TemA Online, 27 Gusht 2012
Një nga iniciuesit e partisë më të re në vend, FRD, e cila identifikohet me ish-presidentin Topi, Aleksandër Biberaj, vrasjet e 21 janarit i ka konsideruar si një krim shtetëror.
Ai ka thënë se kryeministri Berisha është kthyer në një njeri haluçionant, si Enveri, që sheh armiq nga të gjitha anët dhe kërkon të eleminojë ish-bashkëpuntorët e vet. Duke folur në një intervistë për “Shqip”, Biberaj ka thënë se Bamir Topi është tashmë lideri i vërtetë i të djathtës shqiptare.
“Të vjen keq kur e sheh Kryeministrin e vendit tënd në atë gjendje, dhe dashje pa dashje të kujtohet Enver Hoxha në agoninë e vet që fliste përçart, pasi kishte “asgjësuar me sukses” për 44 vjet me radhë të gjitha grupet armiqësore të brendshme e të jashtme, dhe kishte likuiduar të gjithë shokët dhe miqtë e vet. Arsyeja kryesore e këtyre sulmeve haluçinante është shfaqja në skenën politike e FRD-së, reputacioni në rritje dhe fuqizimi i përditshëm i së cilës po sjell pritshmëria e lartë te qytetarët shqiptarë për faktorizimin e FRD-së si një forcë e rëndësishme, forcë kryesore politike në zgjedhjet e vitit 2103. FRD-ja po ngjall shpresën dhe besimin e shqiptarëve se Shqipëria bëhet.
Duket lehtësisht dhe fare qartë se Kryeministri dhe të tijtë e kanë humbur qetësinë që kur u shfaq FRD-ja në horizontin politik, por ky nuk është problemi ynë, ky është problem i atyre. Kryeministri ka frikë nga FRD-ja, pasi ai e di fare mirë forcën dhe reputacionin e FRD-së si një forcë reale dhe e vërtetë e qendrës së djathtë, që do të marrë mazhorancë votash djathtas, këtë ia tregojnë edhe sondazhet që ai i ka në tavolinën e tij.
Si një ish-komunist që mbeti gjithë jetën komunist në mentalitet, psikologji dhe mënyrë veprimi, ai ka 22 vjet që manipulon të djathtën më “antikomunizmin e tij farsë dhe hipokrit”, e ka përçarë të djathtën, dhe në mënyrë sistematike ka goditur të gjithë përfaqësuesit më dinjitozë dhe më me reputacion të së djathtës për ta mbajtur vetë monopolin e saj, ndërkohë që ka 22 vjet që bashkëpunon me të majtët direkt apo indirekt, hapur apo fshehurazi, formalisht apo informalisht. Ai ka 22 vjet që e lufton të djathtën në mënyrë konstante, ndërkohë që u ka krijuar terren të lirë të majtëve apo ish-bashkëpunëtorëve të ish-Sigurimit të Shtetit, që janë si në PD ashtu edhe në partitë e tjera të djathta.
Tani po e kupton që e djathta po riorganizohet, gjë që përbën edhe fundin e dominimit të tij të pamerituar dhe manipulues tek e djathta. FRD-ja po shihet çdo ditë si shpresë dhe besim për reformimin e së djathtës, për krijimin e një të djathte të vërtetë, të reformuar, patriotike, qytetare dhe moderne sipas modelit që aplikohet sot në SHBA, apo sipas modelit të Partive Popullore Europiane.
Një ndër misionet e FRD-së është reformimi i së djathtës, dhënia fund e dominimit 70-vjeçar të së majtës sipas modelit sllavo-komunist, dhe Sali Berisha e di fare mirë që Bamir Topi do të jetë shumë shpejt lideri i së djathtës reale, pa ish-komunistë, pa ish-bashkëpunëtorë të ish-Sigurimit të Shtetit dhe pa pinjollët e diktaturës, pasi këto janë zhvillime dialektike që nuk ka forcë t’i ndalojë, aq më tepër që koha e Berishës po perëndon çdo ditë. Dhe për ta mbyllur këtë pjesë, vetë Berisha dhe gjithë klani i tij i majtë në PD, një klan hajdut, injorant dhe rural, Bamir Topin e kanë pasur frikë dhe fobi prej shumë vitesh, gjë që tani po e shfaqin hapur, aq më mirë për ne, aq më keq për ta, pasi shqiptarët janë të zgjuar dhe i kuptojnë fare mirë zhvillimet politike, tendencat dhe perspektivat.
Sulmet e Berishës vetëm sa na fuqizojnë dhe kompaktësojnë më shumë, dhe po ta lexonte këtë intervistë do ta këshilloja që të merret gjithë ditën me FRD-në se vetëm nder na bën, aq më tepër që ka edhe kohë, pasi nuk bën ndonjë punë në interes të Shqipërisë dhe shqiptarëve”, ka thënë Biberaj për “Shqip”.







