Unë dhe fëmijët e Jozefinës kemi detyrim për grevistët e urisë

0
34

Nga Arben Manaj, 29 Shtator 2012

Unë jam djali i një nga ish Kryetarëve të Parlamentit të Shqipërisë, nje bir i ish nomenklaturës komunsite, sic njihemi ndryshe në zhargonin politik, dhe si i tillë kam pasur tërë privilegjet aq sa ishin , që sot mund të duken qesharake, por atëhere ishin lluks, aq më tepër kur krahasohen me vuajtjet dhe deprivimit që kanë pasur një pjesë jo e vogël e shqiptarëve të tjerë, aq më tepër të ish të përndjekurit dhe të persekutuarit politikë, një pjesë e të cilëve sot janë futur në grevë urie.Një lexues i shpejtë, dhe pa u thelluar dhe lexuar deri në fund, mund të mendoj se unë duhet të jem i fundit që duhet të flasë. Parimisht edhe mund të ketë të drejtë.

Ndaj dhe nuk kam folur aq sa duhet për këtë shtresë deri me sot, pasi prisja që normalisht do të duhet fillimisht një sërë tjetër të jenë më të dhëmbshur dhe më borxhlinj për hallet e tyre. Pastaj edhe ne të tjerët që patëm fatin biologjik të jetonim më normal dhe të kishim më shume shanse ne jetë sesa vërsniket dhe moshatarët tanë, edhe pse jo shumë rrallë ata ishin shumë më mirë me mësime dhe më të zgjuar se ne të paprekurit.

Unë ndryshe nga shumë moshatarë të mi të persekutuar, pata fatin dhe mundësitë të shkollohesha dhe ky arsimim të shërbente si trampolinë për të qënë më i aftësuar dhe për tu përballuar me dallgët e jetës pas “rrënies nga figu”.

E kjo shtresë e përvuajtur nuk e kishte këtë fat. Ndaj dhe ndihem keq personalisht dhe borxhli përpara këtyre njerëzve që shumëkush në fillimet e demokracisë mendonte se do të dilnin me thikë nëpër dhëmbë për tu hakmarrë ndaj komunistëve dhe familjeve të tyre.

Por ata, të përvuajturit e vërtetë, të cilët i kam takuar dhe parë me sytë e mi që në fillimet e demokracisë se në c’kushte filluan të jetonin, apo edhe se ku kishin vuajtur, kur punoja si korrespondent i Agjensise amerikane te Lajmeve Associated Press në Tiranë dhe kisha akses të shikoja shumë më shpejt se të tjerët vëndin e kalavrit të tyre, ishin shumë më njerëzor dhe fisnik se shumica e shqiptarëve.

Ata dhe sjellja e tyre ishin mësimi dhe qortimi më i madh që na dhanë neve jashtë Spacit e Burrelit, apo kampeve të përqëndrimit, për të kutptuar se sa absurd dhe i dhimbshëm kishte qënë dënimi i tyre.

Ka pasur shume abuzime me këtë kategori, që nga ata që dënoheshin për vjedhje xhepash dhe njollosnin tërë këtë shtresë të dënuarisht politikë e deri tek korrupsioni me ndihmat dhe mostrajtimi sic e meritonin të dënuarit dhe persekutuarit e vërtetë të regjimit për bindjet e tyre politike, që ishin ndryshe nga ato zyrtare, por që ishin po aq shqiptarë në mos më shumë sesa ne që ishim jashtë.

Dhe këtë fatkeqësisht, ata e paguan me jetën e vuajtjet e tyre, jetë të shkatërruara dhe te shpërdoruara e hedhura poshtë tërë përbuzje dhe përcmim. Ndaj ky katarsis edhe pse personal, por edhe kolektiv nga tërë shoqëria, do të duhet të jetë më i fuqishëm dhe ndikues ndaj atyre që kanë në dorë të ndihmojnë këta shqiptarë, që të mos rijetojnë ekonomikisht të njëjtën mënyrë jetese dhe privacione ekonomike si dikur.

Shteti ynë, edhe për dallim nga butaforia dhe masturbimi mendor i drejtuesit aktual të qeverisë për pseudo-suksesin ekonomik marramëndës të Shqipërisë në botë, është padyshim krahasueshmërisht shtet i varfër. Është i varfër përballë me ato vende që mbajnë pa iu dredhur syri qindra mijëra emigrantë dhe të paprivilegjuar vëndas në shoqëritë e tyre, sic është Anglia p.sh.

Por shteti ynë dhe administrata e ditës, ka aq burime financiare dhe mundësira ekonomike që të paktën përfaqësues të kësaj shtrese të mos cojnë bukë me djathë për fëmijët në mbrëmjë, apo të jetojnë në banesa me dinjitoze dhe të kenë mundësira akoma më të mëdha integrimi.

Nuk dua të hyj në debatin se sa është bërë dhe sa nuk është bërë nga qeveritë e ndryshme për ish të përndjekurit, pasi do humbasim në qëllimin dhe mesazhin e kësaj analize.

Por them dhe jam i bindur që ky shtet, ose palo shtet, që duhet të ishte shumë më sensitiv ndaj kësaj shtrese, më shumë se sa të majtët, ka nëse ka vullnet dhe dashamirësi për të ndihmuar më shumë këta fatkeqë të përjetëshëm.

Është e turpshme për cdo shoqëri që të hyjnë njerëzit në grevë urie për kërkesa të tilla, por akoma më e turpshme për këtë shtresë në 2012, për shkak të neglizhencës dhe mospërfilljes së frikshme të një qeverie të djathtë në program.

Dhe mundësitë filllojnë që nga milionat e dhëna për reklama, që nga shpurrat e mëdha me bodigardë që i rrethojnë apo deri tek udhëtimet vënd e pa vënd që të Kryeministrit, Kryetares së Parlamentit e dreq e të bir, të shoqëruar me gazetarë e kamermanë me vete për të reklamuar vizitat e tyre.

Nuk po përmend shpenzime të tjera të pallogaritshme që bën qeveria që janë para të bëra rrush e kumbulla, kur të tjerët nuk e shoqërojne dot djathin as me rrush e as me kumbulla.

Është e pafalshme që një Kryetare e Parlamentit nuk paskërka koment për grevën e njerëzve të shtresës së saj?!!

Jozefina, kjo zonjë ,që ka zënë vëndin e babait tim dikur, duket se nuk ka ndërmënd, por shpresoj që fëmijët e saj të ndihen po aq keq sa edhe unë, SOT, për mos bërjen më shumë të shoqërisë për nxjerrjen nga greva e urisë të ish të përndjekurëve politik, 22 vjet pas rënies së komunizmit.