Adrian Thano
Stefani, Lubonja, Mustafa Nano janë si ishuj të vegjël lirie. Liria është shkaku pse ata nuk janë sot të kamur në atë masë që meriton statusi i tyre social. Shumë të tjerë, ama, që gjithashtu i drejtohen rregullisht nga ‘ballkonet’ e medias opinionit publik në Shqipëri, janë. Kjo historia e kamjes së disave në komunitetin e medias dhe skamjes si ndëshkim për ata që kanë të shenjtë lirinë është dëshpëruese. Sa herë e mendoj, më kujtohet historia e Senekës.
Filozofët e dikurshëm kanë qenë ose mësues shkolle që fitonin aq sa për të jetuar ose bufonë që mbaheshin me rrogë nga pasanikët qejflij. Madje shumë ishin dhe skllevër. Se ç’dilte prej tyre kur “u shkonin punët mirë” këtë na e tregon pikërisht shembulli i zotit Seneka. Ky stoik që predikonte virtytin dhe përkorjen ishte kryeintriganti i oborrit të Neronit (dhe në oborrin e Neronit nuk mund të bëhej pa servilizëm). Ai kishte shkëputur nga Neroni dhurata në të holla, prona, kopshte, pallate dhe ndonëse predikonte varfërinë e Llazarit të ungjillit, në të vërtetë ishte si pasaniku i së njëjtës parabolë. Vetëm kur Neroni u mat ta zinte për gryke, ai iu lut perandorit që t’ia merrte përsëri të gjitha dhuratat, sepse atij i mjaftonte… filozofia e tij.
Kanë qenë në çdo epokë dhe në çdo vend shumë të rrallë ata që fshikullojnë pa interesa pushtetarët apo bashkëkohësit e degjeneruar. Jemi me fat që kemi ende disa si ata që përmenda më lart. Më poshtë, një bisedë me Andrea Stefanin:
Stefani, fiton opozita në 2013?
Opozita ka disa zgjedhje që fiton por rezultati është manipuluar dhe grabitur nga një pushtet saleban. Në 2013 të gjitha shenjat tregojnë se ajo do dalë fituese. Pushteti është më i dobët se kurrë. Kriza ekonomike dhe thellimi i pasojave të saj në kurriz të shqiptarëve për shkak të korrupsionit qeveritar, e kanë rritur dukshëm pakënaqësinë e njerëzve ndaj qeverisë.
Mjaftojnë ndërkombëtarët si garanci për një rotacion paqësor të pushtetit? Çfarë tjetër veç ndërkombëtarëve mund ta shpëtojë shoqërinë shqiptare, ne të gjithëve, nga një mospranim rezultati sic ndodhi në zgjedhjet e fundit lokale ku pas daljes së rezultati nisi dhuna, presioni, propaganda, marifete gjykatësish, vënia para faktit të kryer… Ku dhe sa janë garancitë që kjo lemeri të kapurish me thonj e dhëmbë pas pushtetit nuk përsëritet, nëse vota popullore u thotë, ikni?
E vërtetë që problemi që shqetëson është vjedhja e votës nga pushteti. Por tashmë edhe të huajt po ndërgjegjësohen se pas diktaturës komuniste Shqipëria ka hyrë në një tjetër diktaturë, atë të votës së vjedhur. Shqipëria ka vuajtur përgjatë gjithë këtij tranzicioni nga manipulimi kronik i zgjedhjeve por qeveria e sotme Berishës e ka shndërruar vjedhjen e votës në sistem me anë të kapjes së kreut apo shumicës në të gjithë institucionet e administrimit zgjedhor. OSBE shprehu frikën se zgjedhjet e ardhshme do të jenë të egra.
Egërsia nënkupton një përleshje për votën. Opozita do përpiqet të mbrojë votën nga një diktatura e një pushteti që ushqehet me votën e vjedhur. Që tani Berisha, ky veteran i manipulimit të zgjedhjeve, ka të qartë në kokën e tij një plan për grabitjen e votave. Që sot ai po formëson alibinë e vjedhjes së votës duke deklaruar me vendosmëri se PD do të fitojë një mandat të tretë radhazi. Përveçse presion psikologjik mbi opozitën dhe elektoratin, këto deklarata të forta, tentojnë të fshehin dobësinë e Berishës dhe pushtetit të tij. Ndërkombëtarët mund të bëjnë shumë për të mundësuar zgjedhje të lira e të ndershme dhe shmangur katastrofën.
