Marin, na hape telashe!

0
25

Nga Bledi Mane, 22 Gusht 2012

Duhej dëbimi grek i gazetarit të guximshëm Marin Mema, që çështja e tulatur dhe e fjetur Çame të rizgjohej nga gjumi këtë gusht të drobitur nxehtësisht. Kronika e tij e fundit në tokën e natyralizuar greke të Margëlliçit shfaqte frikshëm sekuenca reale sesi nizamët e rinj adoleshentë shqiptarë arsimoheshin dhe trajtoheshin si humanë në vendin e tulatur nga kriza ekonomike.

Pamjet rrënqethëse tregonin si vinë i marrin dhe i sjellin me taksi nga fshatrat e rreckosur shqiptarë të kufirit e i çojnë në shkollat e konviktet e tyre. Pasi i veshin, i ushqejnë, i arsimojnë, i lavazhojnë nga truri e shpirti, përgatisin civilizisht armatën “e grekërve të rinj” me gjak arnauti të cilët do të vendosen në tokat e shqiptare të konfiskuara të Çamërisë.

Greqia e filozofisë, letërsisë, politikës, shkencave, Greqia moderne dembele dhe e patundur nga istikami i saj ortodoks-nacionalist ende vazhdon të na japë leksione sesi poshtërohet një komb i tërë edhe kur konkurenti përballë ka vite i sëmurë e i menderosur në sytë e botës.

Një Greqi me ushtri të papunësh e lypësash në ritje dhe migrantësh vazhdon të qesëndisë e të tallë trapin me qeverinë e njeriut që deri 8 vjet më parë ishte patetizuar dhe patinimizuar prej një urrejtje model nëntëdhjeteshtate. Me kaos ekonomik e social në rritje, komshija jonë ka kohë të mjaftueshme të merret me hallet tona dhe të kafshojë detin tonë. Ka në dorë sistemin bankar dhe telekomunikacionin lokal e porsi një mace e plakur egjiptjane nuk jep shpirt kollaj pa ngatërruar qeveri e opozitë.

Ka ngulur rrënjë dyfish në këtë qeverinë tonë gangëstere dhe ndryshe nga partia e çamëve të Idrizit, vetëm me dy deputetë ministra minoritarë dropullit e xhonglon Berishë minoritarin dardan të Tiranës pa pikën e sedrës dhe turpit.

Edhe çamët megjithëse me dy mandate të rëndësishme në parlament nuk kanë ditur që nga 2009-a të luajnë bukur si në amfiteatrot e Prevezës as tragjedi e as komedi për të qenë.

Më pëlqen tallja që vetë kryeminstri veteriner i bën partisë së Idrizit me madat të tjetërsuar dhe trajtimi si Chiuaua nga ana e atij të parafundit, thjesht kalit durimin e çamëve me ndonjë kockë nëpër koalidimet e makinave apo sigurimet shoqërore.

Shqipëria e mesme dhe një pjesë e perëndimit të vendit ka një numër të konsiderueshëm qytetarësh çamë. Janë boll nëse bashkë votojnë në unanimitet të zgjedhin deri në katër parlamentarë. Ndryshe nga minoriteti grek i cili u shpartallua me ardhjen në pushtet të PD-së më 2005-ën deri tani çamët kanë qenë më kompakt.

Nga dy parti poltike mundën të treten në një të vetme por deri tash lidershipi i tyre me shkollë e pa shkollë thjesht është quravitur në dhomën e rrëfimeve të Berishës duke rënë pre e interesave meskine të biznesit të njërit apo gjasme largpamësisë të atij tjetrit. Çamët janë shqiptarë në histori, etnografi e nën lëkurë.

Pavarësisht se mbeten tregëtarë apo matrapazë të zotë ende nuk po strukturojnë identitetin e tyre në hullinë e poltikës dhe qevrisjes domestike shqiptare.

Gazetaria e Marin Memës dhe nacionalizmi i ëmbël i Aleancës Kuqezi po sfumon dukshëm pinjollët e komunitetit çam të cilët pavarësisht se me dy mandate mundet ta bënin Berishën të kërcente çiftetel por ky i fundit i sëmuri keqas e i ktheu në parlamentarë të dorës së dytë me duart gati për votime të lidhura me spangot e interesave afatshkurtra.

Do të jetë vonë se edhe i vetmi spital i kurimit të sëmundjeve të rënda në Tiranë mban emrin Hygeia. Është grek, po po është biznes grek.

Marin ç’na bëre. Na hape më shumë telashe këtu se sa në Greqi!