do të mbahej një mbledhje ku do të merrnin pjesë Libohova, kryeministri dhe ndihmësi i tij i parë, Jakomoni i tha që të ishte i gatshëm ta ndiqte në çdo rrugë që t’i afronte tek qëllimi i një bashkëpunimi efikas mes dy vendeve.

Më 28 e informonte Romën për situatën dhe nevojën ku gjendej që t’i mbahej një taktike bisede me eksponentë më të mëdhenj të qeverisë, me qëllim që të mos niseshin nga skema, por nga Traktati i aleancës në fuqi. Do të kishte sugjerime për zgjerim që do ta afronin me skemën e re. Kjo taktikë ishte e nevojshme, sepse në fillimet e bisedës nuk do të nxirrnin ato urdhëra ndaj forcimit të aleancës sipas fjalëve të mbretit. Jakomoni i shkruante Ministrisë së jashtme se nëse traktati do të mbetej e pandryshuar, qëllimi i Romës ishte t’i thonin mbretit se po të mos nënshkruhej asnjë marrëveshje, zbarkimi i trupave gjithësesi do të bëhej. Italianët mendonin që në bazë të skemës së paraqitur, MPJ do të vazhdonte të redaktonte një tekst përfundimtar ku të parashikoheshin të gjitha veprimet. Kur ky dokument të ishte sigluar në Romë dhe vetëm kur të mbërrinte ai, do të mund të rifillohej biseda me mbretin, lidhur me mbërritjen e trupave italiane, e motivuar nga situata ndërkombëtare.

Mbërritja e trupave legjitimohej në një marrëveshje që në shtator 1938 dhe bëhej me e qartë pas kërkesave të përsëritura pak ditë më parë ndaj Italisë, ku midis të tjerave, bashkë me to, ishte dhe kërkesa për materiale për ushtrinë shqiptare. Ndërkohë Manilo Gabrieli, atasheu ushtarak i Misionit në Shqipëri, u takua me mbretin që t’i kërkonte motivet përse e bënin të nevojshme praninë e trupave italiane.
Madhëria juaj me dëshirën që të merrni masa për një mbrojtje të kufijvë, kërkuat dhe morët në vitin 1927 ndihmën që qeveria italiane të organizonte forcat e armatosura shqiptare dhe mjetet e domosdoshme mbrojtëse.

Ne iu përmbajtëm impenjimeve tona, por pas një përvoje të gjatë, u bindëm se forcat shqiptare nuk mund ta kenë efiçencën e duhur, sepse puna jonë u bë krejt e pamundur nga paaftësia e gjeneralit Aranitas dhe shumë ushtarakëve të tjerë që ju i mbani në postet kryesore. Meqë ju shprehët frikën ndaj agresionit në kufi, ne ju bëjmë të pranishme se çdo ushtri e huaj, duke kaluar kufirin, do të hyjë në portet e Durrësit dhe të Vlorës brenda 2-3 ditëve. Pas pushtimit, forcat italiane duke u nisur nga bazat tona do të ekspozohen ndaj humbjeve që ta pushtojnë atdheun tuaj. Që t’i shmangim këto sakrifica të kota, qeveria e Romës, duke mbajtur parasysh traktatin në fuqi të aleancës, ju propozon të autorizoni vendosjen e forcave italiane në Shqiëpri, të afta të përballojnë bashkë me trupat tuaja agresione të mundshme që nga fillimi i veprimeve të tyre.

Gabrieli shkruante se pas përgjigjes së mbretit se ndërhyrja e trupave italiane në kohë paqe, mund të ngjallte protesta tek fuqitë e huaja dhe të konsiderohej e dëmshme për sovranitetin e Shqipërisë, i thashë se ndërhyrja ishte vendosur nga të dy aleatët, me vendim të plotë, duke parë komplikimet ndërkombëtare dhe kështu askush nuk do të protestonte. Shtova se anglezët po pushtonin lokalitete strategjike të vendeve të tjera pa e cënuar pavarësinë e tyre. E sigurova se forcat italiane të destinuara në Shqipëri do të ishin nën urdhërat e tij. Iu luta që të kishte besim në synimet italiane që t’i jepnin siguri, paqe dhe mirqënie popullit mik aleat. Përballë këtyre agrumentimeve mbreti u tregua i gatshëm që t’i shqyrtonte në favor të Italisë kushtet ushtarake të propozuara nga Roma, duke përsëritur se disa nga kërkesat e shtruara Zogu edhe mund të mos i pranonte. Ishte e qartë që nëse do të duhej ta përfundonim marrëveshjen, fakt që ishte më shumë se kurrë real, nuk duhej të dukej si një imponim kategorik Italian i pranuar nga mbreti për motive tashmë të njohura.

Në rast të ngecjes italianët ishin të sigurtë se do të duhej që të modifikoheshin disa pika nga skema e dërguar nga Roma. Sido që të shkonin ngjarjet, me apo pa ndryshime të parëndësishme, skema ishte gati dhe do t’i qëndrohej asaj sipas porosive të dërguara nga Roma. Para një presioni të madh, ende të pashprehur haptazi nga italianët, Zogu nuk kishte asnjë mundësi që ta refuzonte skemën, në të kundërt do të përballej me presione të drejtpërdrejta dhe dorëzimi do të ishte kapitullim. Këtë situatë Zogu nuk do ta pëlqente kurrë, acarimi mund të sillte pasoja për të dhe për situatën në vend, në këtë mënyrë do t’i largohej me dëshirën e vet fronit mbretëror. Ai këtë gjë e kuptonte, por në horizont nuk kishte asnjë rrugëdalje tjetër. Më mir ëtë humbte pavarësinë e vendit, sesa të humbte fronin. Midis shumë të këqiave, do të zgjidhte interesat e veta të ngushta për të cilat nuk kishte kursyer edhe mendimtarët e shquar shqiptarë të asaj kohe.

Arjan Kallço dhe akademiku italian Emilio Benvenuto