ResPublica.al, 2 shtator 2012
Shqipëria, vendi më tolerant mysliman, lexohej sot një titull te Gazeta Shqiptare, i një artikulli kushtuar fotografit Joseph Coudelka. Artikulli, (por jo vetëm ai) I ka tërhequr vëmendjen Ardian Vehbiut, i cili në blogun e vet Peizazhe të Fjalës shkruan:
“E pavërteta e Shqipërisë vend mysliman, tashmë e shndërruar në klishe, po qarkullon lirisht në mediat perëndimore dhe shqiptare, pas gjase edhe e nxitur nga interesa që me Shqipërinë e shqiptarët nuk kanë të bëjnë fare, por që duan t’i përdorin si famëkeqin “kopsht të lulëzuar” buzë Adriatikut, të Hrushovit. Shqipëria nuk është vend mysliman; madje sot për sot nuk dimë as nëse është vend me shumicën e popullsisë myslimane, sa kohë që qeveria e tanishme nuk është në gjendje të kryejë një regjistrim popullsie të besueshëm…”.
Vehbiu mendon se një gjë janë myslimanët shqiptarë të virtytshëm, të hapur ndaj Tjetrit, të mësuar me diversitetin dhe bashkëjetesën; dhe një gjë tjetër natyra fetare e Shqipërisë, si shtet ose vend.
Këmbëngul Vehbiu: “…Shqipëria nuk është vend mysliman; institucionet shtetërore nuk kanë ndonjë marrëdhënie të privilegjiuar me Islamin, as kushtetuta dhe legjislacioni shqiptar ndonjë lidhje me Sheriatin, as shkolla laike shqiptare etj..
Përkundrazi, ka një marrëdhënie të drejtpërdrejtë midis faktit që myslimanët shqiptarë janë shquar si faktor stabiliteti dhe tolerance në shoqërinë shqiptare, dhe faktit tjetër, që Shqipëria është vend laik, ku shteti dhe fetë nuk përzihen në punët e njëra-tjetrës.” – dhe e mbyll me bindjen se dikush përfiton nga gjithë kjo: “…Natyrisht, nuk ka asnjë të keqe të jesh vend mysliman; e keqja është kur një vend që nuk është mysliman, cilësohet si i tillë për arsye ideologjike dhe manipulative; dhe sidomos kur pushtete dhe interesa të caktuara, brenda Shqipërisë, duan të përfitojnë nga kjo, qoftë edhe thjesht pará në dorë…” – shkruan Vehbiu
(A.N.)