ResRepublica.al, 14 gusht 2012
“Figura e Ismail Qemalit nuk mund të mohohet që është [një] figurë tanimë e konsakruar: nuk ka shqiptar që ta vërë në dyshim borxhin që i ka atij Shqipëria. Po ajo e Ahmet Zogut? Është kontroverse në krahasim me atë të Ismail Qemalit; unë i quaj më se normale, madje shumë qytetare, kundërthëniet për të” – kjo është një copëz e shkëputur nga intervista e Aurel Plasarit dhënë Shekullit, së cilës iu referuam në një shënim tjetër mbi shifrën e 28 mijë të rënëve.
Plasari përpiqet ta maskojë një si antipati që ka për Ahmet Zogun, por nuk ia del dot plotësisht (ndoshta s’ka patur dëshitë t’ia dalë). I pyetur për shtatoren e Ahmet Zogut, që do të ngrihet me vendim të Komitetit ndërministror të 100 vjetorit të shpalljes së pavarësisë, ai thotë: për shtatoren e një figure si e Ahmet Zogut mund të merrej një mendim më i gjerë, që ta bënte maksimalisht të pranueshëm për shoqërinë e sotme shqiptare vendimin, qoftë pro, qoftë kundër.
Ai është me idenë që për këtë të vendoset, në mos nëpërmjet një referendumi, të paktën bazuar në vendimin e një instance politike, publike, institucionale a shtetërore. Për model sjelljeje në të tilla raste merr Vlorën e këtyre ditëve, ku ka qenë Bashkia, apo entiteti Vlorë, që e ka marrë një vendim të tillë për shtatoren e Ismail Qemalit. Por edhe shembuj të së kaluarës: “Vlora qysh në vitet 30 të shekullit të kaluar mori nismën qytetare, mblodhi paratë, mobilizoi autorin, dhe kreu monumentin e ‘Flamurtarit’, në këmbë e i nderuar edhe sot.
Po në vitet 30 Korça mori nismën qytetare, mblodhi paratë, mobilizoi autorin, dhe kreu monumentin e ‘Luftëtarit Kombëtar’ dhe më vonë edhe atë të heroit të saj, ‘Themistokli Germenjit’, të dy në këmbë dhe të nderuar edhe sot. Kështu Gjirokastra, po në vitet 30, mori nismën qytetare, mblodhi paratë, mobilizoi autorin, dhe bëri monumentin e ‘Çerçiz Topullit’, në këmbë dhe i nderuar edhe sot. Kështu veprojnë qytetet.”
Duhet t’i ketë rënë në sy për keq një ankesë e qarqeve intelektuale shkodrane mbi një si injorim që i është bërë Luigj Gurakuqit, dhe mendon se në vend të qarjeve do ish mirë të veprohej me këtë logjikë: “Edhe Shkodra dhe shkodranët e xhurnaleve dhe të kanaleve televizive do të bënin mirë të mos i qaheshin e ankoheshin botës se po ua ‘persekutuakan’ heroin, por të organizohen për të vënë në vend nderin: mbasi të kenë dënuar prishësit e shtëpisë muze të Luigj Gurakuqit, ta rindërtojnë atë me sigurinë që nuk do të dalë një trim tjetër, nesër-pasnesër, dhe t’ua rrënojë përsëri.”
E.G.







