Një fotografi që dëshmon pafuqinë ndaj regjimit!

0
33

Nga Mero Baze, 22 Gusht 2012

Një doganier shqiptar ka bërë një dëshmi publike të pashembullt. Ka rrëfyer skemën e vjedhjes në doganat shqiptare, me emra konkret, me poste, me data, me raste, dhe me taktikat e përdorura. Urim Gjata, një ish aktivist i PD-së nga Pogradeci, i punësuar në dogana, e ka bërë këtë denoncim në shtyp, shoqëruar me një fotografi me Sali Berishën, vite më pare, kur ai ishte në opozitë. Me sa duket, mesazhi i fundit që ka dashur të përcjellë doganieri, është fuqizimi i akuzës si një njeri që vjen nga brenda pushtetit, dhe që ‘nuk ka gjë me Berishën”, por me ata poshtë që vjedhin dhe bëjnë kërdinë.

Ka qenë aq i kujdesshëm dhe është lodhur aq shumë ta botojë atë intervistë me atë fotografi, i kompleksuar pikërisht nga klima që Berisha krijon ndaj atyre që akuzojnë pushtetin për korrupsion. Duke i zhvlerësuar gjithë akuzat si interesa personale apo interesa opozitare, Berisha ja ka dal ta lodhi opinionin publik me kauzat për korrupsion dhe ta ngrejë aq lart stekën e mosndëshkueshmërisë, që nga Gërdeci deri tek kaseta e Ilir Metës, sa çdo gjë tjetër të duket si vjedhje e hajdutëve të xhepit.

Është pikërisht kjo gjë, që ka rritur kujdesin e doganierit për të dalë në fotografi me Sali Berishën. Të akuzosh Berishën për korrupsion, për vrasje, për koncesione, për favorizime dhe pushtet familjar, nuk ke asnjë shans të gjesh përkrahje në medie dhe askund shans, për të vendosur drejtësi. Degradimi ka shkuar aq tej, sa tani ata që duan të denoncojnë diçka të keqe, diçka flagrante, diçka me emër e mbiemër, siç ishin denoncimet e Urim Gjatës, duhet të bëhen duke qenë në anën e Berishës. Pra, në një farë mënyre duhet të thuash që unë jam me Berishën dhe këto që ndodhin nuk janë gjëra të mira, pasi Berisha me siguri nuk i di.

Ky është menatiteti që prodhojnë regjimet kur deformojnë shtetin ligjor dhe kur i vendosin fatet e ndëshkimit dhe shpërblimit në dorën e një njeriu. Është pak a shumë situata e viteve 60-70, kur të ndëshkuarit si armiq të partisë, “besonin” se Enver Hoxha nuk dinte gjë për padrejtësitë ndaj tyre. Është mentaliteti i njeriut të pafuqishëm për të vendosur drejtësi nga shteti ligjor dhe tenton të bëjë manovra të vogla dhe taktika qesharake për të mos “prishur” themelet e pushtetit. Është një përpjekje dëshpëruese për të ndarë të keqen nga Berisha.

Natyrisht që është një manovër e gabuar, por jo e qortueshme. E gjithë kjo vlen më shumë se sa shumë e ka deformuar regjimi drejtësinë dhe lirinë e fjalës, se sa vlen për të mësuar ne ca emra të pështirë hajdutësh në dogana emëruar nga Ritvan Bodja, që u paguarkëkan shefave taksa ditore.

Është ilustrimi i faktit, që regjimi ka dëshpëruar qytetarët se drejtësia mund të burojë nga ndonjë pushtet i pavarur jashtë tij.

Jam i bindur se Urim Gjata ka pasur pak shpresë se do përmbyste dynjanë me atë denoncim, por e ka shoqëruar me fotografinë e tij me Berishën denoncimin, për të treguar se nuk është një opozitar, por një pjesë e pushtetit që nuk pranon padrejtësinë. Është shpresa e tij e fundit që mund të ndalet e keqja me të cilën ai ndeshet përditë.

Në fakt, asgjë nuk ndodhi. Drejtori i Përgjithshëm i Doganave ka heshtur, Ministri i Financave, ku shumica e të denoncuarve ishin bandë e tij, ka heshtur, Qeveria ka heshtur, Prokuroria ka heshtur…ndërsa doganierin nuk e kap më dot askush, as në telefon dhe as fizikisht. Ndoshta ka ikur diku të ruaj kokën.

Fotografia e tij me Sali Berishën dhe përpjekja për të denoncuar në emër të regjimit, mori kështu një leksion të qartë, që regjimi nuk i ka qejf denoncimet pa leje. Nëse Ritvan Bodja, Sokol Olldashi, Genc Ruli apo çdokush tjetër që kanë nën vete një strukturë të tërë të korruptuar dhe duhet të sakrifikohen, regjimi i gjen vet denoncuesit, i nxjerr në mediet e veta dhe bëhet ndëshkimi shembullor.

Nuk mjafton një foto me Sali Berishën, për tu dukur sikur uji nga lart del i pastër, por turbullohet rrugës. Është e kundërta. Regjimi ka gjithçka në dorë, hajdutët dhe të ndershmit, ndëshkimin dhe shpërblimin, denoncuesit dhe të denoncuarit, viktimat dhe agresorët. Ndaj sot ne nuk dimë ku është Urim Gjata. Dje ka folur kundër regjimit, me një foto ku ka dalë në krah të Sali Berishës, me shpresë se do ta ndihmonte. Kjo foto flet më shumë se akuzat e tij për vjedhje ordinere. Kjo flet për pafuqinë e qytetarëve për t’u vendosur drejtësia, jashtë vullnetit të regjimit.