Për një fillim të ri… vepro tani!

0
27

Nga Shinasi Rama, 19 Tetor 2012

Ka ca njerëz që ngurrojnë të marrin pjesë në manifestimin e Forumit Shqiptaro-Amerikan për Demokraci. Manifestimi organizohet nesër në Dag Hammarskjold Plaza, në ora 10-12, në kryqëzimin e Avenuese së Parë e të Rrugës 47 në Manhattan.

Po pse ngurrojnë njerëzit që t’iu bashkëngjiten? Sepse shohin që janë të rinj e që parulla e tyre është afër asaj që ka hedhur edhe ambasadori i SHBA, Arvizu. Argumenti i këtyre ngurruesve e të medyshurve është se parullën e ka hedhur ambasadori Arvizu dhe prandaj nuk besojmë se këta e kanë me të vërtetë. Po kjo tregon shume cektësi nga ana e tyre.

E para, ambasadori Arvizu nuk është aty me marrë anën e kujt dhe nuk merr anën e kujt. Ai punon për SHBA dhe jo për vete. Natyrisht që kaosi nuk është i pranueshëm për askënd se gjithkujt i kujtohet 1997-ta. Por ai punon për atë që gjykon të mirën e të drejtën, ashtu si e arsyeton ai. Të mirën e të keqen tonë duhet ta ndjejmë ne më mirë e më thellë se ai.

Së dyti, parisë i leverdis që ta paraqesë ambasadorin Arvizu sikur merr anën e njërës palë apo të tjetrës, duke e zhvlerësuar me marifet qëndrimin e tij, që është qëndrimi i SHBA. Ai përfaqëson qeverinë amerikane e pikë! Prandaj të mos biem pre e interpretimeve të parisë, që i formulon proceset si i pëlqen asaj dhe që synon t’ua shesë qëndrimin për një pikë të caktuar si mbështetje për ata vetë. Arvizu është në anën që duhet e që i shërben shtetit që përfaqëson.

Së treti, thënia e tij “Vepro Tani” është thënia që duhet. Nuk ka rëndësi kush e thotë. Duhen ndarë mesazhi nga individi. Arvizu ka thënë të saktën. Po ta thonte Sali Berisha, Edi Rama, Gramoz Ruçi, Ilir Meta, Fatos Nano, Enver Hoxha, Ramiz Alia, Ahmet Zogu apo Fan Noli, kjo nuk ndryshon asgjë nga vërtetësia e kësaj thënie. Po pse nuk e thonë???? Sepse e dinë se kush janë e çfarë krimesh kanë kryer. Nuk e thonë se i kanë larë duart me gjakun e shqiptarëve. Nuk e thonë se i kanë shtyrë shqiptarët në zgrip dhe i kanë kriminalizuar. Nuk e thonë se duan të ruajnë miliardat e vëna me gjakun e popullit.

Por nuk ka rëndësi nga vjen fjala e kush e thotë. Rëndësi ka fjala vetë. Ja ta ilustroj me shembull: nëse ti ke etje dhe je tek burimi me ujë të kulluar, e atje vjen kundërshtari yt e thotë “ky ujë është shumë i mirë, ti a do ta pish apo për hatër të kundërshtarit do të vdesësh nga etja?” Ajo që këto djem kanë thënë është pikërisht ajo që duhet. E mira do të ishte të vinte nga ne të tjerët. Ja, tashti vjen nga këto djem e vajza që janë e ardhmja jonë. Pse këta thonë atë që thotë edhe Arvizu, kjo është meritë e tyre.

E së katërti prandaj këta djemtë e vajzat e Forumit Shqiptaro-Amerikan për Demokraci duhen mbështetur e duhen inkurajuar me të gjithë mënyrat. Duhet besue tek thirrja e tyre sepse është e pastër. Duhet besue tek mesazhi i tyre pse është i ndershëm. Duhet konsideruar zgjidhja që ofrojnë sepse nuk ka asnjë zgjidhje tjetër të besueshme. Kur je në fund të pusit, ashtu siç jemi ne, ka vetëm një rrugë me dalë jashtë. E në rastin tone, kjo rrugë është pikërisht kjo që ofrojnë këta djem e vajza të Forumit Shqiptaro-Amerikan për Demokraci.

Prandaj unë do t’iu bashkëngjitem këtyre dhe do të shkoj në manifestimin e tyre të nesërm. Rinia është e ardhmja dhe duhet me i shkue mbrapa atyre që e duan kombin e shtetin më shumë se sa hajnat e veglat e Enver Hoxhës, që e rrjepin, e vjedhin, e kriminalizojnë dhe zvetënojnë përditë. Prandaj edhe parulla e tyre: “Për një Fillim të Ri… VEPRO TANI!” është pikërisht fillimi që duhet. Ky fillim duhet të jetë pa rrena, pa mashtrime, pa degjenerim, pa zvetënim, pa vjedhje të pasurisë private e publike, pa humbjen e dinjitetit që kemi përjetue tash sa dhjetravjeçarë. Fillimi i tyre i ri është shpresa për begati, prosperitet, mirëqenie, siguri, nder e dinjitet, kthim të hakës tek i zoti dhe për një shtet-komb të lulëzuar që e merr vendin e duhur e që meriton në familjen e shtet-kombeve. Prandaj, miku im, motra a vëllai im, “VEPRO TANI!”