Aleanca KuqeZi: Qeveria po shet gjithçka, brezat që do vijnë do jenë argatë në vendin e tyre

0
41

TemA, 13 Shtator 2012

Aleanca KuqeZi ka reaguar ndaj privatizimeve të fundit të qeverisë. Sekretari për Ekonominë, Dashamir Uruçi tha se tenderi për Albpetrolin ka mungesë transparence. AK e quajti shqetësues mungesën e kompanive të mëdha si Shell e Eni në këtë privatizim.

“Aleanca Kuqezi po ndjek me shqetësim të veçantë privatizimet e njëpasnjëshme të sektorëve nevralgjikë e strategjikë të ekonomisë shqiptare. Kanë dalë në shitje pasuritë nëntokësore e mbitokësore, burimet hidroenergjetike, nafta e gazi si dhe çdo gjë që ka një vlerë dhe që mund t’i sigurojë qeverisë aktuale para për të mbajtur në këmbë pushtetin agresiv e totalitar. Privatizimi i shpejtë i Albpetrolit nëpërmjet një konkurrimi problematik, i ka hapur rrugën dyshimeve të shumta si dhe ka rritur shqetësimin në opinionin publik të vendit.

Gjithnjë e më shumë po krijohet bindja se paratë e ofruara në këtë tender në vlerat 850 milion euro si dhe 790 milion euro si dhe vlerat e kompanive të tjera nuk janë rrjedhoje e konkurrimit, por rrjedhojë e bashkëpunimit dhe marrëveshjeve paraprake midis konkurrentëve dhe segmenteve të caktuara pranë kreut të qeverisë. Pjesëmarrja në këtë tender e kompanive pa asnjë eksperience në fushën e naftës si dhe mungesa e kompanive me fame botërore si Shell, Eni, British Petroleum etj, flet hapur për mungesë transparence dhe interesa klienteliste,” tha Uruçi.

Sipas zyrtarit të AK, qeveria po shet gjithçka dhe një ditë shqiptarët do jenë argatë në vendin e tyre.

“Tenderi i shitjes së Albpetrolit dhe më pas i katër HEC-eve të remontuara në vitet e fundit flet qartë për pazare të kësaj qeverie të shitur. Shitja e Albpetrolit në masën 100% së bashku me shumë asete të tjera që e shoqërojnë, i jep pronarëve të rinj 1400 puse në fushat naftëmbajtëse duke hedhur në rrugë afro 1800 naftëtarë.

Shfrytëzimi barbar i naftës në fushat naftëmbajtëse në Marinëz, Roskovec, Zharrëz, Sheqishte dhe Patos po shoqërohet me lëkundje të herëpashershme të tokës, të cilat kanë dëmtuar rëndë banesat e popullsisë në ato zona. Ata njerëz jetojnë mbi arin e zi dhe me zor sigurojnë kushtet minimale të jetesës. Shitja e qindra mijërave hektarë tokë me çmime qesharake biznesmenëve të huaj, shitja e burimeve të naftës dhe e hidrocentraleve, po e kthen Shqipërinë në një republike bananesh ku brezat që vijnë do të jenë të zhveshur nga pasuria dhe do të jenë argatë në vendin ku kanë lindur,” tha Uruçi.

Ai paralajmëroi se AK do jetë në krye të aksioneve politike kundër këtyre privatizimeve.

“Aleanca Kuqezi denoncon me forcë politikat ekonomike të qeverisë aktuale, të cilat po shesin çdo gjë që prodhon para dhe të mira materiale. Qëllimi është mbyllja sa më parë e deficitit buxhetor si dhe financimi i fushatës elektorale për të fituar me çdo kusht në zgjedhjet e vitit 2013.

Aleanca Kuqezi shprehet kundër shitjes të pasurive strategjike kundër shitjes së burimeve të naftës, pasurive të tjera nëntokësore dhe burimeve hidro e termoenergjetike. Ajo do të jetë në krye të aksioneve politike, protestave e demonstratave për të ndalur me çdo kusht shitjen e pasurive kombëtare të shqiptarëve. Qeveritarët e sotëm duhet ta dinë mire se një ditë shqiptarët do të kërkojnë llogari, do të zgjohen e do t’i akuzojnë për tradhti kombëtare.”