Atentatori i shekullit, Avni Rrustemi

0
61

Nga Ardian Ndreca, 10 Shtator 2012

Në ketë 100 vjetor të Pamvarsisë asht folë për të gjithë. Gazetarë e gazetare s’kanë lanë kend pa kujtue, deri edhe figurat ma të marra e ma kote të këtyne 100 viteve të para të shtetit shqiptar. Segmente transversale të shoqnisë shqiptare po mundohen me të gjitha forcat me rehabilitue shumë prej atyne që e kanë fundosë e shkatrrue Shqipninë, tue fillue prej Esat Pashë Toptanit e tue përfundue te Enver Hoxha. Me siguri nesër ka me pasë prej atyne që kanë me u mundue me rehabilitue edhe politikën e sotme antikombtare dhe antishqiptare.

Ndërkaq janë harrue Luigj Gurakuqi, Hasan Prishtina, Zija Dibra, Elez Isufi, Dom Nikollë Kaçorri e shumë figura tjera të randësishme. Asht harrue, qëllimshëm, edhe “shembëlli i ndritur i djalërisë shqiptare”, siç quhej asokohe, patrioti vlonjat Avni Rustemi.

Në qoftë se Shqipnia e shekullit XX ka pasë nji revolucionar, ai ka qenë Avni Rustemi, emni i të cilit asht lidhë në mënyrë të pandashme me atentatin kundër anmikut ma të madh të Shqipnisë së asaj kohe: Esatit të Toptanëve.

Në këto 100 vjet pamvarsi, historia e Shqipnisë ka njohtë shumë atentatorë, shumica e të cilëve janë harrue se bashku me emnin e viktimës, por nji i vetëm ka mbetë në kujtesën e kombit si kambanë alarmit e ky asht emni i Avniut.

Ndër të parët atentatorë mbas Pamvarsisë qenë Osman Bali dhe Mehmed Kavaja, të cilët të shtymë prej Esat Toptanit vranë pabesisht në Shkodër Hasan Riza Pashën me 31 janar 1913.

Me 10 janar 1920 kemi atentatin e Kolë Ashikut kundër Sali Nivicës në Shkodër.
Me 15 janar 1920 kemi atentatin e Sulejman Fajës kundër Abdyl Ypit në Durrës.
Me 13 qershor 1920 kemi atentatin e Avni Rustemit kundër Esat Toptanit në Paris.
Me 23 shkurt 1924 kemi atentatin e Beqir Valterit kundër Zogut në parlamentin e Tiranës.
Me 12 prill 1924 kemi atentatin e Isuf Reçit kundër Avni Rustemit në Tiranë.
Në janar 1925 kemi vrasjen e Zija Dibrës në Harizaj të Kavajës.
Me 2 mars 1925 kemi atentatin e Baltjon Stambollës kundër Gurakuqit në Bari.
Me 14 tetor 1927 kemi atentatin e Alqiviadh Bebos kundër Ceno beg Kryeziut në Pragë.
Me 6 dhjetor 1927 kemi atentatin e organizuem prej Zogut kundër Shefqet bej Verlacit.
Me 21 shkurt 1931 kemi atentatin e Azis Çamit dhe Ndok Gjeloshit kundër Zogut në Vjenë.
Me 13 gusht 1933 kemi atentatin e Ibrahim Çelos kundër Hasan Prishtinës në Selanik.

Gjatë Luftës së Dytë Botnore kemi nji seri atentatesh kundër Verlacit, Viktor Emanuelit III, Mustafa Krujës, Qazim Koculit, Baltjon Stambollës, Ndok Gjeloshit, Azis Çamit, Idhomene Kosturit, Ndrec Prengës, Adem Boletinit, I. Shehut etj.

Atentatorët komunista ishin: Vojo Kushi, Vasil Shanto, Gogo Nushi, Misto Mame, Beqir Balluku, Kajo Karafili, Myslym Keta etj.

Në 100 vjet histori atentatesh shqiptare mund të themi se pothuejse të gjithë atentatorët kanë vdekë në mënyrë të dhunshme dhe pothuejse të gjitha atentatet kanë dalë me sukses.

Megjithatë, vetëm nji prej të gjitha atentateve të masipërme ka luejt nji rol thellësisht pozitiv për të ardhmen e Shtetit shqiptar. Ai asht atentati i Avni Rustemit kundër Esat Pashës.

Sa ishte gjallë, Avniu u rrethue prej stimës së pakufi të të gjithë diasporës shqiptare, tue nisë prej asaj të Amerikës, prej vlerësimit të rinisë shqiptare, të klerit katolik, të shumicës së ushtarakëve shqiptarë. Vrasja e tij qe shkaku që rinia e Vlorës të niste revoltën e armatosun së cilës do t’i bashkohej edhe krahu politikan i Shkodrës.

Sot, në pragun e këtij 100 vjetori të zymtë figura e tij ka ra në harresë, akti i tij madhor nënvleftësohet, ashtu siç nënvleftësohen shtyllat e Pamvarsisë tue nisë prej Luigj Gurakuqit.

Pamvarsia e Shqipnisë asht fitue me gjak dhe me pushkë, e gjak e pushkë s’kanë derdhë e s’kanë shkrepë feudalët e bejlereshat e tyne, por katundarët e malsorët shqiptarë prej Kosovës, Malsisë së Madhe e deri në malet e Labërisë. E nji prej tyne ka qenë edhe Avni Rustemi, i cili me aktin e tij ka tregue se e ardhmja e Shqipnisë nganjiherë kalon nepërmjet kambëzës së nji arme.