Pra, garanci të tjera veç ndërkombëtarëve?
Për mua faktor vendimtar do të jenë vetë shqiptarët e pakënaqur. Të pakënaqur jo vetëm nga qeverisja 8 vjeçare por edhe nga një konflikt politik 23 vjeçar. Do të varet shumë se sa ata do të dalin të votojnë kundër Berishës që me gjakimin e tij për pushtet pa fund, mbetet zemra e konfliktit politik në Shqipëri. Sa më shumë të jenë votat kundër Berishës aq më të vështirë do ta ketë ai të vjedhë me sukses. Nëse vërtet duan të mos përsëritin të kaluarën me “Enverë” që nuk largohen nga pushteti sa të jetë jeta, shqiptarët duhet ta mbysin në lumin e votave të ndershme, diktaturën e votës së vjedhur që po krijohet. Çdo votë për ta nxjerrë Shqipërinë nga kurthi autokratik dhe për ta rifutur në shtegun e demokracisë dhe integrimit! Kjo duhet të jetë motoja e gjithë partive të opozitës pavarësisht nga flamujt, krahët dhe ideologjitë.
Flasim për atë që po ndodh: Ministri që nuk pranojnë të kontrollohen nga parlamenti. Pushtete që injorojnë plotësisht detyrimet e tyre ligjore, kërcënime verbale pa asnjë kufi etik dhe me lehtësi gati tallëse ndaj opozitës, dhunë ndaj mbështetësve të saj. Plus është bërë një fyerje e përditshme për inteligjencën sjellja që në një artikull tuajin ju e përcaktoni si “motoja naziste: akuzo rivalin tënd politik për krimin që sapo ke bërë vetë”. Dhe të mendosh që është një mazhorancë fare e brishtë. Si shpjegohet ky agresivitet? Ka të bëjë me presionin e pamjaftueshëm të opozitës? Është agresivitet i lindur nga paraja, nga pushteti nën abuzim dhe në rrethana mungese ndëshkimi? Çfarë është? Dhe ku çon?
Është arroganca e një pushteti të korruptuar që është frikësuar nga dobësia e vet. Bërtet që të mposhtë frikën, si njeriu i vetmuar në errësirë, por edhe që të ngjallë frikë. Pushteti ndjen dhe sheh gërryerjen. Nuk është vetëm humbje e simpatisë në masë. Berishës po i kthejnë shpinën bashkëpunëtorë të afërt shumëvjeçarë si Bamir Topi. Ai tani kundërshtohet edhe nga shtresa e të përndjekurve politikë që ndihet e mashtruar prej tij. Ky pushtet i dobët përpiqet të gjejë forcë te propaganda e rreme me media dhe gazetarë të blerë si dhe te një qeverisje (nëse mund të quhet e tillë) me profil të qartë tiranik.
Një tirani e manifestuar hapur jo vetëm nga shumica dhe folësja Topalli në Kuvend, por edhe në qëndrimin ndaj institucioneve dhe shtetit në tërësi. Eshtë tirani dhe jo demokraci të imponosh me votë të thjeshtë të shumicës që Presidenti i Republikës të jetë një besnik i kryeministrit dhe jo një besnik i Kushtetutës, i publikut pra edhe i shtetit. Eshtë tirani dhe jo demokraci të caktosh në krye të shërbimit informative një fanatik të kryeministrit dhe jo një fanatik të shtetit. Eshtë tirani dhe jo demokraci që të pengosh me demagogji vulgare kryeprokurinë të zbatojë misionin e saj kushtetues për ndalimin e disa krerëve të Gardës pas vrasjes nga këta të fundit të demonstruesve paqësorë në 21 janar.
