Sikleti i Berishës me vizitën e Klintonit

0
42

Nga Mero Baze, 27 Tetor 2012

Vizita e Sekretares së Shtetit, Hillari Klinton, në rajonin e Ballkanit dhe qëndrimi i saj disaorësh në Shqipëri, plotëson një boshllëk serioz të diplomacisë amerikane për Shqipërinë, e cila për vite të tëra, për shkak të marrëdhënieve shumë të mira, ka qenë vepër e diplomatëve dhe nëpunësve të rangjeve të ulëta mes dy vendeve. Kjo është hera e katërt që SHBA dërgojnë Sekretarin e Shtetit në Shqipëri.

E para ka qenë vizita e Sekretarit Bejker, i cili u prit si hero në qershor të vitit 1991 dhe si simbol i shpresës për ndryshim të vendit që sapo kish dalë nga diktatura.

Vizita e dytë ka qenë ajo e Sekretares së Shtetit Ollbrajt, e cila vizitoi Shqipërinë në janar të vitit 2000, kur Shqipëria sapo kishte kaluar me sukses provën për menaxhim të krizës së Kosovës dhe po përpiqej të stabilizonte politikën dhe ekonominë e saj. Në atë vizitë Sekretarja Ollbrajt i dha një mesazh të fortë politikës shqiptare duke bërë thirrje për ndarje të saj nga krimi dhe shëndoshje të institucioneve, dhe bëri një gjest të fortë politik duke injoruar ish- liderin e opozitës, Sali Berisha, i cili e kish pritur në Tiranë dikur zonjën Ollbrajt në cilësinë e ambasadores së SHBA në OKB.

Vizita e tretë ishte ajo e zotit Kolin Pauell, i cili hodhi bazat e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, përmes Kartës së Adriatikut, kur ishte kryeministër Fatos Nano.

Vizita e zonjës Klinton është e katërta e një Sekretari Shteti në Shqipëri, pas rënies së komunizmit. Edhe pse zonja Klinton do të qëndrojë pak, ajo ka ndarë kohën mes qeverisë dhe opozitës dhe pritet që, sipas zëdhënëses së saj, të flasë për kulturën e zbatimit të ligjit dhe forcimin e institucioneve në Shqipëri.

Paralajmërimi i zëdhënëses së saj na lë të kujtojmë se zonja Klinton ka marrë letrën dëshpëruese të ish- të përndjekurve politikë, të cilët i shpjeguan asaj një javë më parë se kanë hyrë në grevë jo për disa lekë më shumë, por për të ndëshkuar kulturën e moszbatimit të ligjit në Shqipëri dhe ndaljen e persekutimit dhe racizmit ndaj kësaj kategorie në shoqërinë shqiptare. Po ashtu, ndryshe nga Ollbrajt, Klinton do të takojë dhe liderin e opozitës, çka përbën një diferencë të madhe mes përpjekjeve që zoti Berisha bën për ta paraqitur zonjën Klinton, si një politikane biznesmene, për të cilën ai paguan lobistët e vet në Uashington.

Përveç deklaratës zyrtare të zëdhënëses së saj, ne nuk mund të hamendësojmë se çfarë do të bisedojë zonja Klinton në Tiranë, por ajo gjendet përballë disa kurtheve të vogla, të cilat mund ta deformojnë thelbin e vizitës së saj.

Së pari, ajo vjen në Shqipëri në një kohë kur kryeministri i këtij vendi ka uzurpuar gjithë institucionet dhe këto ditë pritet të shkarkojë dhe prokuroren e përgjithshme. Zonja Klinton ndoshta do ta ketë të vështirë të ndërhyjë personalisht në këtë çështje, por e sigurt është se Berisha ka hapur fjalë qysh tani se Ina Rama do të ikë menjëherë pas vizitës se Klintonit, dhe kjo do të paraqitet si një leje e dhënë prej SHBA për shkarkimin e saj.

