Ish të përndjekurit: Kjo qeveri neo-komuniste është gati të na flijojë sërish. Nuk dalim të gjallë nga greva

0
43

TemA Online, 29 Shtator 2012

Ish të përndjekurit politikë, të cilët prej 8 ditësh kanë hyrë në grevë urie, kanë kërkuar nga ana e përfaqësuesve diplomatikë në Shqipëri, që të ushtrojnë presion ndaj qeverisë, për të plotësuar kërkesat e tyre. Me anë të një deklarate për mediat, ata shprehen se kjo qeveri neo-komuniste është gati që t’i flijojë sërish.

“Nga kjo Qeveri që e kemi mbështetur dhe dhënë gjakun dhe vitet e rinisë sonë që jemi djegur dhe përcëlluar burgjeve të tmershëm të diktaturës, duam të na plotësojë kushtet minimale për të jetuar dhe për të pasur mundësi tu mbushin barkun më bukë fëmijëve tanë që shumicën e rasteve flen të pangrënë dhe që aktualisht nuk kanë mundësi të na bëjnë edhe 1 telefonat për të na pyetur si jemi nga pamundësia ekonomike.

I bëjmë thirrje të gjithë Ambasadave dhe Përfaqësive të Huaja Diplomatikë, Shoqatave të të Drejtave te Njeriut, etj për të ushtruar presionin e tyre pozitiv mbi këtë qeveri neo-komuniste që është e gatshme për të na flijuar përsëri dhe për të na mbyllur gojën njëherë e mirë”, thuhet në deklaratën e e shpërndarë për mediat nga ana e ish të përndjekurve politikë, vetëm një ditë pasi ish- të përndjekurit i takoi edhe ambasadori amerikan Alekasandër Arvizu.

Ata deklaruan se nuk dalin të gjallë nga greva pa iu plotësuar kërkesat e tyre, të cilat janë të garantuara edhe në Kushtetutë.

‘Ne kërkojmë një çati për mos të lagur fëmijët sa herë që bie shi. Një punë për të jetuar me dinjitet dhe për të pasur mundësi të çojmë bukë e dhjathë në shtëpi që fëmijët tanë të mos na vdesin si në tregimet e Migjenit, që janë aq aktuale edhe sot. Ne duam vetëm atë që Kushtetuta na garanton, ajo Kushtetutë dhe ajo drejtësi për të cilën ne sakrifikuam gjithë jetën tonë. Asnjë nga ne nuk del i gjallë nga kjo grevë pa u plotësuar të drejtat tona minimale, krahasuar me ç’të drejta na takojn”‘, shprehen ata.