Eshtë tirani dhe jo demokraci të akuzosh fakte, më saktë të shpifësh, për institucione të shtetit (presidentin, kryeprokuroren) se kanë organizuar një puç kundër pushtetit. Eshtë tirani që të përpiqesh të caktosh në postin e kryeprokurorit një besnik tëndin në mënyrë që të mbrosh korrupsionin e qeverisë tënde. Eshtë tirani të pengosh reformën parlamentare me frikën se kjo do t’i jepte më forcë opozitës dhe do ta bëjë më të pamundur tiraninë e shumicës. Dhe të gjithë këtë tirani, Berisha përpiqet ta maskojë duke akuzuar opozitën. Eshtë taktika e njohur e Hitlerit që dogji Rajhshtagun për të akuzuar opozitën për djegien e Rajhshtagut.
I toleron vetë piramidat financiare për vite me radhë, madje sponsorizohet nga ato, dhe pastaj kur shteti thërrmohet për shkak te krizës së piramidave, deklaron se piramidat i ngriti opozita. Çdo sugjerim të opozitës për kufizimin e pushtetit të tij dhe shumicës së tij tiranike, e damkos si “tirani të pakicës”. Eshtë vetë pengesa kryesore për integrimin e Shqipërisë ndërsa akuzon opozitën si bllokuese të integrimit. Organizoi një grusht të armatosur shteti në 1998 dhe akuzoi kundërshtarët në pushtet se ishin ata shkaktarët që vetë ai hodhi njerëzit në sulm. Për të mbërritur te paradoksi më i fundit që edhe pse është në qeveri, dhe dihet botërisht që qeveritë janë burimi kryesor i korrupsionit, përpiqet të dalë përsëri me flamurin e antikorrupsionit si 8 vjet më pare kur ishte në opozitë!
Duket sikur funksionon ndonjëherë…
Jo, ajo kohë ka perënduar. Qoftë edhe vetëm ndriçimi i benzave të zinj qeveritarë në sfondin e mjerimit masiv, është tregues i mjaftë i pasurimit korruptiv të qeverisë “me duar të pastra”. Tani shumica e shqiptarëve e ka të qartë se kush pasurohet skizofrenisht me paratë e tyre duke ju grabitur kafshatën e fëmijëve, fondet e spitaleve të kalbura, pensioneve mjerane, shkollave të varfra.
Ekonomia si po shkon në analizën e Stefanit?
Të gjithë treguesit makroekonomikë janë përkeqësuar ndjeshëm. Mbi të gjitha borxhi publik që ka arritur në kufijtë alarmantë të 60 përqindëshit duke parathënë një kolaps sipas skenarit grek. Eshtë një rritje e frikshme që ka në rrënjë investime aventuroze të tipit faraonik dhe me natyrë korruptive si ai i rrugës Durrës – Kukës që qeveria e maskon me gjoja qëllime patriotike dhe “kombëtare”. Qeveria mburret se ka mbledhur më shumë të ardhura nga taksat krahasuar me vitin 2005. Por çështja kryesore është si përdoren paratë e taksapaguesve shqiptarë. Skandali i fundit, ai me reklamat e privilegjuara në media, tregon se këto para përdoren jo me logjikën e fuqizimit të shtetit por me atë të fuqizimit të pushtetit dhe pasurimit të pushtetarëve. Ky është korrupsioni me paratë publike.
Por publiku njihet përditë me përqindje dhe statistika entuziaste. Bëhen krahasime deri me Zvicrën, Norvegjinë. Qëndrojnë sadopak?
Pavarësisht manipulimit të statistikave ka dukuri që nuk i fsheh dot kollaj. Shikoni punësimin që është themelor për jetën dhe lumturinë e njerëzve. Papunësia, me gjithë manipulimin e statistikave, ka mbetur e pa lëvizur rreth 13 përqindëshit. Gjë që nuk do ishte kështu nëse Berisha do kish mbajtur premtimin e bërë shqiptarëve për 160 mijë vende pune. Shumë shpejt do dëgjoni të thotë se papunësia është ulur nga aktivitete të ekonomisë së zezë si për shembull, punësimi i shqiptarëve si bebisitera. Një qeveri e paaftë për të gjeneruar punë do mbështetet për shpëtim te gënjeshtra. Por është fakt se papunësia mbetet gangrena e shoqërisë shqiptare, shkaku kryesor, së bashku me korrupsionin, i polarizimit të frikshëm të shqiptarëve në një grusht miliarderësh e milionerësh nga njëra anë dhe në masa njerëzish që jetojnë me rroga shumë të ulëta e deri pensione 100 euro në muaj. Papunësia është një nga rrënjët e kriminalitetit në rritje. Tashmë Shqipëria është vendi me numrin më të madh të vrasjeve për 100 mijë banorë në rajon. Ndërkaq korrupsioni dhe moszbatimi i ligjit lidhur me kolateralin, duke rritur kreditë e këqia se e kanë vështirësuar shumë kreditin, një nga mjetet kryesore për të luftuar krizën nga krahu i kërkesës.
