Mendimi dhe meditimi im mbi jetën(1)

0
46

Enigmë e pazbuluar na mbetet jeta, e vdekja na mbetet si sekret
Jeta e vë në shumë s’prova njeriun: disa provime të jetës njeriut nuk i lejojnë riprovim apo provim përsëritës! Po ngéli një herë, kurrë më nuk do ta kalojë!

Ismet Hasani

*Jeta i ngjanë rrjetit, po shqyhet një nyje, shqyhet rrjeti krejt
*A mendon njeriu sa duhet për jetën dhe qëllimin e ardhjes së tij në këtë botë
*A di më shumë ai që ka jetuar shumë, ai që është shkolluar shumë, apo ai që ka jetuar më pak, por që është s’provuar shumë në jetë
*A ekziston lidhëshmeria e jetës me kohën. A është koha pjesë e jetës, apo është jeta pjesë e kohës
*A është koha ajo që krijon njerëzit, apo janë njerëzit ata që krijojnë kohën
*A janë ata që kanë jetuar gjatë dhe i numërojnë vetëm vitet e jetës, apo ata që kanë jetuar për gjysmë më pak, por që kanë vepruar, kanë shpikur, kanë lënë vepra të mëdha pas vetes, e jo si ata që kanë jetuar gjatë, pa bërë asgjë
*A është më e dobishme për njeriun në moshë të numëron vitet e jetës, apo të numëron frytet e jetës…
Janë këto disa nga mendimet që i krijova duke bërë mendim dhe meditim mbi jetën…por edhe duke u mbështetur në mendime të njerëzve të mëdhenj e të ditur, të atyre që konsiderohen Mendjet e Ndritura dhe quhen Njerëz të Përkorë.
Para se të krijoj mendimet e mësipërme, e detyrova veten time që të bëjë mendim dhe meditim*1), dhe kur i krijova këto, u detyrova që t’i nguliti në mendje, ngase më tha mendja: “O ti,…duhet të mbash në mend – që të mbushesh mend!”
Pas kësaj “më lindi” frika se mos nuk do t’i mbaja në mend dhe, për të mos i harruar, e luta mendjen që ajo të mi ruaj, por ajo më tha: “Duhet t’i përsërisësh vazhdimisht, jo vetëm përmendësh, por edhe me të folur, duke i lëvizur buzët dhe duke i thënë drejtë, pa i shtrëmbëruar!”
Kjo m’u duk pak sa e vështirë, jo pse ishte e zorshme që t’i përsëritja ato mendime që vet i kisha krijuar, por pse tërë këtë trup t’imin – kaq të madh e të fortë, ta urdhërojë një “grimë mendje”, e cila mendoj se është në kokën time!? Por, pas këtij mendimi, disi “më erdhi” …:” O ti,… mbaje në mend se forca pa mendje rrëzohet nga vet pesha e saj!”
U ndala dhe mendova: Hej, mendja qenka dirigjuese e krejt trupit… bëra aq mendim dhe meditim për ato mendime, e mos po i harrojë ato, ngase këto që po m’i thotë tash mendja, qënkan të thëna më të fuqishme sesa ato të miat!?
Por, veproja me thënien e parë që t’i përsëris vazhdimisht, jo vetëm në mendje por edhe me të folur, duke i lëvizur buzët…!
Dhe ashtu, duke i përsëritur ”më erdhi” disi kështu : ”…e shkruara mbetet, fjalët i merr era!” Dhe nxitova që ato që i përsëritja q’e t’i mbaja në mendje, menjëherë edhe t’i shkruaj, se ato të shkruarat po mbetkan e fjalët po ”fluturuekan”. Dhe kështu veprova. Tash, edhe atëherë, mendimet e krijuara ”kur më humbin nga mendja” më bie ndërmend dhe i gjëjë të shkruara. Përveçse kësaj, erdha gjerë të mendimi se:
(1) Mendimi krijon mendimin; se,
(2) Mendimet e njeriut janë sikurse pika uji me të cilat mbushet pusi, lumi, deti, oqeani. Po që se mendimet janë të mira (pozitive), njeriu lundron qetë mbi sipërfaqen e lumit, detit, oqeanit. Po që se mendimet janë këqija (negative), njeriu do të fundoset shpejt në thellësinë e lumit, detit, oqeanit;se
(3) Mbështetja në paragjykime pëshon në të vërttën, aq sa edhe asgjëja; se
(4) Mbështetu në mendimet tua, se po u mbështete në të huajat, të mori lumi; se
(5) Suksesi edhe mund të arrihet me durim, por rezultati arrihet me punë dhe me mund, e pastaj vjen lehtësimi.
Pasi e shpjegova pak sa lidhur me mendimin, po përpiqem që të jap opinionin tim lidhur me meditimin*1) e po ashtu edhe për mësimin*2).
*
*(1) Meditimi
Meditimi shpie kah urtësia, mirësia, paqja e brendshme, një kthim kah fshehtësitë, kredhje*1) në vetvete për të shpaluar ndonjë të vërtetë religjioze, morale e artistike.
*1(kredhje-zhytje në mendime, në një gjendje nga është vështirë të dilet)
Përsiatja, meditimi, si përpjekje e brendshme për të njohur veten dhe vendin e vet në botë, është aktivitet plotësisht i kundërt nga mësimi, arsimimi, grumbullimi i njohurive mbi faktet dhe raportet e tyre. Meditimi shpie kah urtësia, mirësia, paqja e brendshme, kah një lloj i katarzës… Ky është një kthim kah fshehtësitë, kredhje në vetvete për të shpaluar ndonjë të vërtetë religjioze, morale e artistike. Anasjelltas, mësimi është i kthyer kah natyra për t’u njohur dhe për t’u ndryshuar kushtet e ekzistencës. Shkenca aplikon vëzhgimin, analizën, zbërthimin,eksperimentin, verifikimin, ndërkaq kontemplacioni paraqet njohjen e pastër (ke neoplatonizmi madje mënyrën mbiracionale të njohjes). Vëzhgimi kontemplativ është “i liruar nga synimet dhe dëshirat” (Schopenhauer), pra vëzhgim pa funksion, i liruar nga interesi, çfarë s’është asnjëherë shkenca. Kontemplacioni s’është qëndrim i shkencëtarit, por i mendimtarit, i poetit, i artistit, i murgut. Edhe shkencëtari njeh çastet e kontemplacionit, por jo në funksion të shkencëtarit, veç si njeri, si artist (sepse të gjithë njerëzit janë artistë në një farë mase). Meditimi ofron pushtetin mbi vetveten, shkenca mbi natyrën. Shkollimi ynë ndërton vetëm civilizimin tonë dhe vetë ai nuk kontribuon kulturën tonë.

