Biznesmeni i “dështuar” Gjergj dhe i “suksesshmi” Shkëlzen!

0
52

Nga Mero Baze, 17 Tetor 2012

Edhe pse nuk pranon deri në vdekje të ulet në dialog me grevistët e urisë, kryeministri nuk është indiferent ndaj tyre dhe jetës së tyre. Ka disa ditë që hormonet e tij i qetëson me një femër që e nxjerr para kamerave dhe na numëron gjithë ditët e jetës së Gjergj Ndrecës, qyshkurse ka dalë nga burgu deri tek greva e urisë.

Prej saj mësojmë se Gjergj Ndreca ka dalë nga burgu, është martuar, ka ikur në Greqi si emigrant, është kthyer, ka marrë ca letra me vlerë, të cilat janë zhvlerësuar në 2 përqind realisht, pastaj ka hapur një biznes me furrë buke, ka ecur mirë për disa vite, pastaj ka falimentuar, pastaj ka hapur një fermë blegtorale, ka rritur derra, pastaj është përmbytur Nënshkodra dhe i është shkatërruar biznesi, nuk ka paguar dot kredinë, ka ngelë pa punë, pastaj qeveria i ka dhënë një këst 3 mijë dollarë…

Faktet dhe vëmendja ndaj çdo dite jete të një qytetari të lirë prej gojës së kryeministrit, shoqërohen pastaj me etiketime si i paaftë, delenxhi, bixhozxhi, pijanec, anti-PD, etj. E gjithë kjo vetëm pse ky njeri proteston dhe kërkon që qeveria të ketë përgjegjësi për shtetin ligjor, të zbatojë ligjin dhe të kompensojë ish- të persekutuarit politikë. Në gjithë këtë ligjërim anti- Ndrecës, shihet qartë se nga jeta e tij është fshirë fakti që ai ka qenë një i dënuar i regjimit komunist dhe fakti që ai po proteston pse qeveria nuk ka zbatuar ligjin për kompensimin e të dënuarve politikë.

Për një moment me logjikën e kryeministrit, le të krahasojmë një rast të suksesshëm biznesmeni në shoqërinë tonë, i cili është bërë legjendë nga media dhe ia di gjithkush, përveç babait, historinë e biznesit. Quhet Shkëlzen. Babën e ka pasur komunist dhe më pas sekretar partie. Kur ishte adoleshent, ra komunizmi dhe babi u bë demokrat dhe kryetar partie. Pastaj president. Djali u rrit nën kujdesin e njerëzve, që kishin dëshirë ta shëtisnin në makinë për të mos iu kontrolluar kurrë makina.

Si pré e botës së krimit që në adoleshencë, ai shëtiste me makina të njerëzve “të fortë” të Tiranës, një prej të cilave ia dhuroi babit kur ishte në opozitë. Babai i tij u rrëzua nga pushteti falë vendosmërisë së tij për të mos u ulur në dialog. Kur Shqipëria u dogj dhe babai ra nga pushteti, ai mbaroi studimet dhe iku jashtë shtetit si emigrant. U kthye prej andej në vitin 2005, i martuar. Normalisht pa shumë lek. Me një çantë në dorë nëpër kafene e klube, ai u shfaq sërish nën shoqërinë e sekserëve të Tiranës dhe tutorëve të adoleshencës së vet.

Diku bllokonin një pallat tek Liqeni dhe i kërkonin pjesën, pastaj i merrnin ca apartamente dhe e lejonin, diku bllokonin ca troje në hipotekë, merrnin pjesën dhe pastaj e lironin, diku gjenin një tokë nga Liqeni dhe nëse pronari nuk e bënin ortak, e arrestonin për korrupsion, pastaj ai firmoste në qeli dhe ata e nxirrnin më pas duke i dhënë dhe detyra publike, diku gjenin toka pa fund në bregdet, gjenin gjysmë pronarësh, u jepnin më shumë se takonin dhe u merrnin prapë, pastaj vendosi të bënte kompani të madhe, mori prapë ata tutorët e adoleshencës, u lidh me një biznesmen me përvojë për armatimet, ndërtuan një fabrikë në Gërdec dhe filluan të shesin lëndët e para, që vinin nga demontimi i fishekëve. Gjithë shteti u vu në dispozicion të tyre.

Paralelisht me këtë biznes, një kompani amerikane kërkoi fishekë nga Shqipëria për në Afganistan. Duheshin marrë fishekët kinezë, duheshin ripaketuar dhe duheshin nisur në Afganistanë. Meqë të dy punët përputheshin, i njëjti grup pune që mbikëqyrte demontimin, u vu në dispozicion dhe të këtij biznesmeni duke nxjerrë nga loja një shtetas të quajtur Kosta. Kishte punësuar në atë grup burrin e tezes, djalin e dados, kushërinjtë e tutorëve të vet dhe gjithë atë që quhej “grupi i natës” në Gërdec. Pastaj fabrika i shpërtheu dhe Kosta “u vetëvra”, por biznesmeni nuk doli me humbje. Ai ia doli të mbijetojë dhe deklaron rregullisht çdo vit fitime të majme.

Hallexhinjtë që duhet të paguajnë për ndonjë gjobë, i nis diku jashtë t’i derdhin paratë që t’i ketë të sigurta, ndërsa është bërë legjendë e kapjes së shtetit dhe trafikimit të influencës së pushtetit në çdo punë, në çdo biznes, deri tek jeta private e një qytetari. Nuk ka ndonjë biznes specifik, nuk bën ndonjë punë transparente, nuk ka më kompani me punëtorë apo me sigurime shoqërore, nuk ka NIPT apo kredi në bankë. Ka vetëm para dhe pushtet.

Këto janë shanset që Sali Berisha, kryeministri i shqiptarëve, u ka krijuar dy qytetarëve të këtij vendi, njërit që e ka pasur babën komunist dhe tjetrit që ka qenë në burg. I pari është i frustruar, i lodhur, i dëshpëruar, por i vendosur të luftojë deri në vetëflijim. Ka një grua të shkolluar dhe të edukuar pa punë, dhe një vajzë të vogël adoleshente, që di të flasë më mirë se Jozefina Topalli në parlament. Janë një familje që nuk kanë para, nuk kanë shpresë, por kanë dinjitet për të mbijetuar.

I dyti duket i kënaqur me para, pushtet dhe banditë përreth, që duartroket babën e vet kur fyen “biznesmenin e dështuar” Gjergj Ndreca si delenxhi, pijanec, bixhozxhi dhe trafikant.

Sali Berisha po tenton të ndajë shoqërinë, biles dhe Perëndimin, pro dhe kundër Gjergjit. Në fakt ky vend duhet të ndahet pro dhe kundër Shkëlzenit!