Me këmbëngulje të pazakontë përsëritet që Shqipëria nuk është prekur nga kriza. Realisht është prekur? A mund të flasim me shifra dhe fakte mbi këtë?
Ky mit po rrëzohet nga vetë deklarimet e Bankës së Shqipërisë apo ministrat e Berishës. Mbi të gjitha janë faktet e jetës që rrëzojnë mitin se gjoja ekonomia e Shqipërisë qenka si një Akil që nuk i ngulen shigjetat e krizës. Njerëzit po jetojnë sprovën e trishtë të pasojave të krizës të thelluara pikërisht për shkak të korrupsionit dhe paaftësisë së qeverisë. Ata e kuptojnë se me një qeverisje më të mirë dhe më të pastër, do ta kishin patur më të lehtë, ndaj personalisht përsëris se kam bindjen se akoma më shumë shqiptarë do votojnë kundër kësaj qeverie në zgjedhjet e ardhshme. Por e keqja më e madhe e qeverisjeve të Berishës nuk është dështimi në rrafshin ekonomik.
Ndërrimi i kësaj qeverie do qe domosdoshmëri edhe sikur ajo të kishte patur sukses në rrafshin ekonomik. Sepse ajo po e zhyt vendin në autokratizëm duke rrezikuar europianizimin real të Shqipërisë. Berisha po tenton të krijojë në Shqipëri modelin e një pushteti që nuk ndërrohet me votë. Si në Kinë, Rusi apo Bjellorusi. Prandaj në këtë rast nuk mjafton të gjykosh vetëm mbi faktorin ekonomik. Sepse edhe Hitleri, edhe Musolini patën sukses në vitet e para të qeverisjes në fushën ekonomike, zhdukën papunësinë, ndërtuan rrugë dhe autostrada, fabrika e hidrocentrale. Por a nuk do të kish qenë më mirë që gjermanët dhe italianët ti kishin përmbysur me kohë këta diktatorë duke ndjekur arsyen e lirisë, të pa verbuar nga begatia nazifashiste?
Paratë e privatizimit të Albpetrol ndikojnë? Ka bazë gjykimi që janë aq shumë sa mund të mjaftojnë për të mbajtur në pushtet Berishën, pavarësisht gjithçkaje tjetër?
Keq qeverisja i ka degraduar financat publike në një pikë kritike. Kudo ndihet paaftësia paguese e shtetit. Në këtë kuptim, një privatizim me shifra si ato që janë publikuar nga tenderi i Albpetrol, do të ishte një transfuzion shumë i ndjeshëm për financat e rrënuara nga qeveria. Por nuk mendoj se ajo do arrijë të mbushë me këto para, të gjithë gropat që vetë ka krijuar. Nga ana tjetër do jetë e qartë për shumë shqiptarë se “mrekullia” ekonomike që do të përpiqej të krijonte Berisha pak muaj para zgjedhjeve duke përdorur një pjesë të këtyre parave, nuk do ishte meritë e mirëqeverisjes por e koncesionimit të një prej pasurive më të mëdha natyrore. Por ju kujtoj përsëri, vota pro ose kundër qeverisë në zgjedhjet e ardhshme nuk duhet të jetë thjesht gjendja ekonomike por raporti me lirinë dhe demokracinë.
