Ardian Ndreca
Shëmtimi i sotëm përcakton edhe të ardhmen tonë. Gjithçka që na rrethon asht pjesë e atij shëmtimi me të cilin jemi lodhë, mësue, pajtue, revoltue, kundër të cilit ndonjeni prej nesh edhe ka luftue… megjithatë s’kemi qenë në gjendje me e dëbue prej jetës sonë.
Shëmtimin e gjejmë në rrugë, në shkolla, në familje, në parlament, në urbanistikën e masakrueme, në shpatet djerrina të maleve, në televizion… ky i fundit mbërrin me hy me prepotencë në çdo votër shqiptare, tue shitë rrena, mashtrime e gjysma të vërtetash si të ishin ar i kulluem.
Në këto dy dekada në Shqipni asht krijue figura e gazetarit analist, e atij që ta shet sapunin për djathë e mandej kur asht lodhë mundet me nisë me ta shitë edhe djathin për sapun.
Analisti në shërbim të politikës mundet me qenë i ambël si iriq, i hakërryem si lepur, mundet me dalë e me folë me orë të tana mendueshëm apo kinse i indinjuem, por gjithsesi ai mbetë nji pasqyrë që reflekton gjana që s’janë tijat, gjithnji në shërbim të atij që mban pushtetin apo që e paguen.
Analistat tanë edhe kur duen me u dukë luftarakë ma së shumti gjuejnë për me tremb e jo për me vra. Korrupsioni, në sens etimologjik, kostumi kombtar me të cilin politika e ka veshë Shqipninë, asht pjesë e sistemit të tyne tretës.
Tregojnë që Demosteni e mbushte gojën me guraleca kur donte me shqiptue ma mirë ligjëratat e tija, analistat tanë s’e di se me çka e mbushin gojën kur nisin me folë për kundërshtarët politikë të atij që i paguen! Ata vetë nuk kanë kundërshtarë të mirëfilltë, përposë logjikës dhe parimeve themelore të moralit qytetar.
Ndoshta do të ishte me vend me folë me komisionin e ligjeve në parlament dhe me i propozue nji ligj që ka pasë emanue para dymijë vjetësh vetë perandori Domician, nji ligj që t’i pengojë lolot me hypë në skenë, të ndalojë tredhjen dhe të kufizojë çmimin e shitjes së eunukëve.
Kemi nevojë që gazetat tona të shtypen me sodë kaustike dhe jo me bojë shkrimit, jemi lodhë me analista kinse kundërshtarë, por që në të vërtetë dhjesin në nji kungull dhe ushqejnë në mënyrë të njitrajtshme nji mendim idiot, ekuivalent me atë që deri dje i thurte himne fitoreve të Enver Hoxhës dhe çmendunive të tija të pafundme. Asht e vërtetë që Zoti ka krijue gjithçka prej asgjajet, por kur shoh do analista dhe do gazetarë shqiptarë, mendoj se nuliteti shihen shumë ma qartë se vetë qenja. Ngjajnë me kafshë shtëpiake, të armatosun me proteza thonjsh e dhambësh, të gatshëm me kafshue me urdhën, të gatshëm me lëpi me urdhën, të zotët vetëm me ndrrue kravatat, xhaketat e ngushta apo erën e profumeve të shtrenjta.
Rrallëherë, kur më bjen rasa me pa këta parvenu të lindun e të rritun nën hijen e regjimit të sotëm, mendoj se po të delnin prej së njejtës derë prej së cilës kanë hy në skenë, era e qelbt do të shponte edhe vetë ekranet e televizorëve.
Këta shërbëtorë të politikës sonë janë pjesë aktive e shëmtimit të saj. Tek ata nuk ka as ideale e as idealizëm, pse nji prostitute edhe kur i qëllon me mbrojtë nji kauzë të drejtë, ajo nuk asht e besueshme, për faktin se asht mësue me ba gjithçka me pagesë.
Në vitin 1907 Faik Konica shkruente këto rreshta emblematikë:
“Idealizmi, Zotërinj, munt të dalë vetëm nga dy burime: a nga një kulturë të lartë, a nga një vojtje e përbrendëshme. Dy kategorie Shqiptarësh munt të jenë idealistër: E para, Shqiptarët që janë të zotërit të mendojnë, që shohin ç’është Shqipëria dhe kuptojnë ç’munt t’ish, që venë ré me hidhërim pa-drejtësinë q’i bëhet popullit t’onë, dhe dinë edhe krojin e asaj pa-drejtësie edhe të vetëmen mënyrë për të tharë për gjithënjë atë krua.
E dyta kategorie, janë Shqiptarët të shtypur brez pas brezi, zemra e të cilëve u qan për ditë më të bukura dhe munt t’u lartësojë mendjen gjer në kuptim të një ideali kombtar, i vetëmi i zoti t’i japë ç’do djali të kombit vendin e tij në diell. Tani, Zotërinj, ju pyes te cila nga këto kategorie munt të hyjnë mëmëdhetarët e shentëruar të cilët sot e hothne maskën dhe u çfaqne siç janë?”
Janë fjalë që nuk kanë nevojë për asnji koment, mbasi kuptohen shumë mirë mbas gati nji shekulli. E përfundon Konica, tue shkoqit dialogun ndërmjet “popullit” dhe “politikanit” shqiptar:
“Këtu, ti! Nga parat’ e paka që fitojmë me djersën e t’onë dhe në mes mundimesh dhe lotsh, duam me gjithë zemër të japim sa të mundim për të ndihur vertëtimin e idealit t’onë. Po ç’na provon që ideali ynë ësht edhe i yti?”
Mapo