Sikur që sot mësohet shumë, përsëritet, pasohen disiplinat shkencore, ashtu dikur meditohej shumë. “Të urtit, të kredhur në meditim, nuk vërenin, as dëgjonin ata që i shqetësonin me pyetje” (J. Payot: Arti për të qenë njeri). Legjenda thotë se para njohjes së madhe Buda mbeti në breg të lumit tri ditë e tri netë i kredhur në meditim, pa qenë i vetëdijshëm për kalimin e kohës. Kurse Ksenofonti na ka lënë një rrëfim të ngjashëm për Sokratin: “Një mëngjes meditonte për diçka, pa i gjetur zgjidhje; nuk donte të dorëzohej, prandaj vazhdoi të meditonte që nga agu deri në mesnatë dhe qëndronte si i mbërthyer, i thelluar në përsiatje; ndërkaq rreth mesnatës e vunë re dhe përshpëritja pushtoi turmën se Sokrati rri dhe mediton për diçka që nga agimi. Më në fund, në mbrëmje pas darkës, disa jonianë nga kërshëria nxorën rrogozat e vet dhe bujtën nën qiellin e hapur për të pasur mundësi ta kundrojnë dhe të shohin se a do të qëndrojë tërë natën. Ai qëndroi aty deri në mëngjesin pasues, kurse me t’u kthyer dita, bëri uratën dhe mori rrugën e vet” (Ksenofont, Gostia, 220). Galileu, profeti i civilizimit evropian, tërë jetën qe pushtuar nga çështja e rënies së trupave, kurse Tolstoi tërë jetën meditoi për njeriun dhe fatin e tij. Nëse konstruktori i aeroplanit ose i anijes me avull është dashur së pari të mësojë e të eksperimentojë shumë, Buda, Sokrati, Seneka, Gazaliu, Rumiu, Firdusi, Shakespearei, Dostojevski, Hugoi është dashur të meditojnë thellë dhe t’i përjetojnë botët e tyre.

