Thyerja e pandëshkueshmërisë!

0
41

Nga Mero Baze, 4 Shtator 2012

Ka diçka që ka ndryshuar besimin e njerëzve tek politika në këto 20 vjet, që tejkalon dështimet dhe sukseset e qeverive. Ka diçka të përbashkët që i është bërë gati si identitet politikës shqiptare dhe sidomos shtetit ligjor në Shqipëri, e cila po ul përditë e më shumë besimin e qytetarëve tek politika dhe po i heq politikës nervin dhe emocionin që ka pas zgjuar dikur në shoqëri. Kjo është pandëshkueshmëria e politikanëve.

Nëse fushata elektorale që po nis do tentojë t’i bëjë Berishës dhe Ramës bilancin, asgjë nuk do tu mbesë në mendje qytetarëve. Në mendjen e qytetarëve nuk janë më 26 arkivolet e Gërdecit, por triumfatorët në gjyqin e Gërdecit, nuk është më turfullimi i njerëzve për përfshirjen e Familjes Berisha në atë tragjedi, por pafytyrësia e shtetit që nuk thirri asnjë ditë të birin e tij për ta pyetur, nuk është më imazhi i katër të vrarëve para kryeministrisë, por ulërimat e Berishës për puç dhe ndëshkim të protestuesve, nuk është më imazhi i Ilir Metës duke numëruar miliona në video, por triumfi i tij para një gjykate të turpshme.

I kthyer më pas ky film tek koha kur Fatos Nano ishte kryeministër dhe Berisha akuzonte atë dhe gruan e tij si kryemafiozët e Ballkanit, biles shpërndarës droge përmes helikopterëve, njerëzit kanë më shumë në mendje puthjet publike të Nanos me Berishës dhe betimet kundër opozitës, se akuzat ndaj njëri- tjetrit. Në të njëjtën frymë ka shkuar dhe beteja e opozitës për të mbrojtur kauzat e saj të mëdha dhe qëndrimet e saj ndaj aleancave numerike dhe politike, sidomos vërdallosja e saj pas LSI.

Pra, nëse dikush do të ndizte shoqërinë dhe do të kthente besimin tek publiku në këtë fushatë, duhet të premtojë atë që ka munguar dhe që ka neveritur realisht politikën në sytë e shqiptarëve, ndëshkueshmërinë.

Pandëshkueshmëria është sëmundja më paralizuese për politikën shqiptare, e diagnostikuar ndërkohë nga Bashkimi Evropian në gjithë raportet e tij, nga Departamenti Amerikan i Shtetit dhe nga gjithë vëzhguesit ndërkombëtarë. Shqipëria është kthyer në një vend me ngjarje pa kuptim ku askush nuk ndëshkohet. Këtu vidhen votat dhe vjedhësi nuk ndëshkohet, vriten demonstrues dhe vrasësit nuk ndëshkohen, vidhet me zë dhe figurë dhe vjedhësit sillen si triumfalistë, Familja në pushtet zhyt duart në pasuritë e shqiptarëve, shpesh duke i lyer dhe me gjak, dhe askush nuk ndëshkohet. Gjykatat, prokuroria, presidenti, KLD, KQZ, tani janë të gjithë një ushtri besnikësh që mbrojnë pushtetin nga ndëshkimi. Në këto kushte i vetmi premtim i madh është ndëshkimi.

Por ky duhet të jetë një premtim serioz dhe i argumentuar.

Aleanca KuqeZi promovoi këtë të diel një nisëm të saj për dënim të përjetshëm ndaj Sali Berishës lidhur me shitjen e territorit. Reagimet që pashë në ueb rreth asaj nisme ishin mbresëlënëse. Edhe pse rasti ka shenja të forta populizmi dhe është larg një padie të vërtetë, depozituar në gjykatë, gjesti është shumë i vlefshëm. Sali Berisha ka një dosje të tërë kriminale mbi supe në këto 7 vite qeverisje, të cilat opozita duhet t’ia dokumentojë dhe të premtojë ndëshkim për të. I biri i tij ka prova të qarta që është i përfshirë në lobimin për fabrikën e Gërdecit dhe duhet të premtohet çuarja para drejtësisë. E bija e tij ka prova të qarta që ka tentuar të përfitojë miliona nga firmat që hedh babi i saj kryeministër për koncesione dhe duhet të shkojë para drejtësisë.

Gruaja e tij ka një veprimtari tërësisht jo transparente dhe ndonjëherë e financuar nga fonde prej njerëzish të dyshimtë, që nuk i kërkon askush llogari dhe duhet premtuar që do të hetohet. Nëse nuk bëhet betejë premtimi i madh për çuarjen para drejtësisë të Familjes në pushtet, dhe pas tyre çdo ministri dhe zyrtari që ka zhytur duart në paret e shqiptare dhe pasuritë e tyre, asnjë motiv nuk kanë shqiptarët të dalin të votojnë dhe për më tepër të mbështesin ndryshimin.

Sali Berisha po përpiqet ashtu si me të drejtë thotë Edi Rama të bëjë pis me baltën e tij dhe opozitën duke i barazuar palët. Ai pranon tani që është hajdut, por ka merak të thotë që dhe opozita është hajdute. Ai pranon tani që vetë ka vrarë dhe përpiqet të gjejë dhe vrasës nga opozita. Ai pranon tani që nuk ka kontroll mbi vendin, por tenton të thotë që as opozita s’mund ta bëjë këtë.

Ai është tani një i mbytur që tenton të marrë me vete gjithkënd që mund t’i japë shpresë këtij vendi. Për ta bërë të qartë diferencën me të, duhet kthyer thyerja e mitit të pandëshkueshmërisë në një motiv të madh që njerëzit të përfshihen në politikë. Është pikërisht thyerja e pandëshkueshmërisë kjo fuqi e madhe ndryshimi, që Berisha tenton ta frenojë me llomotitjen false për imunitetin, i cili në fakt është premtimi nën zë që u bën të vetëve për të trembur opozitën.

Premtimi për ndëshkim duhet bërë me zë të lartë, me fakte të qarta dhe bazë të fortë ligjore dhe me vendosmëri për ta realizuar. E di që shumë vetë kanë gati shfryrjet mosbesuese për gjyqtarët e Berishës, për prokurorët e Berishës, për presidentin e Berishës, SHISH e Berishës etj. Të gjitha janë një flluskë sapuni. Të gjitha kapërcehen nëse opozita bind njerëzit që do ta zhdukë mitin e pandëshkueshmërisë në këtë vend. Është shumë e rëndësishme të mos shikojmë ministra që vjedhin në kohë të Berishës të bëhen nesër disidentë të Berishës dhe të puthen me Ramën.

Është shumë e rëndësishme të mos shohim më biznesmenë që trafikojnë pushtetin e Berishës dhe paguajnë të zhduket opozita dhe media opozitare dhe nesër të qurraviten në paradhomat e Edi Ramës. Është shumë e rëndësishme të hetohet një për një çdo lek që në këtë vend është paguar kundër opozitës, si një investim kundër lirisë dhe të drejtës kushtetuese për të jetuar në një vend të lirë dhe demokratik. Është shumë domethënëse që njerëzit të binden se ndryshimi do të jetë i madh, se për herë të parë dikush do paguajë për ato që ka bërë. Qytetarët duhet të binden se po vjen koha për ndëshkim!