Nga Mero Baze, 10 Tetor 2012
Bujar Nishani mund dhe të mos fliste. Të gjithë e marrim me mend se mendon si Berisha, flet si ai dhe biles lodhet që Berisha të ndjehet i kënaqur në mbrëmje nga puna e tij. Por hapësira si president i lë dhe një shans tjetër. Të mos bjerë në sy. Nëse nuk fliste këto ditë për grevën, të gjithë do ta mendonim me mendje si Berisha, por do t’i jepnim të drejtë që nuk kishte shkuar në ndonjë studio televizive, pasi ka hallet e veta si i sëmurë, i duhet të vërë në lëvizje ambulancën, të ngjisë shkallët me vështirësi, sidomos kur bëhet fjala për shkallët e Kombinatit të Autotraktorëve ku është News 24.
Çuditërisht, Presidenti i Berishës u ngrit nga varri për të mos heshtur. Zbriti ngadalë me paterica shkallët e presidencës, hipi në makinë, shkoi në Kombinat të Autotraktorëve, ngjiti me vështirësi shkallët e ndërtesës së Pilo Peristerit, u ul në studio, u rehatua pasi piu një gllënjkë ujë dhe akuzoi ish- të përndjekurit politik që po përdoren politikisht dhe më keq akoma, shkoi në ekstrem duke i mohuar vetëflijimin Gjergj Ndrecës dhe duke e paraqitur atë si një akt kriminal.
E kisha paralajmëruar dy ditë më parë Gjergjin që do t’i bënin këtë ndyrësirllëk. Sali Berisha nuk ka me se hakmerret tjetër ndaj tij. Gruan ia ka lënë pa punë, vetë e ka lënë pa shtëpi, fëmijët ia ka lënë në mëshirë të zotit. Por Gjergjin nuk e ka ndal dot që t’i dalë para e ta qëllojë me një qese miell. Tani është ora e hakmarrjes së tij. Tani që Gjergji është simbol i fytyrës së demokracisë shqiptare, i mbledhur kruspull nga dhimbjet në spital me fytyrë të përzhitur, Sali Berisha ka orën e pabesisë së tij. Si një njeri i rritur nën sindromën e incestit, ai e fillon përdhunimin nga ata që do më shumë, dhe në këtë rast duke përdhunuar të parin presidentin e tij. Ashtu sakat siç e ka lënë Zoti, e çoi nga varri për të marrë hak ndaj Gjergj Ndrecës.
Si një pervers i pakënaqur me incestin brenda familjes së tij politike, ai e përsëriti dhe vetë aktin e përdhunimit ndaj Gjergjit, duke folur përsëri për një akt kriminal ndaj tij. I tmerruar nga ideja se në këtë vend ka njerëz që bëhen të plotpushtetshëm duke kthyer flakën e shkrepëses nga vetja, në kontrast me Atë që kërkon të mbetet në pushtet duke i vënë flakën Shqipërisë, Sali Berisha është në orët e perversitetit të tij moral, në orët e pabesisë dhe ligësisë së tij, në orët kur kërkon një kriminel për të fshehur një hero, kur kërkon një krim për të fshehur një heroizëm, kur kërkon një padrejtësi, për të fshehur drejtësinë e munguar.
Ai nuk e kupton dot se si nuk mund të djegë shokun, por veten, se nuk mund të ketë të pabesë mes grevistëve, se si nuk mund të ketë korrupsion me lekët e burgut, se nuk mund të ketë motivim politik në atë vetëflijim solemn që do të hyjë në histori. Një njeri që s’ka lejuar askënd rreth vetes të jetojë me dinjitet, nuk e kupton dot që shokët e burgut të jenë aq besnikë me njëri- tjetrin. Ai nuk ia fal Gjergj Ndrecës këtë piedestal moral dhe do ta zbresë andej me çdo kusht, me çdo mjet, mjafton që të mos quhet i vetëflijuar për një kauzë anti-Berishë. Dhe e nisi këtë betejë duke përdhunuar së pari institucionin e presidentit.
Pasi nxori dufin me të dhe u sigurua se tani askush më lart se ai nuk është më aleat me vetëflijimin, foli dhe vetë. Mos u çudisni. Nesër do të nxjerrë Jozefina Topallin dhe të tjerë pinjollë të ish- të burgosurve politikë, që ka në pushtet për t’i përdhunuar të gjithë, që të mos u shkojë mendja as në ëndërr yë kenë simpati për të vetëflijuarit. Ka rrethuar me policë, furgona dhe ambulanca grevën, dhe nuk është çudi që në mesnatë t’i nxjerrë andej e t’i çojë nëpër shtëpi. Paralajmërimi i tyre për flijim kolektiv nuk e lë të qetë.
Por në përpjekje për të përdhunuar aktin e lartë moral të Gjergj Ndrecës, duke përdhosur institucionin e presidentit, ai nuk bëri gjë tjetër veçse e çoi nga 1 në 2 numrin e të vetëflijuarve. Tani kemi një vrasës me emër konkret. Quhet Bujar Nishani, është i punësuar si president dhe bën vrasje për llogari të Sali Berishës.
Tashmë ai do të shtojë policë të tjerë, do përdorë fundërrina të tjera të pushtetit kundër tyre, mund t’i nxjerrë ata me dhunë nga greva, por nuk do ta ndalë dot asnjë vendim të tyre. Ai duhet ta kuptojë përfundimisht se një njeri nuk vritet vetëm me plumb dhe nuk mbrohet vetëm duke u futur në kullë siç është futur ai. Një njeri i lig, duargjakosur, burracak, përdhunues, bile incestor, vritet edhe duke i kujtuar përditë krimet që ka bërë. Sali Berisha është shembulli i njeriut të lig që ka vrarë për të qëndruar në pushtet, ka vrarë për tu pasuruar, ka vetëflijuar njerëz për të mos i pranuar si kundërshtarë, dhe tani përditë i duhet të luftojë me të vrarët e tij, me fantazmat e tyre.
26 viktimat e të birit në Gërdec, e kthyen në kufomë politike, 4 të vrarët në bulevard e kthyen në një Makbeth që flet me njollat e gjakut nëpër duar, ndërsa flaka e Gjergjit dhe Lirakut, i duken si flakë e ferrit, të cilat po përpiqet t’i largojë nga shpirti i vet duke mos njohur vetëflijimin e tyre. Është e kotë që ruhet nga të gjallët, që nuk po bëhen të gjallë. Atë po e mundin të vdekurit e vet, sidomos ata që janë duke vetëvdekur.







