Gazeta Shqip, 20 Gusht 2012
Gazeta e mirënjohur amerikane, ‘Newsweek’ ka dalë me një kopertinë krejt të veçantë, në të cilën kërkon largimin e presidentit të SHBA-ve, Barack Obama. Kur kanë mbetur edhe 79 ditë nga gara presidenciale, që mendohet të jetë e vështirë për Obamën, e përjavshmja prestigjioze i jep një goditje të fortë kreut të Shtëpisë së Bardhë, me titullin e madh në kopertinë: “Obama, largohu: ja pse kemi nevojë për një president të ri”. Në sfond, një foto e Obamës me xhaketë në krahë, që të jep përshtypjen sikur është duke u larguar.
“Obama nuk ka përmbushur asnjë nga premtimet e mëdha të bëra 4 vite të shkuara”, – nënvizon autori i artikullit, Niall Ferguson, sipas të cilit Amerika tashmë ka nevojë për një tjetër president. Qëndrimi i këtij autori nuk është i panjohur, duke qenë se 4 vjet më parë, gjatë fushatës për zgjedhjes presidenciale ka qenë këshilltar politik i John McCain, kundërshtari i Obamës në zgjedhje.
Ajo që përbën lajm, është fakti që artikulli është botuar nga ‘Newsweek, dhe për më tepër është vendosur në kopertinë, në një kohë që gazeta njihet për pikëpamjet e saj tërësisht liberale.
20 gusht 2012 (gazeta-Shqip.com)