Mësimi dhe meditimi janë dy aktivitete të ndryshme. I pari e solli Newtonin deri te zbulimi i ligjit të gravitacionit, i dyti Beethovenin te krijimi i Simfonisë 9-të.
Në kundërshtinë ndërmjet meditimit dhe mësimit përsëritet edhe një herë kundërshtia ndërmjet natyrës dhe botës, shpirtit dhe intelektit ose – kulturës dhe civilizimit.
Tekefundit, në natyrë e gjejmë edhe botën edhe njerëzit, në të vërtetë, gjithçka tjetër përveç vetvetes, Unit, personalitetit tonë.
Ndërkaq pikërisht përmes Unit tonë ne jemi të ndërlidhur me pafundësinë. Përmes Unit tonë, dhe vetëm përmes këtij, ne ndiejmë lirinë dhe mund të shikojmë botën tjetër të madhe, banorë të së cilës jemi njëkohësisht.

Vetëm Uni mund t’i dëshmojë vetvetes se bota e frymës dhe e lirisë ekzistojnë.
Pa Unin, pa vetveten, mbetem pa dëshmitarin e vetëm dhe të fundit për një botë jashtë botës së natyrës. Sepse pa mua, gjithçka tjetër është e jashtme dhe fanitëse.
Meditimi është ajo kredhje në vete, përpjekje që përmes qenies së vet të kapet dhe të gjendet rruga deri te e vërteta për jetën e vet dhe për ekzistencën në përgjithësi. Ai nuk përpiqet të përgjigjet në problemet e shoqërisë a të njerëzimit. Është fjala për çështjet që njeriu ia parashtron vetvetes.
Hollë e hollë, meditimi as nuk është funksion i intelektit. Shkencëtari që konstrukton tipin e ri të aeroplanit ose që në kokën e vet përpunon detajet e projektit të ndonjë ure a të ndonjë konstruksioni, nuk mediton. Ai mendon, hulumton, verifikon, krahason dhe këto, as veç e veç, as të tërat bashkë, nuk janë meditim.