Shqiptarët do votojnë për natyrën e qeverisjes, për demokracinë apo autokracinë, nëse do të jenë të lirë apo të shtypur, nëse do shkojnë në Europë apo përsëri në Azi? Në këtë kuptim dua të nënvizoj si një gabim të PS zhvendosja, kohët e fundit, e fokusit opozitar nga çështjet parimore e lirisë dhe demokracisë, tek problemet ekonomike. Ekonomia nuk duhet nënvleftësuar por akoma më e pafalshme është të nënvleftësohet rrafshi politik i problemit, dhunimi i lirisë dhe demokracisë nga një pushtet gjithnjë e më autokratik.
Ju keni qenë një nga analistët që jeni shprehur shumë herë kundër që opozita të hiqte dorë nga paketa shoqëruese si kusht për votimin e heqjes së imunitetit. E megjithatë opozita lëshoi edhe këtu. Bëri gabim?
Opozita ka qenë e qartë për rreziqet që mbart kufizimi i imuniteteve në kushtet kur nuk ka një gjyqësor të pavarur dhe kur së shpejti, për shkak të ndryshimeve të Kushtetutës, Berisha bëhet gati të vendosë një delfin të tij edhe në krye të prokurorisë. Por në kërkesën e saj të drejtë ajo nuk ka patur mbështetjen e ndërkombëtarëve. Ajo që ndodhi është një tjetër fitore e autokratizmit dhe unë nuk mund të eci me optimizmin bosh që qarkullon këto ditë në formën: Berisha nuk bën më nga ato budallallëqet e dikurshme kur plaste në burg kreun e opozitës Fatos Nano. Mendoj se Berisha mezi pret të marrë zyrën e kryeprokurorit. Do ta përdorë jo vetëm për të bërë shantazh mbi opozitarët por edhe për të përmirësuar disi bilancin me tolerancë jo “0” por 100% përsa i përket korrupsionit të madh në nivel deputetësh, ministrash, zv.kryeministrash dhe kryeministrash.
Në nivel zv.ministrash, – tha dy javë më parë znj.Topalli…
Pikërisht… Ajo që sapo shprehu Topalli tregon se ka një skenar “antikorrupsion” për ca koka turku në nivel deputetësh dhe zv.ministrash. Kjo gjë nuk do të ndodhë, të paktën para zgjedhjeve të vitit 2013, nëse Berisha pranon që mandati i Ina Ramës nuk mbaron në nëntor të këtij viti por në maj të viti që vjen. Nëse Berisha këmbëngul ta largojë Ina Ramën në nëntor, ky do të jetë treguesi së ai ka në kokë një skenar gjuetie shtrigash kundër opozitës që për “paanshmëri” do balancohet edhe ma ca koka turku në nivel zv.ministrash. Nëse nuk duan që kjo të ndodhë, ndërkombëtarët duhet të ngulin këmbë që kryeprokurori i ardhshëm të jetë një jurist i zgjedhur me konsensus.
Kur thoni kulaç-kërbaçi i BE nuk funksionon me një si Berisha, çfarë keni parasysh?
Atë që thashë pak më sipër, që BE kanë përdorur deri tani më shumë kulaçin sesa kërbaçin për një autokrat si Sali Berisha. Por duket se kësaj faze po i vjen fundi. Europianët mund të bëjnë një sy qorr sa kohë t’i je larg oborrit të tyre por kur t’i ju troket në derë për t’u bërë pjesëtar i familjes së tyre, nisin e të kontrollojnë dhëmbë e dhëmballë sepse ndryshe, ja fusin vetes. Si në rastin e Greqisë apo Rumanisë. Nëse në BE do vazhdojnë të bëjnë sikur nuk e shohin autokratin me brirë në pushtet, kjo do të ishte shenja e trishtë se nuk kanë ndërmend fare ta integrojnë Shqipërinë dhe se procesi i integrimit është një lojë si “puna e komisarit”.
