Nga Fadil Vokrri tek Xherdan Shaqiri

0
36

Arian Muraj

Katër ditë pas 11 Shtatorit të ndeshjes së Lucernës midis Zvicrës dhe Shqipërisë, pikërisht më 16 Shtator, mbushen plot 25 vjet që nga 16 Shtatori i 1987, i asaj përballjeje të paharrueshme midis Flamurtarit dhe Partizanit të Beogradit, kur për herë të parë ndodhi që një bir shqiptari, u paraqit në fushë si kundërshtar i yni dhe prezenca e tija, bëhet çështje e ditës e botës sonë të futbollit të asaj kohe!

Vëllai i ynë Fadil Vokrri, arriti nga Jugosllavia asaj kohe në përbërje të ekipit nga Beogradi mbi të tëra, mbase pa e ditur as vetë, po bëhej i pari i një fenomeni që dikur do të bëhej shkak për dashuri dhe urrejtje, për ligjërime nacionaliste në auditore kafenesh, për adhurime dhe zhgënjime, për pozicionime të tilla ekstreme si “me ne ose kundër nesh”!

Shqiptari kundër shqiptarit në futboll!
Atëbotë, imadhi Fadil vinte i heshtur, paksa i trembur por aq i respektuar në Vlorë.
Jetonte me ankthin e ndeshjes deri në momentin që u shkelmua topi dhe …pastaj harroi gjithçka. Si në Vlorë edhe në Beograd! Madje në Beograd shënon me kokë golin e dytë duke barazuar gjithçka për një farë kohe e duke mbajtur të gozhduar me sytë në fushën e lojës sa milionë njerëz në Shqipëri e në Jugosllavinë e asaj kohe bashkë.

Ishte koha kur futbolli i ynë po përpinte me shpejtësi zero, i uritur udhën drejt ngjitjes! Flamurtari i madh ishte në kulmin e tija duke ndriçuar me ngjyra luminante historinë e futbollit tonë. Ishte koha kur Shqipëria, matej në Ballkan me ekipe nga më të fuqishmet dhe me emër të respektuar në Europë si Dinamo e Bukureshtit apo Partizani i Beogradit.

Mbi të tëra, ishte një sfidë midis dy shtetesh teorikisht të një sistemi por aq të ndryshëm në përmbajtje dhe me nacionalizmin shpesh prezent në shkallë stadiumesh dhe para ekranesh televizori.
Kryevepra e Sokol Kushtës i dha fund një ankthi dy palësh prej 180 minuta! Ai vetë hyri në histori dhe goli i tija në panteonin më të bukur të futbollit shqiptar. Besohet se vlerat e atij goli do të mund ti kalojë goli që do të na japë kualifikimn dikur për një kampionat Botëror apo Europian, por edhe ai gol, duhet të paktën të shënohet në minutën e fundit si i Kushtës!

Ndeshja e Luçernës ku përballja Zviceriano-Shqiptare u bë një çështje gjithëshqiptare erdhi 25 vjet pas asaj kohe të paharrueshme.

Gjatë këtyre 25 viteve, shqiptari përmbysi një sistem që i këputi kurrizin në punë dhe po e bënte të vdiste urie në Shqipëri, u rrah, u dhunua,u masakrua, u ofendua, u përbuz kudo jashtë saj në Ballkan! Mbeti udhëve pa punë dhe i uritur mori udhën e largët të mërgimit dhe nga tërë trojet shqiptare, kolona të pambarimta njerëzish u vunë në udhën e gjatë të emigrimit për ti shpëtuar edhe luftës gjithashtu!

Disi kështu, fillon historia e shumë lojtarëve me origjinë shqiptare kudo sot në Europë! Histori si e shumë fëmijëve dhe familjeve të tjera emigrante në shtete ku kombëtaret e tyre sot nuk njihen më si dikur nga mbiemrat!

Të mos i biem gjatë duke sjellë një listë të pafund emrash mjaft të kujtoni që që një baba nga Gana ka dy djem, njëri prej të cilëve luan për kombëtaren e Ganës dhe tjetri për kombëtaren e Gjermanisë!!
Pyetja që shtrohet për opinionin nuk është cili prej të dyve është më bjond apo më zezak! Pyetja është cili është patrioti dhe cili është tradhëtari?!

