Besnik Mustafaj: Ku është ushtria e NATO-s?

0
30

TemA, 16 Gusht 2012

Pylli i Priskës në Tiranë po digjet prej pesë ditësh. Autoritetet shqiptare nuk po i shuajnë dot flakët duke lënë të digjet një pyll natyror me lisa shekullorë. Ish-ministri i Jashtëm, Besnik Mustafaj, është banor i kësaj zone.

“Ndërhyrja e parë duhej bërë nga këmbësoria e ushtrisë dhe nuk do të duheshin më shumë se 10 ushtarë. Jemi vend i NATO-s dhe dy drejtime ka ushtria jonë: ruajtja e paqes dhe emergjenca civile. Ku është ushtria? Japim 2.7 përqind të buxhetit për arsimin, ndërkohë që japim 2 përqind për ushtrinë dhe ja ç’po ndodh”, shprehet zoti Mustafaj për Shekulli-n.

Ai thotë se Komuna Dajt nuk i ka kapacitetet për raste të tilla veç denoncimit publik.

“E çfarë do të bëjë Komuna me katër policë që ka gjithsej? Duhej të kërkohej ndihmë nga vendet partnere të NATO-s. Mjafton një avion nga Greqia ose Italia për ta shuar”, vijon më tej ai. Mustafaj pohon se kjo masakër natyrore në pyllin që kishte ujq dhe shqiponja po neglizhohet. “Ja shikoje! Vetëm sot u kujtua të vijë ushtria dhe prapë nuk dinë rrugën!”, thotë ai duke treguar me gisht një Jeep me ushtarë që u kthye mbrapsht.

“Ja e shikoni? Ajo faqja që duket si shkëmb ka qenë me lisa 100 vjeçarë. Ky është një krim natyror sepse pylli që po digjet është natyror, nuk është si ai i Dajtit, i mbjellë nga dora e njeriut. Kam frikë se do kalojë nga faqja tjetër e malit, andej nga krahu i Malit me Gropa,” thotë ish- diplomati.