Së dyti, zonja Klinton vjen në Shqipëri disa ditë pas një greve vetëmohuese të ish- të burgosurve politikë, të cilët shkuan drejt akteve vetëflijuese. Sali Berisha nuk pranoi t’i priste për të biseduar me ta, edhe pse ambasadori i SHBA bëri përpjekje personale dhe zyrtare për këtë. Natyrisht zonja Klinton nuk mund të ketë kohë dhe as ka shumë kuptim që të shkojë në spital tek Gjergj Ndreca apo Lirak Bejko, por e sigurt është që Berisha do ta keqpërdorë këtë rast si një izolim nga SHBA të kundërshtarëve të tij.

Së treti, zonja Klinton vjen në Tiranë në një klimë demokratike të përkeqësuar, në një vend që po shkon drejt zgjedhjeve me paranojën e manipulimit dhe po humbet shanset drejt BE, për shkak të korrupsionit të thellë dhe kapjes së shtetit nga Familja në pushtet. Ajo nuk ka shumë mundësi që të ndalë këtë spirale negative me një deklaratë, por natyrisht që do të bëjë presionin e duhur për këtë.

I frikësuar nga kjo axhendë konkrete e Sekretares amerikane të Shtetit në Tiranë, Berisha po përpiqet t’i heqë kësaj vizite thelbin e saj si një vizitë shumë e rëndësishme politike që tregon vëmendjen e SHBA ndaj Shqipërisë dhe po e paraqet si një vizitë gati- gati private, që ka të bëjë me festimet për 100 vjetorin e Shqipërisë. I frikësuar nga axhenda e saj reale, ai po paraqet para shqiptarëve një axhendë fallco të SHBA në Shqipëri, a thua se Hillari Klinton është thjesht një grua që i bën qoka një burri, që paguan disa lobistë që herë- herë i paguan dhe ajo për t’i bërë fushatë elektorale.

Ai po përpiqet ta paraqesë ardhjen e saj si një vizitë për 100 vjetorin e pavarësisë, natyrisht jo më 28 nëntor, me shpresë se kështu njerëzit do kenë mundësi të marrin sa më pak mesazhe politike nga vizita e saj. Ai realisht nuk ka çfarë t’i raportojë zonjës Klinton kur ajo ta pyesë se çfarë u bë me gardistët dhe komandantin e Gardës, që ka vrarë njerëz me 21 janar sipas FBI. Ky nuk mund t’i thotë dot që FBI ishte pjesë e puçit. Ky nuk mund t’i japë dot përgjigje se çfarë u bë me ministrin e Gërdecit dhe djalin e tij, që loboi kontratën vdekjeprurëse. Ky nuk mund t’i japë dot përgjigje pse refuzon dialogun me qytetarët e vet dhe flet për dialog rajonal.

Ky nuk mund t’i shpjegojë dot zonjës Klinton se çfarë ka ndryshe sot ky njeri nga Berisha i vitit 1996, kur i mbylli të dërguarit të burrit të saj derën në fytyrë dhe futi vendin në luftë civile për shkak të zgjedhjeve të vjedhura të 26 majit. Duke mos pasur fuqi t’i shpjegojë zonjës Klinton dhe shoqërisë gjithë këto fakte që flasin kundër tij, ka shpikur një vizitë festive të saj, a thua se zonja Klinton është si Bujar Nishani që mund të përdoret për qoka kur ka ndonjë përvjetor Fevziu, Irfani apo Sandri.

Axhenda anti-Berishë e zonjës Klinton, që është paralajmëruar me kërkesën për kulturën e zbatimit të ligjit dhe forcimin e institucioneve, ndarja e kohës mes tij dhe liderit të opozitës si dhe porosi të tjera jo-publike në adresë të Berishës, e kanë nxitur atë të fshehë realisht thelbin e ndryshëm që ka kjo vizitë nga dy vizitat e mëparshme të Sekretarëve të Shtetit të SHBA në Shqipëri. Ajo po vjen për punë dhe në të mirë të shqiptarëve, Berisha po e paraqet si një vizitë pa detyrime, thjesht si qokë. Formalisht, siç dhe i duhet SHBA!