Kritik së fundmi një raport i OSBE. SHBA kanë shtuar dozën e kritikave publike. Por kur vjen puna te qëndrimet e të huajve, njerëzve po t’i pyesësh ka filluar u shkon mendja përherë e më shpesh te lobimi, lobuesit, paratë. Si duket, një lloj shpëtimi për pyetjen pa përgjigje: si është e mundur të qeverisin kaq keq dhe të vijojnë të mbështeten nga ndërkombëtarët. Një pyetje ndoshta naive. Kur bëhet fjalë për vende kaq të vogla sa Shqipëria, a mund të bëjnë këto lobimet, mrekulli, t’i bëjnë arbitrat tanë të mbyllin sytë? Ku është kufiri moral i lobimit?
Eshtë e vërtetë se ndërkombëtarët kanë bërë disa gabime strategjike lidhur me Shqipërinë. Veçanërisht pas vitit 1997 kur ata nxorën si përparësi jo fuqizimin e institucioneve të demokracisë po thjesht stabilitetin politik. Duket se në vendimmarrjen e tyre lidhur me Shqipërinë prevalon përsëri nevoja për një stabilitet më të gjerë në rajon, gjendja në Kosovë dhe probleme të tjera të këtij lloji. U ka mjaftuar që qeveritarët dhe diplomacia shqiptare të jenë konstruktivë në këto rrafshe. Gjendja reale e demokracisë dhe lirive në vend ka peshuar më pak rëndësi për ta. Nën këtë optikë u bë edhe pranimi i Shqipërisë në NATO. Nën këtë optikë ndërkombëtarët toleruan edhe ndryshimet e Kushtetutës në vitin 2008 me konsensusin e Sali Berishës dhe Edi Ramës. Sot, disa nga ndërkombëtarët, pranojnë publikisht se ajo ka qenë “reforma” më katastrofike për fatet e demokracisë. Por ndërsa injoruan standardet demokratike për pranimin e Shqipërisë në NATO, vështirë se mund të tolerojnë që Shqipëria të integrohet në BE pa u evropianizuar realisht.
Po statusi kandidat…?
Natyrisht, për “takt” koniuktural, apo për çfarëdo shkaku tjetër, Shqipërisë i jepet një status kandidati me kusht. Kjo do përbënte një shans për ne nëse do kishim në krye një qeveri që përpiqet realisht për europianizimin. Por në kushtet kur kemi në krye një autokrat që ka një axhendë të fshehtë, krejt të kundërt me integrimin europian të Shqipërisë, dhënia e statusit, qoftë edhe me kusht, nuk mund të mos jetë edhe si një karotë në gojën e gabuar. Berisha, pengesa kryesore në këto 20 e kusur vjet për marrjen e këtij statusi, ka nis një propagandë të shfrenuar për të përvetësuar meritat për marrjen e statusit. Por ky dizavantazh do eliminohet shpejt nëse ndërkombëtarët i përmbahen me vendosmëri kushtit që thuhet se do të venë, organizmit të zgjedhjeve të lira e të ndershme.
Thuhet gjithmonë e më shpesh që “mbështetja blihet”. Sa mund të jetë e vërtetë kjo kur flasim për ndërkombëtarët?
Dolët në një pikë, të cilën unë doja të theksoja. Në qëndrimin e gabuar të ndërkombëtarëve ndaj çështjes së demokracisë dhe lirisë në Shqipëri, ka ndikuar jo vetëm politika e lobimit të kushtueshëm nga qeveria Berisha pranë institucioneve perëndimore, por edhe ajo e korruptimit të jo pak misionarëve dhe zyrtarëve perëndimorë që shfaqen si miq tradicionalë të Sali Berishës.
Pak rëndësi ka për ta nëse vret demonstrues, nëse kap gjithçka duke dhunuar ndarjen e pushteteve, nëse kap gjyqësorin duke penguar ndëshkimin e ministrave të korruptuar, ata janë deri në fund me Berishën. Në publik tashmë flitet për misionarë perëndimorë që kanë marrë vila në zona turistike dhe jo pak privilegje biznesi në Shqipëri. Punët arrijnë deri aty se edhe njerëz që ndodhen shumë larg realitetit shqiptar, si përshembull një kongresmen amerikan si Eliot Engel, qartazi krejt i pa informuar për punët në Shqipëri, jep gjykime të papërgjegjshme mbi gjendjen e demokracisë duke sugjeruar edhe “domosdoshmërinë” e heqjes së imuniteteve në Shqipëri.