Sigurisht që shumica e atyre fëmijëve shqiptarë, që në moshë të vogël u mësuan me prezencën më se normale brenda familjes, si të televizorit ashtu edhe të një flamuri të kuq me një shqiponjë të zezë në të! Flamur të cilin prindërit u shpjeguan një ditë se është flamuri i tyre.
Shteti shqiptar gjatë tërë kësaj kohe nuk dinte dhe akoma edhe sot, shpesh tregon se nuk di ku e ka kokën!
Ai mungoi aq shumë prej atyre njerëzve në mërgim si në Greqi, ashtu edhe në Itali, Zvicër, Gjermani, Finlandë…
Kjo bëri që shumë prej tyre, në rritje të zgjedhin të përfaqësojnë Greqinë shpesh duke ndërruar emrat apo duke u pagëzuar në Ortodoksë dhe shpesh duke u deklaruar “Vorioepirotë” ose pjesëtarë të pakicës minoritare greke në Shqipëri…

Dhe Shqipëria, akoma ishte dhe është e pafuqishme për shumë gjëra!
Në Shqipëri, më parë se të arrinim në një organizim të mirë të Kombëtares së futbollit, arriti korrupsioni,arritën denoncime të shpeshta për të tëra grupmoshat e përfaqësueseseve përfshi edhe atë të të rriturve, për kërkesa në shuma parash duke veshur kështu menjëherë me hijen e dyshimit prezencën e çdo traineri të kombëtareve të ndryshme.

Në rastin konkret, përveç pozicionimit në dy pole si tradhëtarë apo jo, opinioni, gjithashtu është dyzuar midis a u kërkuan shuma parash futbollistëve në fjalë apo thjesht i kërkuan me vonesë ose u treguan indiferentë ndaj tyre si federatë….
Kështu ose ashtu, ata, mbi trup nuk mbajnë të veshur bluzën e përfaqësueses shqiptare.

Këto të tëra bashkë që thamë më lart,bënë që shumë prej fëmijëve të vajtur me prindërit ose të lindur gjetkë,të preferojnë të zgjedhin ngjyrën e fanellës së një kombëtareje tjetër.
Bënë që pesë shqiptarët e Zvicrës, të zgjidhnin duke patur parasysh sjelljen aq të mirë, pa asnjë diskutim të shtetit zvicerian kundrejt tyre dhe familjeve të tyre.

Eksodi masiv i shqiptarëve, bëri të kuptojnë mirë Gjermanët, që shumë më parë se të përballojnë një problem të njëjtë me Zvicrën, të refuzojnë dynënshtetësinë, duke vënë kështu nën një zgjidhje të detyruar çdo talent futbolli të rritur atje të zgjedhë ose gjerman ose shqiptar.

Kështu, një komb prej kaq milionësh, për fatin e tij të keq, nuk mund të ketë akoma sot një kombëtare futbolli të një niveli të lartë, shumë më të lartë se sa është sot. Natyrisht, për momentin,nuk ka as edhe një përfaqësuese të Kosovës dhe kështu jemi të detyruar të ndjekim shpesh shqiptarët e një përfaqësueseje tjetër kundër shqiptarëve të përfaqësueses sonë, si unë edhe ti, si Armando Duka edhe Fadil Vokrri!

Fadili i cili pa e ditur u bë dikur i pari që jetonte atë që jetuan mbrëmë Xhaka, Shaqiri, Behrami, Mehmedi, Xhemaili…

Futbolli sot nuk është më si dikur!
Në përgjithësi, brezat më të vjetër “ankohen” për tre gjëra. Se, futbolli, femrat dhe makinat, nuk janë më si dikur.