Mediton shkrimtari, murgu, poeti, mendimtari, artisti. Këta të fundit përpiqen ta arrijnë të vetmen të vërtetë të madhe, të vetmen fshehtësi të madhe. Kjo e vërtetë do të thotë gjithçka dhe asgjë: gjithçka për një shpirt, asgjë për tërë botën tjetër.
Për këtë arsye meditimi më shumë është aktivitet religjioz. Për Aristotelin dallimi ndërmjet mendjes dhe kontemplacionit është dallimi ndërmjet njerëzores dhe hyjnores. Në budizëm urata tërësisht përbëhet nga meditimi dhe kështu manifestohet. Në krishterim hasim “rendet kontemplative” të murgjve, një dukuri krejtësisht të zakonshme. Ndërkaq Spinoza flet për kontemplacionin si formë më e lartë dhe njëkohësisht si qëllim më i lartë i moralitetit.
*(2) Mësimi dhe Arsimimi
Vetvetiu arsimimi nuk i edukon njerëzit. Ai nuk i bën më të lirë, më të mirë, më humanë; ai i aftëson, i bën më efikas, më të dobishëm për shoqëri. Sikur dëshmon edhe përvoja historike, njerëzit e arsimuar, popujt e arsimuar, mund të jenë objekt i manipulimit dhe mund t’i vëhen në shërbim ligësisë, por atëbotë shumë më me efikasitet sesa të prapambeturit. Historia e imperializmit është varg i rrëfimeve të vërteta ku shihet se si popujt e civilizuar kanë zhvilluar luftë të padrejtë, shfarosëse dhe robëruese kundër popujve më pak të arsimuar e të prapambetur, që mbronin lirinë e vet. Civilizuesja e agresorit s’pati asnjë ndikim në qëllimet dhe metodat e tij. Ajo pati ndikim në efikasitet dhe vetëm përshpejtoi disfatën e viktimave.

Mirëpo arsimimi nuk është fenomen njëdimensional. Po e vështruam më me kujdes, do të vërejmë tek ai dy tendenca të ndryshme, të barabarta, por të pavarura.
Arsimimi shkollor në botën e civilizuar është tepër intelektual, shkencor, kurse tepër pak shpirtëror, humanist. Nëse përdorim termat e zakonshëm, mund të thoshim se është tepër ekzakt dhe fare pak klasik. Sot është fare e mundshme të marrim me mend të riun që ka kaluar të gjitha shkallët e arsimimit, duke filluar nga foshnjorja deri te kolegji, por të mos ketë dëgjuar në asnjë rast të vetëm se duhet të jetë njeri i mirë dhe i drejtë. Së pari ai ka mësuar shkrimin dhe veprimet e llogaritjes, pastaj fizikën, kiminë, etnologjinë, gjeografinë, teoritë politike, sociologjinë dhe një sërë të tërë shkencash të tjera. Ai ka përvetësuar një masë faktesh dhe, në rastin më të mirë, ka mësuar të mendojë, mirëpo ai s’është fisnikëruar. Gjithnjë e më pak dëgjojmë historinë, artin, letërsinë, etikën, të drejtën.

