Nga Mero Baze, 6 Shtator 2012
Në rrethet e shkrimtarëve në Tiranë, gjatë komunizmit citohej gjithnjë një batutë e Kol Jakovës në vitet e para të vendosjes së komunizmit, kur Lidhja e Shkrimtarëve ndëshkoi Sejfulla Maleshovën dhe më pas Skënder Luarasin duke i akuzuar si intelektualë të pavarur. Disa qytetarë që ishin bërë kuriozë të dinin pse ishte faj dhe çdo të thoshte termi armiqësor “intelektual i pavarur”, pyetën Kol Jakovën dhe ai u përgjigj: “Janë ata që nuk janë varur ende!”.
Ky episod mu kujtua dje ndërsa shihja Berishën me fytyrë të prishur dhe hematoma tensioni në fytyrë, menjëherë pas takimit me zotin Riker, ku pranoi se ishte biseduar për institucionet e pavarura dhe Berisha e kishte garantuar “se mbetem plotësisht i vendosur të punoj për pavarësinë e institucioneve dhe e falënderova për shkallën e shkëlqyer dhe ndihmën shumë të madhe që SHBA u jep këtyre institucioneve për funksionimin e tyre më të mirë”. Dukej qartë se Berisha do ta fshehë faktin që SHBA është e shqetësuar se institucionet e pavarura mungojnë dhe jo se duhen përmirësuar.
Kjo përgjigje mban brenda edhe debatin që ka Berisha me SHBA për këtë çështje, por edhe bilancin tragjikomik të rënies së këtyre institucioneve. Pyetja që shtrohet është se kush janë sot institucione e pavarura?
Institucioni i Presidentit, i cili së paku nga viti 2005 ka qenë frenues i vendimeve ekstreme të Berishës, sidomos ndaj SHISH, Prokurorisë dhe drejtësisë, sot nuk është institucion, nuk është një zë në opinionin publik, por thjesht një zë në buxhet që shpenzon para për ndreqje godinash, rroga dhe ndihmë mjekësore. Kreu i saj nuk është president, por pacient dhe logjika e tij nuk është e ndonjë zyrtari institucioni, por e një shërbëtori besnik.
Institucioni i SHISH, i cili deri më sot ishte një institucion “armik” me qeverinë, i braktisur prej saj, i pambështetur financiarisht, ku dhe gomat e makinave i blinte qeveria amerikane, sot është një repart ushtarak i Berishës, i mirëpaguar dhe i gatshëm për të nisur zakonin e tij të vjetër.
Institucioni i KLD është sot një kor gjyqtarësh servilë, që kuptuan se pushteti i ri ka nevojë për besnikëri dhe e demonstruan atë qysh ditën e parë të mbledhjes nën pushtetin e ri.
Gjykatat shqiptare nga e Larta tek më e ulëta, janë sot një ushtri sekserësh që bëjnë gjyqe politike kundër gazetarëve dhe opozitës dhe fitojnë të drejtën të vjedhin dhe rrjepin qytetarët, apo të lirojnë trafikantët kundrejt shumave të majme.
Prokuroria shqiptare është sot një institucion, i cili përgatitet si t’i raportojë Berishës se kush i ka shërbyer më mirë gjatë këtyre viteve, kush ia ka mbyllur dosjen e djalit, të vajzës, të gruas, të Bashës, të Mediut, të Metës etj.
Media shqiptare, e cila duhet së paku të tregonte pak kurajë për t’i rezistuar pushtetit, është jo vetëm e dorëzuar, por e stresuar si Fatos Lubonja, i cili rreket të na shpjegojë se kryeministri nuk ka gjë me të, por ne të tjerët duam ta fusim në sherr apo llogore kundër tij.
Në këto kushte të bisedosh me Sali Berishën për pavarësinë e këtyre institucioneve është sikur të bisedosh me rojën e varrezave se mos ngjallet dikush nga varri e ikën pa leje.
Dhe duket se zoti Riker ishte i qartë për këtë. Ai nuk i takoi krerët e rinj të institucioneve të pavarura. Nuk e takoi kryetarin e SHISH, që Berisha e emëroi kundër vullnetit të tyre, takoi formalisht Nishanin pa i dhënë rëndësinë që i dha Berishës duke dalë me të në konferencë për shtyp, dhe bisedoi gjatë dhe me shumë konfidencë me Ina Ramën, të fundmen e “institucioneve të pavarura” që nuk e kanë varur ende! Është një gjest i qartë mosnjohje i këtyre institucioneve nga SHBA. Një gjest, i cili ia bën pak më të vështirë Berishës hapin drejt një regjimi putinist, por jo se e ndal. Atë duhet ta ndalim ne!








[…] http://www.fjala.info/?p=4856 September 7th, 2012 | Category: Opinion […]
Comments are closed.