Le të qëndrojmë tek e para, pra, tek futbolli.
Dikur, të paktën ndër vitet e atyre sfidave të paharrueshme të Flamurtarit me Barcelonën apo Partizanin e Beogradit, qoftë edhe në prag të viteve’80-të kur Vllaznia dhe Partizani gjunjëzonin Austrinë e Vjenës dhe Selltik, futbollisti ishte shumë më burrëror në paraqitje. Natyrisht dy njëmbëdhjetëshe në fushë nuk ishin aq të frikshëm në pamje të jashtme sa ishin Gjermania dhe Hollanda të rreshtuara para ndeshjes më 1974 por brezi i viteve tetëdhjetë ishin më simpatikë, elegantë…Kjo falë revolucionit të veshjeve të firmave adidas dhe puma të asaj kohe por edhe revolucionit…hair styling!
Të sotmit…

Lojtarët e sotëm janë të mbushur në trup me figura, tatuazhe, ikona etj. Janë shndërruar në “gazetë” me kaq shprehje të stampuara mbi trup dhe xheli e brilantina mbi koka në lidhje me depilimin e fytyrës thjesht të ngrejnë nervat më shumë kur ndodh që një lojtar i shkurtër me flokët të qethura në formën e një koke qepe, të të shënojë gol!

Personalisht nuk kam preferenca. Për mua lojtari është lojtar por shpesh Mesin e duan më shumë se Ronaldon sepse…”është më burrë në paraqitje!”. Nuk e di se sa më burrë është Felaini i Evertonit nga Uejn Runei por për mua, njësoj janë.

Ajo që shpesh harrohet, është se futbolli sot nuk është më si dikur sepse ekipet paguajnë shuma të jashtëzakonshme për blerje lojtarësh dhe pagesa për ta. Aq sa është e padrejtë po të mendojmë se në hartën e botës ekzistojnë edhe shtete në të cilat shpesh fëmijët vdesin urie!

Por kur flasim për shuma të jashtëzakonshme kemi parasysh klubet e futbollit dhe ari i botës që vjen pas tyre nëpërmjet Champions League dhe rrjedhimisht prej tërë mekanizmit komercial që vijon prej saj si të drejta televizive, stadiume plot dhe abonentë vjetorë, sponzorë, shitje bluzash të yjeve të ekipeve, kontrata reklamash ekipore dhe personale e sa e sa të tjera.

Kombëtaret nuk ndryshojnë! Ato, ashtu si dje edhe sot, paguajnë vetëm me shpërblime pas fitoreve dhe barazimeve.
Më saktë në to paguhesh me tituj moralë!Në to luhet për flamur! Thjesht, nëkohën në të cilën jetojmë, kanë hyrë në fjalorin e futbollit edhe fjalët “respekt”, “mirënjohje”! Po mund edhe të luhet për mirënjohje e respekt

Për arsye të fitimeve që ka futbolli i sotëm në Europë dhe shumave marramendëse, besoj se kurrë nuk do të përbënte problem për një futbollist të zgjidhte fanellën e një vendi të vogël. Menaxherët mjafton të zbulojnë talentin dhe për ta nuk kanë rëndësi ndjenjat patriotike të lojtarëve thjesht talentë, por të panjohur akoma. Udha për ti bërë ata lojtarë të njohur e të arrijnë të kenë karrierë brilante me klbet top të Europës kalon nga manaxherët dhe jo nga autoriteti i emrit të një Kombëtareje si dikur. Edin Xheko nuk njohu pengesa të përparonte në karrierën e tij p.sh edhe pse luante e luan me Bosnjen apo Gudjonsen kur luante me Islandën!

Pa kujtoni çfarë ka humbur Rian Gigs pse luajti me Uellsin? Shihni historinë e të paharruarit George Best se çfarë fitoi me Irlandën!
Jam i sigurtë se si Best edhe Gigs kanë fituar me kombëtaret e tyre atë që nuk do të gjenin po të preferonin Anglinë. Dhe të tërë e dimë se çfarë është!
Është ajo që ka fituar Lorik Cana me Shqipërinë dhe e kanë humbur të tjerët!
Së fundmi…Shiheni mirë këtë foto.
Është ekipi i Prishtinës gjatë viteve ’80-të. Me topin përpara vetes gjendet Fadil Vokrri. Ai djali i buzëqeshur pranë tija, është Agim Cana. I ati i Lorik Canës. Në vitin 1991 u vendos në Zvicër si shumë kosovarë të tjerë.

Kurse Fadil Vokrri luajti dhe jetoi për vite në Francë. Familja e tija gjendet akoma atje, në Montlucon.