Në raport me civilizimin, arsimimi ekzakt shfaqet edhe si shkak edhe si pasojë e tij. Kjo formë e edukimit përgatit anëtarin e shoqërisë (individin shoqëror) dhe në të gjitha aspektet e veta përcaktohet me këtë masë. Ky edukim është i drejtuar kah caku i qartë, i interesuar, i angazhuar për të pushtuar natyrën, botën e jashtme. Edukimi klasik, përkundrazi, fillon dhe mbaron me njeriun, ai ka “qëllim të paqëllim”.
Arsimimi ekzakt – arsimimi klasik s’është çështje teknike, por ideore.
Pas saj është qëndrimi, është një filozofi. Në këto dy sisteme edukimi projektohet kundërshtia ndërmejt kulturës dhe civilizimit me të gjitha pasojat e veta. Shoqëria e krishterë do të anojë gjithnjë nga forma klasike e arsimimit, kurse shoqëria socialiste nga ajo ekzakte.
Formë specifike e arsimimit ekzakt është specializimi. Ta marrim, para së gjithash, se intelekti, shkenca dhe industria përbëjnë një linjë dhe se qëndrojnë në marrëdhënien e ndërsjellë të shkakut dhe të pasojës.
Shkenca është rezultat i intelektit ashtu siç është industria vetëm formë e aplikuar e shkencës. Të trijat janë kushtet dhe format e orientimit të njeriut në natyrë, në botën e jashtme. Specializimi është një tendencë që ka për qëllim përshtatjen sa më të madhe e më të themeltë të individit në skemën e shoqërisë, në mekanizmin shoqëror. Ai degradon personalitetin, mirëpo forcon shoqërinë, e bën më efikase. Shoqëria e merr përsipër rolin e tërësisë, ndërkaq njeriu bëhet pjesë e mekanizmit shoqëror, madje gjithnjë e më e vogël. Atomizimi i punës dhe zhvetësimi i njeriut si subjekt i punës në lëvizjen e vet progresive synojnë gjendjen ideale të utopisë.
Teoricieni i njohur amerikan i ekonomisë dhe sigurisht njohësi më i mirë i sistemit industrial në botë, John K. Galbraith, shkruan:
”… Natyrisht, arsimimi i sotëm i lartë me themel u është përshtatur nevojave të sistemit industrial… Namin e madh që kohëve të fundit kanë shkenca e pastër dhe e aplikuar e matematika, është vetëm shprehje e nevojës së teknostrukturës…, kurse nami më i vogël i artit dhe i shkencave humaniste dhe përkrahja më e vogël që marrin është shprehje e rolit të tyre të nënrenditur… Shkollat teknike dhe afariste çmohen për shkak të karakterit utilitar…
Sistemi industrial nxiti zgjerimin e madh të arsimimit.
Këtë gjë vetëm mund ta përshëndesim. Mirëpo, nëse tendencat nuk shihen qartazi dhe nuk kundërshtohen, sistemi do t’i mbështetë vetëm ato aspekte të arsimimit të cilat i duhen më së tepërmi sistemit dhe të cilat dyshojnë më së paku në qëllimet e tij (John K. Galbraith The New Industrial State, Boston).
Ç’janë karakteristikat e përbashkëta të sistemit shkollor nga të gjitha anët?
Këtu para së gjithash hyn seleksionimi i rreptë që shpie deri te garimi destruktiv; gjuha artificiale “specialiste” çfarë kultivon shumica e disiplinave dhe funksionalizmi i rreptë i arkitekturës së godinave shkollore e bërë ekskluzivisht sipas kritereve utilitare dhe higjienike. E tëra kjo sepse shkolla është në shërbim të burokracisë dhe të sistemit konkurrues industrial, për të cilin lypset përgatitur ekspertët që do të shërbejnë më së miri dhe do të zhvillojnë edhe më tej këto mekanizma. Apelet për “shkollë humane” që dëgjohen aty-këtu tani për tani janë vetëm dëshira të bukura.
Po qe se do të duhej të vlerësojmë përmbajtjen kulturore të arsimimit shkollor, do të thoshim: shkolla është pjesë përbërëse e civilizimit; ajo kontribuon kulturën vetëm nëse nuk është dresurë, nëse zhvillon mënyrën e të menduarit kritik, nëse i lë hapësirë lirisë shpirtërore të njeriut. Shkolla që servon dhe imponon zgjidhjet e gatshme etike e politike, nga aspekti i kulturës është barbare. Ajo nuk krijon personalitete të lira, veç të nënshtruara dhe si e tillë mbase kontribuon civilizimin, por e shpie prapa kulturën.
Mbi mësimin dhe arsimimin, dua të besoj se,
1. Arsimimi është aftësia më themelore, e cila dallon të rëndësishmen nga e parëndësishmmja, dhe, çdo njërën duhet marrë seiozisht.
2. Vetëm arsimimi, pa pasur zemrën dhe shpirtin e arsimuar, është njëfarë shkolle me dituri, por pa ndërgjegje dhe mund të konsiderohet mëkati mi madh i trurit të njeriut.
3. Mësimin dhe edukimin, njeriu i gjen gjatë udhëtimit.
4. Mësimi është hapi i parë në jetën e njeriut.
5. Mësom ti mua, t’i njoh njerëzit e mi!
Dhe, për në fund të kësaj pjese, po theksoj se,
1. Civilizimi arsimon, kultura edukon, çfarë nënkupton se,
2. Civilizimi kërkon mësim, kultura kërkon meditim.
( v i j o n )
Contakti me autorin, E-post: ekspertimh@hotmail.com